Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
rreth 13 min. lexim
Nëse kalojmë nga filozofia në psikologji, konstatojmë se edhe aty shfaqen të njëjtat tendenca, në shkollat më të fundit të psikologjisë, në një aspekt edhe më të rrezikshëm, sepse, në vend që të marrin formën e disa postulateve të thjeshta teorike, ato gjejnë aty një zbatim praktik të një natyre fort shqetësuese; më “përfaqësueset" e këtyre metodave të reja, nga këndvështrimi ynë, janë ato që i njohim me emërtimin e përgjithshëm të “psikanalizës". Gjithashtu duhet theksuar se, nga një inkoherencë e çuditshme, ky përdorim i elementeve që në mënyrë të pakundërshtueshme i përkasin rendit delikat, vazhdon sidoqoftë të shoqërohet, tek shumë psikologë, me një qëndrim materialist, sigurisht për shkak të edukimit të tyre të mëhershëm, por edhe për shkak të paditurisë së tyre mbi natyrën e vërtetë të këtyre elementeve që ata venë në lojë [114]; të mos diturit kurrë saktësisht se me çfarë po merret në të vërtetë, a nuk është vallë kjo një nga karakteristikat më tipike të shkencës moderne, edhe kur bëhet fjalë thjesht për forcat e domenit trupor? Për më tepër, është e vetëkuptueshme se njëfarë "psikologjie laboratorike", rezultat i procesit të kufizimit dhe materializimit në të cilin psikologjia "filozofiko-letrare" e mësimdhënies universitare nuk përfaqësonte veçse një stad më pak të avancuar, dhe që realisht është vetëm një lloj dege plotësuese e psikologjisë, vazhdon të bashkëjetojë me teoritë dhe metodat e reja; dhe bash për këtë vlen ajo çka thamë pak më parë për orvatjet e bëra për ta reduktuar vetë psikologjinë në një shkencë sasiore.
Sigurisht që ka diçka më shumë se një çështje fjalori në faktin, shumë domethënës në vetvete, se psikologjia aktuale gjithmonë merr në konsideratë "të nënvetëdijshmen" dhe aspak "të mbivetëdijshmen", e cila logjikisht duhej të ishte korresponduesja e saj; pa kurrfarë dyshimi, kjo është pikërisht shprehja e një shtrirjeje që po vepron vetëm nga poshtë, domethënë nga ajo anë e cila përkon, këtu në qenien njerëzore si kudo gjetkë në mjedisin kozmik, me “të çarat" nëpër të cilat depërtojnë influencat më "keqndikuese” të botës së errët, madje mund të themi ato që kanë një natyrë vërtet dhe literalisht "të skëterrshme" [145]. Gjithashtu, disa adaptojnë, si sinonim apo ekuivalent të "të nënvetëdijshmes, termin "e pavetëdijshme", i cili, i marrë në kuptim të fjalëpërfjalshëm, duket se i referohet një niveli edhe më të ulët, por që, me thënë të drejtën, i përgjigjet më pak realitetit; nëse ajo për çka po flasim do të ishte vërtet e pavetëdijshme, vështirë të kuptohet fakti se si mund të flitet për të, dhe sidomos në aspektin psikologjik; për më tepër, për çfarë qëllimi, nëse jo ai i një paragjykimi thjesht materialist apo mekanist, u dashka të pranojmë se ekziston realisht diçka e pavetëdijshme? Sido që të jetë, ajo çka ende vlen të përmendet është iluzioni i çuditshëm me anë të të cilit psikologët arrijnë të marrin në konsideratë disa gjëndje si shumë më të thella ndërkohë që ato janë thjesht të një rendi shumë të ulët; a nuk paskësh aty një farë treguesi të tendencës për të shkuar kundër shpirtësisë, e cila mund të quhet me të vërtetë e thellë, meqë vetëm ajo e arrin parimin dhe vetë qendrën e qenies? Nga ana tjetër, meqë domeni i psikologjisë nuk shtrihet drejt niveleve më të larta, "e mbivetëdijshmja", natyrshëm, mbetet për të plotësisht e huaj dhe e mbyllur si kurrë më parë; kur psikologjisë i ndodh të hasë ndonjë gjë që lidhet me "të mbivetëdijshmen", ajo fare thjesht pretendon ta aneksojë atë duke e asimiluar në "nënvetëdije"; në veçanti, kjo është pak a shumë natyra e pandryshueshme e të ashtuquajturave shpjegime të saj në lidhje me gjëra të tilla si feja, misticizmi, bashkë me disa aspekte të doktrinave lindore si Yoga; dhe, në këtë ngatërresë mes më të lartës dhe më të ultës, ka diçka që mund të konsiderohet njësoj si të përbënte një përmbysje të vërtetë.
Le të theksojmë gjithashtu se, duke i bërë thirrje “të nënvetëdijshmes", psikologjia, po aq sa edhe “filozofia e re”, priret gjithmonë e më shumë t'i bashkohet “metapsikikës” [146]; dhe, në të njëjtën masë, ajo i qaset në mënyrë të pashmangshme, edhe pse ndoshta pa dashur (të paktën në rastin e atyre prej përfaqësuesve të saj të cilët i qëndrojnë vendimit për të mbetur materialistë pavarësisht gjithçkaje), spiritizimit dhe gjërave të tjera pak a shumë të ngjashme, të cilat, në fund të fundit, mbështeten që të gjitha në të njëjtët elementë të errët të psikizmit të ulët. Nëse këto gjëra, origjina dhe natyra e të cilave janë mëse të dyshimta, duken kësisoj si lëvizje "pararendëse” dhe të lidhura me psikologjinë e re, dhe nëse kjo e fundit arrin, qoftë edhe me një rrugë të tërthortë, megjithatë në një mënyrë më të lehtë se ajo e "metapsikikës" e cila është ende e diskutueshme në disa qarqe të fusë elementet në fjalë në domenin aktual të asaj që është pranuar si shkencë "zyrtare", është e vështirë të mendohet se roli i vërtetë i kësaj psikologjie, në gjendjen e tanishme të botës, mund të jetë tjetër veç atij të kontribuimit në mënyrë aktive në fazën e dytë të veprimit antitradicional. Në këtë aspekt, pretendimi i psikologjisë së zakonshme që sapo e vumë në dukje, për të aneksuar, duke i futur forcërisht tek e "nënvetëdijshmja", disa gjëra të cilat nga vetë natyra e tyre i shpëtojnë asaj, ende lidhet, pavarësisht karakterit të saj qartësisht subversiv, vetëm me atë që mund ta quajmë si anë foshnjarake e këtij roli, sepse shpjegimet e këtij lloji, njësoj si shpjegimet "sociologjike" për të njëjtat gjëra, janë, në thelb, të një naiviteti "thjeshtëzues" qe ndonjëherë shkon deri në gomarllëk; por, sido që të jetë, kjo gjë është pakrahasueshmërisht më pak serioze, per sa i përket pasojave te saj të vërteta, sesa ana vërtet "djallëzore" qe do të duhet të shqyrtojmë tani më nga afër në lidhje me psikologjinë e re.
Ky karakter "djallëzor" shfaqet veçanërisht qartë në interpretimet psikanalitike të simbolizmit, ose të asaj që me ose pa të drejtë është konsideruar simbolizëm; e bëjmë këtë vërejtje sepse, në këtë pikë ashtu si në shumë të tjera, nëse do donim të hynim në detaje, shumë dallime do duhej të bëheshin dhe shumë ngatërresa do duhej të largoheshin: kësisoj, vetëm për të marrë një shembull tipik, një vegim, në të cilin shprehet ndonjë frymëzim “mbinjerëzor”, është vërtet simbolik, ndërkohë që një ëndërr e zakonshme nuk është aspak e tillë, cilado qoftë paraqitja e saj e jashtme. Është e vetëkuptueshme se psikologët e shkollave të mëhershme gjithashtu ishin përpjekur mëse një herë të shpjegonin simbolizmin, sipas mënyrës së tyre, dhe ta sillnin atë brenda kornizës së konceptimeve të tyre; në çdo rast të tillë, nëse bëhet vërtet fjalë për simbolizëm, këto shpjegime nga elementë kullueshmërisht njerëzorë, si kudo gjektë ku kemi të bëjmë me gjëra të rendit tradicional, e shpërfillin çdo gjë që përbën gjithë thelbin e tij; nëse, përkundrazi, me të vërtetë bëhet fjalë vetëm për gjëra njerëzore, atëherë nuk është tjetër veçse një simbolizëm i rremë, por vetë fakti i përcaktimit të tij në këtë mënyrë zbulon edhe një herë të njëjtin gabim mbi natyrën e vërtetë të simbolizmit. Kjo vlen njësoj edhe për konsideratat pas të cilave psikanalistët jepen së tepërmi, por me ndryshimin se në rastin e tyre gjërat që lypset të merren vërtet parasysh nuk janë thjesht njerëzore, porse, në një masë të konsiderueshme, edhe "nën-njerëzore"; pra, këtë herë përballemi jo më me një ulje në shkallë, porse me një përmbysje totale; dhe çdo përmbysje, edhe nëse, në mënyrë të menjëhershme, ndodh vetëm për shkak të moskuptimit dhe paditurisë (elementë këto që janë më të përshtatshmit për t'u shfrytëzuar për një përdorim të tillë), në vetvete, është gjithmonë bash "djallëzore". Për më tepër, karakteri përgjithësisht i pahijshëm dhe i neveritshëm i interpretimeve psikanalitike përbën, në këtë aspekt, një "shenjë" plotësisht të besueshme; dhe ajo që vazhdon të jetë veçanërisht domethënëse në këndvështrimin tonë është se, siç e kemi treguar diku gjetkë [147] po kjo "shenjë" gjendet pikërisht edhe në disa manifestime spiritiste; do të duhej me siguri shumë vullnet i mirë, për të mos thënë një vullnet plotësisht i verbër, për të mos parë këtu kurrgjë tjetër përveç një "rastësie" të thjeshtë. Psikanalistët, në mënyrë të natyrshme, në shumicën e rasteve, mund të jenë po aq të pavetëdijshëm sa spiritistët mbi atë që përfshihet realisht në këtë çështje; por, si të parët ashtu edhe të dytët duket sikur janë njësoj "të udhëhequr" nga një vullnet subversiv që përdor në të dyja rastet elemente të të njëjtit rend, në mos bash identik, vullnet i cili, cilatdo qofshin qeniet në të cilat është mishëruar, është sigurisht mjaft i vetëdijshëm tek këto të fundit, dhe u përgjigjet synimeve të cilat pa dyshim janë shumë të ndryshme nga çdo gjë që mund të imagjinohet nga ata që nuk janë veçse instrumente të pavetëdijshëm, nepërmjet të cilëve këto synime shndërrohen në veprim.
Në këto kushte, është mëse e qartë se përdorimi parësor i psikanalizës, që është zbatimi i saj terapeutik, mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm për ata që i nënshtrohen asaj, madje edhe për ata që e ushtrojnë, sepse këto gjëra nuk mund t'i përdorim kurrë pa u dëmtuar; nuk do të ishte aspak ekzagjerim po të hasnim aty një nga mjetet e vëna posaçërisht në zbatim për të rritur sa më shumë çekuilibrin e botës moderne dhe për ta shpënë atë drejt shpërbërjes përfundimtare [148]. Nuk kemi asnjë dyshim se ata të cilët i praktikojnë këto metoda janë, përkundrazi, të bindur mbi dobinë e rezultateve të tyre; por pikërisht falë këtij iluzioni është bërë e mundur edhe përhapja e tyre, dhe bash aty mund të shohim dallimin e vërtetë që ekziston mes synimeve të këtyre "praktikuesve" dhe vullnetit që kryeson punën në të cilën ata nuk janë veçse bashkëpunëtorë të verbër. Në të vërtetë, i vetmi efekt i psikanalizës nuk është veçse nxjerrja në sipërfaqe, duke e bërë atë plotësisht të vetëdijshme, e të gjithë përmbajtjes së këtyre "thellësive" të qenies, të cilat formojnë atë që quhet pikërisht “nënvetëdije”; kjo qenie, ndër të tjera, për hipotezë është tanimë psiqikisht e dobët, meqë, nëse do të qe ndryshe, ajo nuk do ta ndjente aspak nevojën për t'iu drejtuar një trajtimi të tillë; pra, ajo është shumë më pak e aftë për t'i rezistuar kësaj “përmbysjeje”, dhe ka fort të ngjarë të fundoset pakthyeshmërisht në këtë kaos të forcave të skëterrta të çliruara në mënyrë aq të pakujdesshme; megjithatë, nëse ajo arrin t'i shpëtojë kësaj gjendjeje pavarësisht gjithçkaje, minimalisht do t'i mbeten, përgjatë gjithë jetës së vet, disa gjurmë që do të jenë në të si "njolla" të pashlyeshme. E dimë fare mirë atë që disa mund të kundërshtojnë këtu duke sjellë një ngjashmëri me "zbritjen në Ferr", siç e hasim në fazat përgatitore të procesit iniciues; por një krahasim i tillë është tërësisht i gabuar, sepse të dy qëllimet nuk kanë asgjë të përbashkët, madje as kushtet e "subjektit" në të dyja rastet; mund të flitet vetëm për një lloj parodie profane, dhe mjafton vetëm kjo ide për t'i dhënë çështjes në fjalë një karakter "falsifikimi" mjaft shqetësues. E vërteta është se kjo e ashtuquajtur "zbritje në ferr", e cila nuk pasohet nga asnjë "ringjitje", është thjesht një "rënie në llucë", sipas simbolizmit të përdorur në disa Mistere antike; e dimë se kjo "llucë (baltovinë)" kishte veçanërisht figurimin e saj në rrugën që të çonte në Eleusis, dhe ata të cilët binin dhe ngecnin në të ishin njerëz profanë qe pretendonin drejt inicimit pa qenë të kualifikuar për ta marrë atë, dhe të cilët nuk ishin veçse viktima të pamaturisë së tyre. Do të shtojmë vetëm faktin se ekzistojnë në të vërtetë të tilla "baltovina" si në rendin makrokozmik ashtu edhe në rendin mikrokozmik; kjo gjë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjen e "skëterrave të jashtme" [149], dhe mund të kujtojmë, në këtë aspekt, disa tekste ungjillore, kuptimi i të cilave përputhet saktësisht me atë që sapo treguam. Në "zbritjen në ferr", qenia përfundimisht i shter disa mundësi më të ulëta që të mund të ringrihet më pas në stadet më të larta; në "rënien në llucë", mundësitë më të ulëta, përkundrazi, e pushtojnë atë, e dominojnë dhe përfundojnë duke e përpirë plotësisht.
Sapo folëm këtu edhe një herë për "falsifikim"; kjo përshtypje është përforcuar së tepërmi nga të tjera konstatime, si ai i shtrembërimit të simboleve të përmendura pak më parë, shtrembërim që ndër të tjera tenton të shtrihet në gjithçka që përbën kryesisht elementë të një rendi "mbinjerëzor", ashtu siç e tregon qëndrimi i mbajtur ndaj fesë [150], madje edhe ndaj disa doktrinave të rendit metafizik dhe iniciues si Yoga, të cilat nuk i shpëtojnë këtij lloji të ri interpretimi, deri në atë pikë sa disa shkojnë deri aty sa i krahasojnë metodat e tyre të "realizimit" shpirtëror me procedimet terapeutike të psikanalizës". Por këtu ka diçka edhe më të keqe se deformimet më vulgare që jane po aq të zakonshme në Perëndim, si ato që dëshirojnë të shohin në po këto metoda të Yogas një lloj "kulture psikike" ose terapeutike të një rendi thjesht fiziologjik, sepse këto të fundit, nga vetë banaliteti i tyre, janë më pak të rrezikshme se ato që paraqiten nën disa aspekte më delikate. Arsyeja pse këto lloje më delikate janë më të rrezikshme nuk është sepse rrezikojnë të joshin mendjet mbi të cilat llojet e tjera më pak delikate nuk kanë asnjë qasje; kjo arsye ekziston vërtet, por ka edhe një tjetër, me një shtrirje shumë më të përgjithshme, e cila është po ajo për të cilën konceptimet materialiste, siç e kemi shpjeguar, janë më pak të rrezikshme se ato që i bëjnë thirrje psikikës së ulët. Sigurisht, qëllimi thjesht shpirtëror, i cili përbën kryesisht Yoga-n si të tillë, dhe pa të cilin vetë përdorimi i kësaj fjale është thjesht dhe vetëm një absurditet, nuk është më pak i njohur si në njërin rast ashtu edhe në rastin tjetër; Yoga, në fakt, nuk është më shumë një terapi psikike sesa një lloj terapie trupore, dhe përdorimet e saj nuk janë në asnjë mënyrë dhe në asnjë shkallë një trajtim për persona të sëmurë apo të çekuilibruar të çfarëdoshëm; shumë larg kësaj, ato, përkundrazi, u drejtohen vetëm disa qenieve të cilat, që të mund të realizojnë zhvillimin shpirtëror, që është e vetmja arsye e ekzistencës së tyre, duhet të jenë sakaq, vetëm për shkak të dispozitave të tyre natyrore, sa më të ekuilibruara që të jetë e mundur; por aty ka rrethana të cilat, siç mund të kuptohet lehtësisht, janë ngushtësisht të lidhura me çeshtjet e cilësimeve iniciuese [151].
Por kjo nuk është e gjitha, madje ka edhe diçka tjetër qe, në lidhje me "falsifikimin", është mbase edhe më e denjë është domosdoshmëria e imponuar, për këdo i cili dëshiron për t'u shënuar se çdo gjë që kemi përmendur deri tani: të "psikanalizohet" ai vetë. Pikësëpari, kjo gjë nënkupton të ushtrojë në mënyrë profesionale psikanalizën, që më parë njohjen e faktit se qenia e cila i është nënshtruar këtij veprimi nuk është më kurrë ashtu siç ishte më parë, apo që, sikurse e thamë më lartë, ajo i lë asaj një gjurmë të pashlyeshme, si inicimi, por le të themi në drejtim të kundërt, meqenëse ajo për çka bëhet fjalë këtu nuk është një zhvillim shpirtëror, por një zhvillim i psikizmit më të ulët. Nga ana tjetër, aty ka një imitim të dukshëm të transmetimit iniciues; por, duke marrë parasysh ndryshimin në natyrën e influencave që ndërhyjnë, dhe duke marrë sidoqoftë parasysh faktin se një rezultat efektiv nuk na lejon që praktika të konsiderohet ndryshe veçse si e reduktuar në një iluzion të thjshtë pa ndonjë rëndësi, ky transmetim do të ishte, në realitet, më tepër i krahasueshëm me atë që praktikohet në një domen si ai i magjisë, madje për më saktë si ai i shtrigërisë. Gjithashtu është edhe një pikë tjetër shumë e errët në lidhje me vetë origjinën e këtij transmetimi: meqë është dukshëm e pamundur t'u japësh të tjerëve atë që nuk e posedon vetë, dhe meqë shpikja e psikanalizës është për më tepër një gjë krejt e re, nga ç'burim i morën psikanalistët më të hershëm "fuqitë" që ua transmetojnë dishepujve të tyre, dhe nga kush "u psikanalizuan" ata vetë asokohe? Kjo pyetje, e cila megjithatë është logjike të shtrohet, së paku për këdo i cili është i aftë për të reflektuar sadopak, me sa duket është e pavend, dhe ka fare pak të ngjarë që do t'i jepet ndonjëherë një përgjigje e kënaqshme; por, me thënë të drejtën, nuk është e nevojshme të shquash, në një transmetim të tillë psikik, një tjetër "shenjë" vërtet të keqe në afritë që ajo krijon: psikanaliza, nga ky këndvështrim, paraqet një ngjashmëri mjaft të frikshme me disa "sakramente të djallit"!
_______
[144] Rasti i vetë Freud-it, themeluesit të "psikanalizës". është mjaft karakteristik nga ky këndvështrim, sepse ai nuk ka reshtur kurrë së shpalluri veten materialist. - Edhe një vërejtje tjetër: përse përfaqësuesit kryesorë të tendencave të reja, si Einstein në fizikë, Bergson në filozofi, Freud në psikologji dhe shumë të tjerë më pak të njohur, janë pothuajse që të gjithë me origjinë hebreje, në mos sepse aty ka diçka që vërtet korrespondon përpikërisht me anën "keqndikuese" dhe shpërbërëse të nomadizmit të devijuar, aspekt i cili dominon pashmangshmërisht tek hebrenjtë e shkëputur nga tradita e tyre?
[145] Lypset të theksohet, lidhur më këtë, se Freudi vendosi, në krye të Traumdeutung-ut të tij, këtë epitaf mjaft domethënës: "Flectere si nequeo superos, Acheronta movedo" (Virgile, Enéide, VII, 312).
[146] Për më tepër, ishte "psikisti" Myers i cili shpiku shprehjen subliminal consciousness, e cila, për efekt shkurtimi, u zëvendësua pak kohë më vonë, në fjalorin psikologjik, me fjalën "subconscient".
[147] Shiko L'Erreus spirite, pjesa e dytë, kap. X.
[148] Një tjetër shembull i këtyre mjeteve na është dhënë nga përdorimi i ngjashëm i "radioestezisë" sepse, në këtë rast, edhe elementet psikikë të së njëjtës cilësi hyjnë në veprim, megjithëse duhet pranuar se ato nuk shfaqen nën pamjen e "shëmtuar" që bie aq shumë në sy në psikanalizë.
[149] Mund t'i referohemi këtu asaj çka treguam pak më lart në lidhje me simbolizmin e "Murit të Madh" dhe të malit Lokaloka.
[150] Freud i kushtoi një libër të veçantë interpretimit psikanalitik të fesë, në të cilin konceptimet e tij janë kombinuar me “totemizmin" e "shkollës sociologjike".
[151] Në një orvatje për të aplikuar disa teori psikanalitike në doktrinën taoiste, e cila ende i përket të njëjtit rend, shiko studimin e André Préau, La Fleur d'or et le Taoïsme sans Tao, i cili është një mospranim i shkëlqyer i kësaj orvatjeje.
Shënim: Theksimet e fjalëve të ndryshme janë tonat. Ato janë bërë për gjetjen më lehtë të argumenteve të ndryshme në artikull.
Burimi: Guénon, René. Mbretërimi i sasisë dhe shenjat e kohës; shqipëroi Verjon Fasho. Shkup, Logos-A, 2024.
Ky artikull publikohet në Trandofilishte për qëllime edukative dhe për afrimin e kulturës së leximit në përgjithsi, ashtu siç përkon me të drejtat paraqitura në libër nga Logos-A.
© Logos-A
Tags: psikologji, psikanalize, psikoanalize, Frojd, Frojdi, Rene Guenon, shkolla tradicionaliste, tradicionalizmi, Jung, perenializem, demet e psikanalizes