Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 11 minuta lexim
Hilje-i Saadet
E dorëshkruar nga Jesarizade Mustafa Izzet Efendiu dhe ndriçuar nga Hysni Efendiu, Stamboll, 1822.
Kuptimi leksikor i fjalës "hilje" është stoli, zbukurim, bukuri fytyre dhe shpirti. Kurse në terminologji është portreti i profetit Muhammed ﷺ i vizatuar në raport me aq sa e lejojnë mundësitë e fjalës njerëzore.
Nahifiu thotë kështu:
"Eshtë jashtë çdo diskutimi se, po qe se dikush shkruan një portret profetik duke i kushtuar kësaj pune një kujdes shumë të madh, Allahu i Lartë e mbron atë nga sëmundjet, shqetësimet dhe vdekja e papritur. Po qe se gjatë një udhëtimi e merr edhe atë me vete, në atë udhëtim ndodhet vazhdimisht nën mbrojtjen e Zotit (xh.xh.)!"
Shumë autorë islam kanë parashtruar mendimet e tyre mbi virtytet dhe vlerat e panumërta të Figurës Profetike. Madje, tradita për ta mësuar përmendësh për mbarësi Figurën Profetike me qëllim për ta parë në ëndërr Profetin ﷺ, vazhdon të veprojë ende në shumë vende islame.
Krahas kësaj, duhet menduar se, duke e përshkruar me fjalë figurën e bekuar të karakterizuar si "dritë mbi dritë" të Profetit, të Dashurit të Allahut ﷺ, duhen llogaritur sa pamjaftueshmëria e fjalëve, aq edhe dobësia absolute në vëzhgimin dhe përceptimin njerëzor të së vërtetës së tij! Sepse është e pamundur të përshkruhet në kuptimin e plotë të fjalës ajo qenie e pashoqe që përmbledh në vetvete të gjitha bukuritë që ia ka favorizuar Zoti njeriut! Me të vërtetë, siç thotë Hakaniu,
Gjithë qeniet e botërave e dinë:
S'ka ardhur i ngjashmi i tij në krijim!
Këto përshkrime që përpiqen ta vizatojnë me fjalë portretin e Profetit tonë ﷺ, të bukurit të të bukurve, i qetësojnë dhe ngushëllojnë qoftë edhe për një çast zemrat që nuk e patën përjetuar periudhën e lumtur profetike, pra, dhe që digjen me mall për këtë. Personat që përcjellin rrëfimet që tregojnë për Profetin ﷺ, na ofrojnë neve pothuajse një pikë nga deti. Dhe besimtarët që përpiqen ta shohin oqeanin në këtë pikë, duke e shtuar dashurinë e tyre për Zotërinë e Botërave, janë përpjekur të përfitojnë nga modeli i bukur i tij, të vishen me cilësitë e portretit dhe moralit të tij të lartë!
Me të vërtetë, siç ia kërkon natyra, zemra e njeriut priret gjithmonë drejt së bukurës, dëshiron dhe kërkon të jetë bashkë me të. Për shkak të kësaj tërheqjeje, mendja e njeriut preokupohet vazhdimisht me të bukurën. Në zemrën e tij lind dëshira për t'i përngjarë njeriut të dashur moralisht dhe shpirtërisht. Si përfundim, duke e marrë për shembull dhe model njeriun e dashur, fillon t'i përngjajë atij në qëndrime, sjellje e veprime. Për shkak të kësaj prirjeje të bashkëlindur, është jashtë çdo diskutimi se figura profetike bëhet pretekst për shtimin dhe forcimin e dashurisë dhe lidhjes ndaj Profetit ﷺ.
Kështu, Hz. Hasani (r.a.), duke e pyetur dajën e tij njerk, Hind bin Ebu Hale për figurën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ka shprehur me këto fjalë gjendjen shpirtërore ku ndodhej:
"Daja im, Hind bin Ebi Hale, e përshkruante shumë bukur portretin e të Dërguarit të Allahut. Për të më mbetur zemra e lidhur pas tij dhe për të mundur të shkoj në gjurmët e tij, më pëlqente shumë që daja të më tregonte vazhdimisht për të Dërguarin e Allahut." (Tirmidhi, Shemail, f. 10)
Hz. Hasani dhe Hz. Hyseni (r.anhuma) që nuk ngopeshin së dëgjuari përshkrimet mbi portretin e Profetit, e patën dëgjuar shumë herë përshkrimin e bukurive të tij fizike, morale e shpirtërore nga i ati i tyre, Hz. Aliu (r.a.) dhe na i kanë përcjellur neve.
Ndërkaq, vallë, sa përqind të së vërtetës së Profetit ﷺ munden ta shprehin portretet e shkruara për të? Pa dyshim, secili mund ta përceptojë dhe konceptojë portretin profetik në raport të drejtë me dashurinë që ka në zemër për Profetin ﷺ dhe brenda përmbajtjes së kufizuar të fjalëve!
Edhe ne, krahas pohimit të dobësisë sonë në këtë fushë, dëshirojmë ta përcjellim si kompliment këtu figurën profetike të reflektuar dhe derdhur si pika vese në zemrën tonë nga rrëfimet që na kanë arritur gjer tek ne. Në rrëfime (rivajete, hadithe) thuhet përmbledhtazi kështu:
Profeti (s.a.s.) ishte shtatmesatar që anonte nga shtatgjatë-
Kishte një krijim jashtëzakonisht të ekuilibruar e një trup të rregullt.
Gjoksin e kishte të gjerë, mes shpatullave kishte hapësirë. Mes dy shpatullave kishte vulën e profetësisë.
Eshtrat dhe nyjet eshtërore i kishte të mëdha.
Trupin e bardhë në rozë si trëndafil, e kishte të ndritshëm e të bukur, më të butë se mëndafshi. Trupin e kishte gjithmonë të pastër dhe me një kundërmim prehës. Edhe sikur të lyhej me erëra, edhe sikur të mos lyhej, aromën e trupit dhe djersës e kishte më të këndshme se erërat më të mira. Kush të tokej me të, gjatë gjithë ditës kënaqej me aromën e këndshme që i linte ai. Dukej sikur trëndafili e kishte marrë aromën prej tij! Po t'ia fërkonte kokën një fëmije, ai fëmijë dallohej prej aromës së mirë që i kishin lënë duart e tij.
Kur Profeti ﷺ djersitej, djersa mbi trupin e tij të kujtonte vesën mbi petalet e trëndafilit.
Mjekrën e kishte të kthjellët. Kur e zgjaste, e zgjaste jo më shumë se një dorë. Kur Profeti ﷺ vdiq, në flokë dhe në mjekër nuk kishte më shumë se njëzet thinja.
Vetullat i kishte të harkuara si hënë dhe larg njëra-tjetrës.
Mes vetullave i ndodhej një damar që i fryhej kur zemërohej për të Vërtetën.
Dhëmbët që i kishte si margaritarë, i pastronte vazhdimisht me misvak, gjë që ua këshillonte edhe të tjerëve.
Qerpikët i kishte të zinj e të gjatë. Sytë i kishte të mëdhenj me të bardhën krejt të bardhë e të zezën, krejt të zezë. Dukej sikur një dorë ia kishte lyer sytë qysh para se të vinte në këtë botë!
Ashtu siç e kishte të pashoqe përkryerjen e shpirtit, e kishte të pashoqe edhe bukurinë e trupit. [170]
Fytyra i ndrinte si hënë e plotë. Hz. Aisheja (r.anha) thoshte:
"Fytyra e të Dërguarit të Allahut lëshonte aq shumë dritë, saqë në errësirën e natës e shkoja perin në gjilpërë nën ndriçimin e fytyrës së tij!"
Mes kockave të shpatullave kishte një shenjë hyjnore mbi profetësinë e tij. Shumë sahabë, shokë të tij, jetonin me pasionin për t'ia puthur atë shenjë. Fakti që në momentet e fundit para vdekjes kjo shenjë shkoi në botën e fshehtë, u zhduk, paralajmëroi kalimin e afërt edhe të tij për në atë botë. [171]
Meqë trupi i tij i bekuar qe prej nuri, prej drite, me vdekjen nuk i pësoi asnjë ndryshim. Duke hedhur sytë i hidhëruar, i dëshpëruar, i prekur, me zemrën dhe sytë të përlotur mbi "Dritën e Qenies", Hz. Ebu Bekri (r.a.) tha:
"Si jetën, edhe vdekjen të bukur e pate, o i Dërguari i Allahut!..."
Dhe i vuri buzët në ballin e bekuar!
Thellësia e delikatesës ndjesore të të Dërguarit të Allahut ﷺ është e pamundur të përshkruhet.
Profeti ﷺ nuk thoshte fjalë të kota; çdo fjalë e tij ishte këshillë e urtësi. Ai kurrë nuk merrej me thashetheme. Secilit i fliste me aq sa kuptonte.
Ishte i butë, i matur e modest. Ai nuk e tepronte në të qeshur, nuk qeshte me të madhe. Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur.
Njeriun që e shihte atë pa pritë e pa kujtuar, e rrethonte një ndjenjë frike. Njeriu që krijonte afërsi dhe kuvendonte me të, lidhej pas tij me një dashuri të thellë.
Ai i respektonte njerëzit e çmuar e të virtytshëm sipas nivelit të tyre. Të afërmve u bënte vizita dhe dhurata. Siç sillej bukur me njerëzit e familjes dhe shokët, edhe njerëzit e tjerë i trajtonte shoqërisht dhe bujarisht dhe thoshte:
"Asnjëri prej jush nuk do të bëheni dot besimtarë të përkryer gjersa të mos dëshironi për vëllain besimtar atë që dëshironi për vete!" (Buhari, Iman, 7; Muslim, Iman, 71-72)
Shërbëtorët i trajtonte këndshëm. I ushqente dhe i vishte ata siç ushqehej e vishej vetë. Bujar, dhurues, i dhembshur e mëshirues, Profeti ﷺ tregohej i guximshëm kur duhej dhe i urtë, kur duhej.
Profeti ﷺ ishte i palëkundur në betim dhe premtim dhe i besës në fjalë. Me moralin e tij të bukur, mençurinë dhe zgjuarësinë e tij, Profeti ﷺ qëndronte mbi çdo njeri tjetër dhe ishte i denjë për çdo lavdërim! Ai kishte një pamje të bukur, një botë shpirtërore të përsosur dhe një trup me krijim të pashoq.
Profeti ﷺ ishte vazhdimisht i mendueshëm. Ai nuk fliste pa nevojë. Heshtja e tij vazhdonte gjatë. Kur fillonte një fjalë, e përfundonte pa e lënë përgjysmë. Shumë ide e kuptime i përmblidhte në pak fjalë e pastaj i thoshte. Fjalët i kishte të dallueshme nga njëra-tjetra. As të shumta e as të pakta, as më shumë e as më pak se duhej. Megjithëse kishte natyrë të butë si krijim, ishte mjaft serioz dhe i paraqitshëm.
Kur Profeti ﷺ zemërohej, nuk ngrihej nga vendi. Nuk zemërohej veçse kur kundërshtohej e vërteta, kur shkeleshin e drejta dhe e vërteta. Zemërohej kur shkelej një e drejtë që mund të mos i binte në sy askujt dhe vazhdonte të ishte i zemëruar gjersa e drejta të vihej në vend. Pastaj qetësohej. Kurrë nuk zemërohej për veten. Nuk merrej me mbrojtjen e vetes, me askënd nuk hynte në debat.
Profeti ﷺ nuk i hynte askujt në shtëpi pa i marrë leje. Edhe kur hynte në shtëpi të vet, kohën sa do të qëndronte aty, e ndante në tri pjesë: njërën, për Allahun; tjetrën, për familjen; të tretën, për veten. Kohën e ndarë për vete, prapë të tjerëve ua kushtonte, asnjë nuk nënvleftësonte, ua fitonte zemrat të gjithëve.
Çdo qëndrim dhe lëvizje e të Dërguarit të Allahut ﷺ shoqërohej me përmendjen e Allahut.
Për të parandaluar që qëndrimi në të njëjtin vend të shndërrohej në zakon, Profeti ﷺ ulej në të gjitha pjesët apo skajet e faltores. Ai nuk e dëshironte që vendeve dhe posteve t'u atribuohej shenjtëri si dhe që në faltore të mburrej një qëndrim i caktuar. Kur hynte në ndonjë kuvend, ulej ku të kishte vend të lirë dhe kështu dëshironte të bënin të gjithë.
Po qe se një njeri kushdo i kërkonte diçka për të plotësuar një nevojë të vet, Profeti ﷺ nuk gjente qetësi gjersa t'ia jepte, pavarësisht nëse gjëja që i kërkohej ishte e rëndësishme apo jo. Dhe, kur s'kishte asnjë mundësi, përpiqej t'ia fitonte zemrën me fjalë të mira. Ai ishte pjesëtar i hallit të secilit. Pavarësisht nga shkalla shoqërore, pasurore e diturore, të gjithë njerëzit para tij trajtoheshin të barabartë me dinjitetin e tyre si njeri! Të gjitha kuvendet e tij ishin mjedise ku vepronin gjithmonë dhe sundonin butësia, dituria, edukata, durimi, siguria dhe amaneti.
Profeti ﷺ askënd nuk e dënonte për të metat dhe gabimet. Kur dilte nevoja e tërheqjes së vëmendjes dhe qortimit, e bënte këtë me një nënkuptim të hollë për të mos e ulur personin. Ai porosiste:
"Mos e prit me gëzim fatkeqësinë ku ka rënë vëllai musliman! Allahu i Lartë, me mëshirën e Tij, e shpëton atë nga fatkeqësia, kurse ty të vë në provë!" (Tirmidhi, Kiamet, 54)
Jo vetëm që s'u muar kurrë me të metat dhe gabimet e pashfaqura të të tjerëve, por dhe e ndalonte me forcë hetimin e tyre. Në fakt, pandehma dhe hetimi mbi të tjerët ishin ndaluar me urdhra hyjnorë.
Profeti ﷺ nuk bisedonte për çështje të tjera veç atyre prej të cilave priste të mirë. Kuvendet e tij ishin shumë emocionante. Kur fliste ai, të pranishmit magjepseshin aq shumë sa, siç shprehej Hz. Osmani (r.a.), po t'u vihej mbi kokë një zog, mund të qëndronte aty pa u shqetësuar me orë të tëra! Edukata e reflektuar prej tij te sahabet, shokët e tij, ishte e tillë që ata kërkonin guxim edhe për t'i drejtuar pyetje dhe, edhe sikur të vinte një beduin nga shkretëtira për të biseduar me Profetin, ata prisnin aty duke menduar të përfitonin nga fryma e tij shpirtërore e mëshirës! [172]
Madje kishte të tillë që, nga drojtja prej impresionimit para tij, prisnin dy vjet gjersa t'i bënin një pyetje! Për shkak të impresionimit, nuk e shihnin dot drejt në fytyrën e tij të bekuar!
Amr bin As (r.a.) ka thënë kështu:
"Jam ndodhur për një kohë të gjatë bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), por për shkak të ndjenjës së turpit që kam ndjerë në prani të tij dhe të ndjenjës së impresionimit para tij, nuk e kam ngritur dot kokën për t'ia soditur gjersa të ngopesha fytyrën e tij të bukur e të bekuar! Po qe se sot do të më kërkonin t'ua përshkruaja të Dërguarin e Allahut e t'u flisja për të, më besoni se nuk do të mundesha!" (Muslim, Iman, 192; Ahmed, IV, 199)
Dikush që do të dëshironte të tregonte për tiparet dhe virtytet e tij të larta, nuk bënte dot pa thënë: "As më parë e as më pas, unë kurrë nuk kam parë dikë që t'i shembëllejë atij!" [173]
Një ditë, Halid bin Velidi (r.a.) kishte shkuar te njëri nga fiset arabe dhe atje, kryetari i fisit i kishte thënë:
"O Halid, na e përshkruaj figurën dhe portretin e të Dërguarit të Allahut!"
"Eshtë e pamundur, fjalët s'mjaftojnë për këtë!" - I ishte për-gjigjur Halidi (r.a.).
"Atëherë, të paktën na bëj një përmbledhje me aq sa ta lejon njohja dhe përfytyrimi!" - I kishte thënë arabi.
Dhe Halidi (r.a.) i kishte dhënë këtë përgjigje:
"Po të them vetëm kaq që i dërguari i përshtatet dërguesit. Meqë dërguesi është Krijuesi i Gjithësisë, eja përfytyroje dhe përshkruaje ti madhështinë e të dërguarit!" (Munavi, V, 92; Kastalani, Mevâhib-i Ledünniyye Tercümesi, f. 417)
Bukuria, madhështia, dritësia dhe delikatesa ishin në një gradë të tillë tek ai, saqë s'kishte nevojë për ndonjë mrekulli apo provë tjetër për të vërtetuar se ai ishte i dërguari i Allahut!
Shkurt, morali i tij ishte Kur'ani. Këtë, Mualim Naxhiu e ka shprehur kështu:
E sheh njeriu Kur'anin e bukur e bëhet admiruesi yt;
I shkruar me dorën hyjnore është Kur'ani portreti yt!
Edhe Hz. Halid Bagdati e shpreh kështu se morali i lavdërueshëm i të Dërguarit të Allahut i emocionon të gjitha qeniet:
"Ç'bujar i bukur është ai, në sajë të qenies që shpërthen bujari të të cilit, nga deti del margaritar, nga guri i fortë del smerald dhe nga gjembi, trëndafil! Po qe se në lulishte flitet për moralin e tij të bukur, nuk mund të shohësh një gonxhe që të mos e hapë gojën e të qeshë nga gëzimi, domethënë, një gonxhe që të mos hapë fletë!" (Divan, f. 65-66)
Tek i Dërguari i Allahut ﷺ qenë mbledhur të gjitha bukuritë. Nga trupi i tij pothuajse shpërndahej dritë. Ndërkaq, askush nuk e ka dalluar dot të Dërguarin e Allahut ﷺ me të gjitha bukuritë. Kështu, Imam Kurtubi thotë:
"Bukuria e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk është shfaqur plotësisht. Po qe se do të shfaqeshin e do të dukeshin të gjitha bukuritë dhe të vërtetat e tij, sahabët nuk do të kishin fuqi për ta vështruar!" (Ali Yardım, Peygamberimiz'in Şemaili, f. 49)
Poeti i të Dërguarit të Allahut ﷺ, Hassan bin Thabit (r.a.), e derdh kështu në vargje pangjashmërinë e tij në krijim:
Dhe asnjë sy s'ka parë më të bukur se ti,
Dhe asnjë nënë s'ka lindur më të bukur se ti;
Ti je krijuar i pastër nga çdo e metë,
Sikur Krijuesi të ka krijuar siç ke dashur vetë ti!
_________
[170]. Shih. Hakim III, 10; Ahmed, I, 89, 96, 117, 127; IV, 309; Ibni Sa'd, I, 376, 412, 420-423; II, 272; Ibni Kethir, el-Bidaye, VI, 31-33; Tirmidhi, Shemail, f. 15.
[171]. Tirmidhi, Shemail, f. 15; Ibni Sa’d, II, 272.
[172] Ibni Sa'd, I, 121, 365, 422-425; Hejsemi, IX, 13.
[173] Ahmed, I, 96.
Burimi: Topbash, Osman Nuri. Hazret-i Muhammed Mustafâ (I). Përkth. Mithat Hoxha, Progresi sh.p.k., 2007 (fq. 188-196)