Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 11 minuta lexim
"Hana para Plejadave", shkrepur nga Alan Dyer
Nëse imani ish gjindë afër Plejadave, atëherë disa trima prej popullit të këtij
[Selman Farisiut nga Persia] e kishin mbërri atë.
— Hazreti pejgamberi ﷺ
Skllav i një çifuti medinas, Selman Farisiu (Zoti qoftë në razi me të), ia ka treguar kështu Hz. Ibni Abbasit historinë e tij plot pësime mësimdhënëse të pajisjes me dhuntinë e Islamit:
“Unë isha dikushi që jetoja në fshatin e quajtur Xhejj të Isfahanit. Im atë ishte nga parësia e fshatit. Unë isha njeriu që donte më shumë në jetë. Për shkak të kësaj dashurie të tepërt, kurrë nuk më ndante nga vetja, më mbante vazhdimisht në shtëpi si vajzë, nuk më nxirrte jashtë. Ndërkaq, unë e kisha dhënë aq shumë veten pas adhurimit të zjarrit që ishte feja e tim eti, saqë kisha marrë përsipër ta ndizja vetë zjarrin dhe ta ruaja zjarrin e tempullit që të mos shuhej. Unë s’mund të lejoja që zjarri i tempullit të shuhej qoftë edhe për një çast të vetëm! Im atë kishte një çiflig të madh. Një ditë, im atë po merrej me punë ndërtimi. Prandaj më tha:
“O bir, unë sot do të merrem vetëm me punë ndërtimi, prandaj nuk do të shkoj dot në çiflik. Ti shko atje!” Më tregoi punët që duhej të bëja dhe, në fund, më porositi: “Kujdes, mos u vono dhe mos më bëj të shqetësohem! Po qe se vonohesh, do të bëhem merak dhe të gjitha punët do të më mbeten përgjysmë!” Dola në rrugë për të shkuar në çiflig. Në rrugë e sipër hasa në një kishë. Nga brenda dëgjova zëra, gjë që tregonte se po bënin rite. Meqë im atë më kishte mbajtur vazhdimisht në shtëpi unë i njihja pak njerëzit dhe punët e tyre. Prandaj u bëra kureshtar dhe hyra brenda për të parë se ç’po bënin. I pashë ritet e tyre dhe thashë me vete se feja e tyre ishte më e mirë se feja jonë. Nuk u largova që aty gjersa perëndoi dielli duke mbetur pa shkuar fare në çiflig.
I pyeta njerëzit:
“Ku është baza e kësaj feje?”
“Në Siri!” - Më thanë.
Në mbrëmje u ktheva në shtëpi. Im atë e kishte pasë lënë punën dhe ishte vënë të më kërkonte gjer në mbrëmje. Kur arrita në shtëpi, më pyeti:
“Ku ishe, o bir? A nuk të thashë unë se ç’duhej të bëje?”
Unë iu përgjigja:
“O im atë! Rastisa në disa njerëz që faleshin në kishë. E pashë se ç’bënin dhe më pëlqeu shumë. Nuk u largova prej tyre gjersa perëndoi dielli.”
Im atë më tha:
“O bir, në atë fe nuk ka mbarësi. Feja jote dhe e etërve të tu është më e mbarë e më e dobishme!” Dhe, duke pasur frikë se mos ikja, më lidhi në këmbë një prangë dhe më burgosi në shtëpi. Njerëzve të kishës u dërgova me një njeri këtë lajm:
“Kur tek ju të vijë ndonjë karvan nga Siria, më lajmëroni!”
Kur erdhën tregtarë krishterë nga Siria, më lajmëruan. E nxora prangën dhe e hodha dhe u nisa me ta për në Siri. Pastaj, kur arrita në Damask, pyeta:
“Kush është fetari më i shquar në dituri?” “Peshkopi te kisha!” - Më thanë. Unë shkova tek ai dhe i thashë:
“Unë dua të hyj në këtë fe, të rri pranë teje, të shërbej në kishë, ta mësoj krishterimin prej teje dhe të bëj adhurim bashkë me ty!”
“Hyr në kishë!” - Më tha ai.
Hyra në kishë së bashku me të. Peshkopi i Damaskut kishte qenë njeri i keq. I urdhëronte krishterët të jepnin lëmosha, i grumbullonte për vete ato që i sillnin, kurse të varfërve s’u jepte asgjë. Kështu, kishte mbushur shtatë qypa plot me ar e argjend! Kur e shihja ç’bënte, e urreja jashtëzakonisht. Më në fund, ai vdiq. Krishterët u mblodhën për ta parë. Unë u thashë:
“Ky ishte njeri i keq! Ju urdhëronte dhe ju nxiste të jepnit lëmoshë, por ato i mblidhte për vete, kurse të varfërve s’u jepte asgjë!”
“Ku e di ti?” - Më thanë ata.
“Po jua tregoj thesarin e tij!” - U thashë.
Dhe u nxora atyre nga vendi i fshehur shtatë qypat me ar dhe argjend. Kur i panë, thanë:
“Për Zotin, kurrë s’kemi për ta varrosur këtë njeri!”
Pastaj kufomën e tij e varën dhe e zunë me gurë. Në vend të tij, në kishë prunë një prift tjetër. S’kisha parë krishter më të virtytshëm, që të mos e vlerësonte fare këtë botë, që interesohej vetëm për shpirtin dhe botën tjetër, që falej ditë e natë. Pastaj ky njeri ra në shtratin e vdekjes. Unë i thashë:
“O filan, unë kam qëndruar pranë teje dhe askënd s’ka dashur para teje sa ç’të desha ty! Ti po e sheh se të ka ardhur urdhri i Zotit! Ç’më porosit të bëj, ku të shkoj?”
“O bir, - ma ktheu ai. - Sot unë nuk njoh njeri që të shkojë në rrugën time. Njerëzit e mirë vdiqën e shkuan. Edhe ata që rrojnë, i ndryshuan rregullat e fesë të praktikuara qysh në fillim të herës, dhe shumicën e braktisën. Vetëm në Musul është dikush që ecën në rrugën time. Shko tek ai!”
Pasi vdiq ky njeri i nderuar, shkova te miku i tij në Musul. Pas vdekjes së tij, sipas porosisë së tij, shkova te miku i tij në Nusajbin dhe pastaj tek personi në Ammurije. Në Ammurije fitova pak a shumë. Madje, m’u bënë ca lopë e ca të imta. Më në fund, edhe njeriut në Ammurije ia behu vdekja dhe ai më porositi:
“O bir! Për Zotin, sot nuk njoh asnjë njeri në botë që të na përshtatet neve, pra që të të them të shkosh tek ai! Ndërkaq, koha e ardhjes së pejgamberit të kohës së fundit është afruar shumë, hija e tij na ka rënë sipër. Ai pejgamber do të dërgohet sipas fesë së Ibrahimit. Ai do të shfaqet në tokat arabe dhe pastaj do të emigrojë në një vend me hurma që ndodhet mes dy guroresh. Ai do të hajë nga dhurata e jo nga lëmosha. Mes dy shpatullave do të ketë vulën e profetësisë. Po qe se ke fuqi të shkosh në ato vende, shko, nisu menjëherë!
Më në fund, edhe ai vdiq. Unë qëndrova aty edhe për një farë kohe sa ç’deshi Zoti. Pastaj u takova me tregtarë nga fisi Kelb. Atyre u thashë:
“Më çoni në vendin e Arabisë dhe unë do t’ju jap si shpërblim këto lopë dhe të imta. Ata pranuan. Ua dhashë dhe më morën me vete. Kur arritëm në Vadil Kura, më tradhtuan dhe më shitën si skllav te një çifut. Unë qëndrova për një kohë te çifuti. Kur pashë hurmat në Vadil Kura, m’u kujtua ç’më kishte thënë zotëria im mbi Ammarijen ku do të shfaqej profeti i fundit dhe, megjithëse më lindi një shpresë, prapëseprapë nuk m’u kriua një bindje e plotë.
Kur ndodhesha në Vadil Kura, erdhi biri i të ungjit të tim zoti nga të Bijtë Kurajdha, më bleu dhe më çoi në Medinë. Për Zotin, sa e pashë Medinën, e kuptova se ai ishte vendi ku do të emigronte profeti i kohës së fundit. Më së fundi, u vendosa në Medinë. Mirëpo, ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte dërguar si Profet dhe, pasi kishte qëndruar disa kohë në Mekë, kishte emigruar në Medinë, kurse unë, si skllav që isha, s’kisha marrë vesh asgjë. Një ditë, unë kisha hipur në një hurmë, kurse im zot po rrinte nën hije. Aty erdhi biri i të ungjit dhe i tha tim zoti:
“Allahu u dhëntë belanë të bijve Kajle (fiseve Evs dhe Hazrexh)! Ata janë mbledhur në fshatin Kuba rreth një personi që ka ardhur nga Meka dhe i thotë vetes pejgamber!”
Sapo e dëgjova këtë, më kapi një e dridhur e tillë që më dukej sikur do të rrëzohesha e bija mbi tim zot!
Zbrita menjëherë nga pema duke e pyetur të ardhurin: “Çfarë the? Çfarë the?” Im zot u nxeh me mua, më dha një shuplakë të fortë dhe më tha:
“Ç’të duhet ty? Ti shih punën tënde!”
“Jo, s’më duhet gjë, por vetëm desha të kuptoja ç’tha ai!” - Iu përgjigja unë.
Pranë kisha pak fruta që kisha mbledhur. Sapo u bë natë, i mora ato dhe shkova në Kuba ku ndodhej i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë:
“Dëgjova se je njeri i mirë. Dhe pranë paske shokë të varfër e nevojtarë! Me vete kisha ca gjëra të veçuara si sadaka. Kur e mësova gjendjen tuaj, m’u duk se ju e meritonit këtë!
Dhe ia dhashë të ngrënat. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha shokëve:
“Merrini dhe hajini!” Kurse vetë nuk hëngri. Unë thashë me vete:
“Kjo, një!”
Pastaj u largova dhe shkova në vendin tim. Mblodha prapë disa të ngrëna. Në atë mes, i Dërguari i Allahut ndodhej në Medinë. Kur arrita tek ai, i thashë:
“Pashë se ti s’hëngre nga sadakaja. Kjo është një dhuratë që e përgatita për ty!”
I Dërguari i Allahut ﷺ hëngri prej tyre dhe u dha edhe shokëve për të ngrënë. Unë thashë me vete:
“Kjo, dy!”
Më pas, kur Profeti ndodhej në Bakiu’l-Garkad, i shkova pranë. Atje kishte shkuar me rastin e vdekjes së një shoku dhe po rrinte mes shokëve të tjerë. Mbi trup kishte dy ihrame që e mbulonin krejtësisht. I dhashë selam. Pastaj, i kalova pas me mendimin për t’ia parë vulën e profetësisë që ma pati përshkruar njeriu në Ammurije. I Dërguari i Allahut ﷺ ma kuptoi qëllimin dhe e uli rrobën nga shpatullat. Sapo ia pashë vulën e profetësisë, e njoha. Iu hodha sipër, e putha dhe nisa të qaja. Zotëria i Botëve më tha:
“Kthehu nga kjo anë!”
Dhe unë u ktheva dhe iu ula përballë. Më pas, Selmani (Zoti qoftë në razi me të) i tha kështu Hz. Ibni Abbasit:
“O Ibni Abbas! Ashtu siç t’i tregova ty ç’më kishin ndodhur, ia tregova edhe të Dërguarit të Allahut. Fakti që historinë time e dëgjuan edhe sahabet, i pëlqeu shumë të Dërguarit të Allahut. Ndërkaq, skllavëria nuk më dha mundësi të merrja pjesë në luftërat e Bedrit dhe Uhudit.” (Ahmed, V, 441-444; Ibni Hisham, I, 233-242; Ibni Sa’d, IV, 75-80)
Më në fund, Selmani (Zoti qoftë në razi me të) e kishte gjetur të Dërguarin e Allahut që e kishte kërkuar gjithë jetën. Tashmë, dëshira e tij e vetme ishte të ndodhej gjithmonë pranë tij, nën urdhrat e tij! Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ që e vinte re këtë dëshirë të Selmanit (Zoti qoftë në razi me të), një ditë i tha:
“O Selman! Po sikur të bësh marrëveshje me tët zot për të shpëtuar nga skllavëria?”
Atëherë, Selmani (Zoti qoftë në razi me të) u muar vesh me të zotin t’i jepte lirinë me kusht që të mbillte për llogari të tij treqind fidana hurme duke i hapur edhe gropat vetë, si dhe t’i jepte dyzet ukijje [1]. Edhe Profeti ﷺ u tha sahabeve:
“Ndihmojeni vëllain!”
Sahabet e ndihmuan duke i dhënë dikush dhjetë, dikush pesëmbëdhjetë, dikush njëzet fidana, sipas mundësive, dhe Selmani ﷺ i mblodhi treqind fidanat për të cilat kishte nevojë. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
“O Selman! Hap gropa për fidanat! Kur t’i kesh mbaruar së hapuri gropat, më lajmëro që të vij e t’i mbjell vetë me duart e mia!”
Selman Farisiu (Zoti qoftë në razi me të) e tregon kështu vazhdimin e ngjarjes:
“Fillova të gërmoj gropa për fidanat e hurmave. Edhe shokët më ndihmuan. Kur mbarova, e lajmërova të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili erdhi bashkë me mua te vendi i mbjelljes. Ne ia jepnim fidanat, kurse ai i mbillte. Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se asnjë nga fidanat e mbjellë nga i Dërguari i Allahut, s’mbeti pa zënë. Kështu, e pagova borxhin e fidanave. Një vit më vonë, fidanat dhanë prodhim dhe frutat e tyre u hëngrën.
I Dërguari i Allahut ﷺ kishte sjellë nga një fushatë një copë metali përzjerë me flori sa një vezë pule. Ai pyeti:
“Ç’bëri Selmani?”
Kur shkova tek ai, më tha:
“O Selman, merre këtë dhe paguaje borxhin!”
“O i Dërguari i Allahut, si mund të mjaftojë kjo copë floriri për t'i paguar gjithë ato borxhe që kam?” - I thashë unë. I Dërguari i Allahut ﷺ, pasi e mori në dorë copën e floririt dhe e lëpiu me gjuhë, më tha:
“Merre këtë! Allahu i Lartë ka për të ta paguar borxhin me këtë!”
E mora floririn dhe ia dhashë marrësit duke ia peshuar copa-copa. Betohem në Allahun që ka jetën e Selmanit në dorë, se nga ajo copë floriri peshova dyzet ukijje. Ajo u bë aq e begatë sa, edhe sikur të matej me malin e Uhudit, do të vinte më e rëndë se ai!”
Pasi shpëtoi nga skllavëria, Selmani (Zoti qoftë në razi me të) mori pjesë në luftën e Hendekut si njeri i lirë dhe pas saj kurrë nuk e humbi rastin për të qenë në çdo betejë gjithmonë pranë Profetit! [2] Selman Farisiu (Zoti qoftë në razi me të) u shndërrua me, të gjitha karakteristikat, në një personalitet model aq të bukur dhe në një individ tërheqës të tillë, që edhe ensarët, edhe muhaxhirët thoshin për të duke e dashur secili për vete:
“Selmani është yni!”
Atëherë, Profeti tha duke i bërë atij shoku të bekuar komplimentin më të bukur:
“Selmani është yni, është i familjes sonë [ehli bejt]!” (Ibni Hisham, III, 241)
Selman minne ehlul bejt
Selmani është yni, është i familjes sonë.
— Hazreti pejgamberi ﷺ
Ky sahabi i bekuar, gjatë gjithë jetës, duke shpalosur qëndrime e sjellje kulmore që reflektonin bukuritë e moralit islam, u bë një personalitet model e shembullor për besimtarët. Një rast që e reflekton virtytin e tij është kështu: Kur shteti islam e shtriu zotërimin e tij në një hapësirë gjeografike të gjerë, Selmani (Zoti qoftë në razi me të) i cili dikur kishte qenë skllav i një çifuti, u emërua vali (guvernator) i zonës së Medainit. Në atë kohë, një herë, shkoi në Medain një person që i përkiste fisit Tejm nga Damasku. Ai kishte sjellë me vete edhe një barrë me fiq. Selmani (Zoti qoftë në razi me të) rrinte dhe dilte i veshur me një gunë të thjeshtë. I ardhuri nga Damasku nuk e njihte Selmanin. Prandaj, tek e pa që po kalonte andej pari, duke e kujtuar për hamall, i tha:
“Ngarkoje këtë barrë!”
Dhe Selmani (Zoti qoftë në razi me të) iu afrua, e mori barrën dhe e ngarkoi në shpinë. Popullsia vendase që e njihte, i thanë të ardhurit:
“Ky person që po bart barrën tënde, është valiu!”
Njeriu nga Damasku menjëherë i kërkoi të falur duke i thënë se s’e njihte dhe deshi t’ia merrte barrën, por Selmani i tha:
“S’ka gjë, do të ta çoj barrën gjer në shtëpi!” (Ibni Sa’d, IV, 88)
_______
[1] 1 ukijje është njësi peshe prej 128 gram.
[2] Shih. Ahmed, V, 443-444; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, II, 419; Ibni Abdilber, II, 634-638.
Burimi: Topbash, Osman Nuri. Hazret-i Muhammed Mustafâ (II). Përkth. Mithat Hoxha, Progresi sh.p.k., 2007 (fq. 234-241)