Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Zoti i dashunon ata;
Ata e dashunojnë Zotin.
KURAN 5:54
Mistiku i madh, Feriduddin Attar-i, e kallxon nji ngjarje prekëse rreth nji evlijaje i cili e kish pas pa Zotin në andërr. Në andërr i tanë njerëzimi, krejt të cilët kanë rrnue e krejt të cilët kanë me rrnue, ishin pas mbledh karshi Zotit. Zoti nis ua paraqet nji sërë shpërblimesh që mundeshin me zgjedh e me i marrë. Në shpërblimin e parë Zoti i pyet: “Cili prej jush dëshiron me i pasë tana kënaqësitë e dynjasë?” Nantë prej dhjetëve i zgjedhin kënaqësitë e dynjasë. Zoti u thotë: “Ju plotësohet dëshira”, - edhe ata largohen.
Zoti i pyet ata që mbesin: “Cili prej jush dëshiron me shpëtue prej zjarrmit të xhehnemit?” Prapë, nantë prej dhjetëve e çojnë dorën, e Zoti prapë ju thotë: “Ju plotësohet dëshira”, - edhe ata largohen. Mbasandej Zoti i pyet ata pak që kanë mbetë se cili prej tyne ka dëshirë me e shijue xhenetin. Nantë prej dhjetëve e çojnë dorën edhe Zoti ju thotë: “Ju plotësohet dëshira”, - e kështu edhe ata largohen.
Në fund mbesin veç disa ashikë të Zotit që mundeshin me u numrue në gishta. Ata nuk ishin të magjepsun prej dëshirave të dynjasë; ishin sypatrembun prej torturave të zjarrmit të xhehnemit dhe të pajoshun prej premtimeve të xhenetit. Këtë herë zani i Zotit vjen tuj vetue: “Ju kam ofru shpëtim prej zjarrmit të xhehnemit, nuk e deshtët. Jau kam ofru xhenetin Tem ma të naltë, nuk e deshtët. Çka po lypni pra këtu?”
Kryeulun me përulësi thanë: “Ty! Ti zaten e di se kand po e dëshirojmë!”
Mistikët të cilët e kërkojnë Zotin si nji të Dashtun para tana gjanave tjera, para xhenetit apo xhehnemit e para shpëtimit, ata i folën Zotit me pëshpëritje intime dhe lutje gufuese të ashkut që quhen Munaxhat-e. Kjo përmbledhje përpara jush përmban pëshpëritje dashnie të atyne pak të cilët e dëshirojnë Zotin para tanave edhe të cilët e kanë gjetë nji udhë për te Zoti. Udhë e cila shkelet këtu dhe tash me anë të nji dashnie e cila rrezon prej Zotit dhe shkëlqen në krijim. Të gjithëve na u asht thanë se kena me e pa Zotin ballë për ballë në botën e përtejme (ahiret). Këta mistikë janë josabërli të patrembun. Ata dojnë me e pa fytyrën e Zotit këtu dhe tash. Përmbledhja që keni përballë harton poezitë dhe mësimet e nji dashnie radikale, ashkut, të udhëtuem prej urtakëve myslimanë, poetëve, andrrimtarëve dhe ashikëve. Kjo dashni e zjarrtë, dashni hyjnore e pështjellun me njerëzoren, ka kenë sebep i ngjitjes shpirtnore të atyne kërkuesve që kanë mall të zjarrtë me e kundrue Zotin këtu dhe tani.
Këtu keni nji dritë të mbushun me shkëndija të cilat burojnë prej thelbit të imagjinatës myslimane. Ajo asht nji za poetik që e kundron Zotin me nji dashni të patrembun, e cila njiherësh asht edhe shndërruese edhe shpenguese, edhe njerëzore edhe hyjnore. Kjo udhë mistike e qujtun mez’hebi i ashkut (ar. Medhheb el-ishk) shpesh përkthehet si “Udha e dashnisë”, por ky përkthim duket i zbehtë dhe i pamjaftueshëm. Fjala dashni, njena prej cilësive ma hyjnore, asht ba monotone, e kudogjendun dhe ironikisht, e pavlerë/lirë. Jo, ashku (pers. ‘eshk; ar. ‘ishk) për të cilin mistikët myslimanë flasin asht diçka përvluese, e zjarrtë dhe alkimike. Asht nji dashni që prej vetvetes derdhet pa ndalë, tue teptis çdo kupë që mundohet ta mbajë ate. Për këtë shkak, këtu e kam quejt “udha e ashkut”. Udha e ashkut asht udha e dashnisë e cila shkapërderdhet pa ndalë. Me nji pohim ndaj gjeniut të xhazit, Xhohn Kaltrejn-it, na mundemi me e quejtë edhe si Udha e dashnisë supreme. Sikur shumë prej muzikantëve të xhazit, edhe Katrejni ka përjetue nji mahnitje ndaj Islamit. Me të vërtetë shumë prej nesh, përfshi edhe veten këtu, tuj ia ndigju kryeveprën A Love Supreme kena mendu se po thrret “Allah Supreme”.
Këta mistikë të dashnisë kur kanë fol për udhën (mez’hebin) e ashkut kanë thanë se nuk asht asgja tjetër përpos udhës së vet Zotit, mez’hebi hoda. Hallaxhi (k. 922) dhe Ajn Kozati (k. 1131), të dy mjeshtra të udhës së ashkut, dypedyz e thojnë këtë gja. Udha e ashkut asht udhë të që shpie të Zoti, dhe njiashtu asht udhë që vet Zoti e ec. Shkollat e ligjit islam janë të emërtueme mbas dijetarëve të cilët e kanë hartue metodologjinë e tyne. Kështu për shembull, mez’hebi shafi ka marrë emrin mbas Imam Shafiut, mez’hebi hanefi mbas Imam Ebu Hanifes, mez’hebi xhaferi ka marrë emrin mbas Imam Xhafer Sadikut, e kështu me radhë. Po udha e ashkut, mez’heb-i ashk, nuk emërtohet mbas ndoj mistiku apo dijetari, kjo udhë thjesht quhet udha e vet Zotit. Këtu fjalët ashk dhe Zot përdoren në mënyrë të ndërsjellë që me e paraqitë ashkun si vet thelbin hyjnor.
Sa ma e vlefshme asht nji gja, aq ma shumë ka gjasa me u ba e pavlerë apo me u nënvlerësu. Na e kena zvetnue ashkun, këtë forcë kozmike, në nji ashkël dhe e kena zhvesh prej fuqisë së plotë të tij. Këto kohë, sa herë flasim për dashninë, thuja përherë nënkuptojmë dashninë romantike. Por për mistikët dashnia asht nur. Dashnia vjen pa drojë, me plot shkëlqim e në mijëra hije dhe ngjyrime të cilat përzihen në Njishin. Ka dashni ndaj shokut, komshisë, fmiut, prindit, të dashtunit, të huejit, Zotit dhe pejgamberëve, evlijave dhe gjynahqarëve, dashni ndaj vetes, dashni ndaj armikut, natyrës, sferave të dukshme dhe të padukshme, e shumë lloje të tjera. Për këta mistikë dashnia asht zjarrm. Asht nji zjarrm pastrues që kall vetjakësinë, lakminë, zemëratën, nefsin dhe në fund nuk len asgja pos Zotit.
Për këta mistikë të ashkut, për me e njoftë veten duhet me e njoftë Zotin. Për me e njoftë Zotin, duhet me i mësue msheftësitë e veteve tona. E ashku asht çelsi i hapjes së ktyne msheftësive. Msheftësia e vet ekzistencës asht shpjegue në veten e parë përmes ashkut hyjnor në nji thanie të atribueme profetit Muhammed [paqja dhe përkrymja qoftë mbi te]. Kjo thanie që njifet si hadith i shenjtë, apo hadith kudsi, qëndron në thelb të udhës mistike, dhe në të Zoti çplon thesarin e mshefun të tij:
Unë kam kenë nji Thesar i mshefun
dhe kam deshtë me u njoftë intimisht
prandej krijova qiejt dhe tokën
që me m’njoftë intimisht.
Këtu kur po flitet për dashninë, nuk po flitet për ndoj emocion apo ndoj ndjenjë a sentiment (edhe pse i mbush te tana dhe i shkapërderdhë ato). Përkundrazi, dashnia nuk asht asgja ma pak sesa vet shpërthimi i Zotit në sferë të qenies. Përmes dashnisë Zoti e krijon kozmosin, përmes dashnisë na mbahemi e ushqehemi, dhe përmes shkrimjes në rrjedhën kozmike të dashnisë na kthehemi për në Shpi.
Në këtë thanie, Zoti flet me zanin intim, me zanin e Unit – jo me zanin e përtejshëm të “Ai”, apo zanin mbretnor “Na”, por me zanin tejet personal “Unë”.
Unë kam kenë nji Thesar i mshefun
dhe fraza që e kam përkthye si “dhe kam deshtë me u njoftë intimisht” lexohet si nji shprehje nikoqire e dëshirave hyjnore:
Unë deshta,
Unë pata mall të zjarrtë
Unë dëshirova me u njoftë intimisht
Rranja e fjalës dashni këtu, zjarrmia dhe dëshira me u njoftë, ahbabtu, prej disa mistikëve thuhet se vjen prej fjalës për flluska, hubab. Asht sikur dëshira e dashnisë ka flluskue në zemrën e Zotit, tu u sjellë e pështjellë derisa as vet Zoti s’ka mujtë me e mbajtë ma atë dëshirë. Kjo dashni bahet aq e madhe në brendi të Zotit sa që shpërthen si krijim, shpërthim i madh (big bang) i dashnisë në formë të dëshirës me u njoftë. Ka shumë fjalë në arabishte për dijen. Ajo që përdoret në këtë hadith asht u’rifa, me u njoftë intimisht. Zoti nuk don me u njoftë me anë të diskurseve, apo thjeshtë racionalisht prej distancës dhe ftohtësisë së intelektit. Zoti don me u shiju edhe me u njoftë deri në asht. Zoti i pëshpëritë njerëzimit: “Kam mall të zjarrtë me u shiju”. Njohja për të cilën po flitet këtu asht diçka intime, tejet e afërt, tejet themelore. Asht nji njohje që përzihet në zemrën e zemrave tona, kështu tuj bashku dhe ngritë tana gjanat që na bajnë insan.
Në shekujt e parë të Islamit, mistikët u munduen me e nda dashninë në dy sfera, në Ashk hakiki (Ashkun e vërtetë) i cili iu dedikojke veç Zotit, dhe Ashk mexhazi (Ashku metaforik), i cili kish të bante veç me dashninë që na njerëzit e ndijmë për njeni-tjetrin. Simbas ktyne mistikëve, dashnia njerëzore në krahasim me dashninë ndaj Zotit asht thjesht nji metaforë. Kjo nënkuptonte se duhej ta mjeshtëronim alfabetin e dashnisë njerëzore para se nisnim me shkrue sonete madhështore rreth dashnisë hyjnore. Krejt kjo qasje ndryshoi me shpërthimin e mistikëve, urtakëve, poetëve dhe kërkuesve të udhës së ashkut. Këta ken’ ata shpirtna të përndritun që e ditën se përfundimisht asht veç Nji Dashni.
Përziemja e kësaj dashnie pasqyrohet në titullin e kësaj përmbledhjeje: Ashku. Ky ashk pasqyrohet hijshëm në nji poezi të bukur të Rumit kur ai flet për këtë shkapërderdhje të dashnisë kur përzihet Zoti me njerëzoren, njerëzorja me njerëzoren, kjo botë me atë tjetrën, e atjeshmja me të këtushmen, dhe e tashmja me të përhershmen:
Shif
sesi ashku përzihet me ashikt’;
shif
sesi shpirti përzihet me trupin;
Edhe sa ke me e pa jetën
si “kjo” dhe “ajo”?
Si “mirë” dhe “keq”?
Shif
sa të përzieme janë
kjo dhe ajo.
Ashk i përziem dhe përzierës. Këta mistikë – të quejtun edhe sufi – e panë veten tue mbërri përzierjen e njajtë, ashkun përzierës dhe rahmetin ndritues që rrjedh nga Kurani. Në fund të fundit, a nuk fillon çdo sure (kaptinë) e Kuranit (përveç njenes) tue na rikujtue sesi rahmeti i Zotit, dhembshunia dhe butësia e Tij ngërthen universin, ashtu siç e mban nana fmiun e saj të palindun? Edhe pse udha e tyne e ashkut asht nji udhë që rezonon universalisht, asht njiashtu nji aromë e ngjitjes së Muhammedit [paqja dhe përkrymja qoftë mbi te]. Të gjithë myslimanët synojnë me i imitue e përvetësue veprat e Muhammedit [paqja dhe përkrymja qoftë mbi te]. Këta mistikë zjarrmojnë për ma tepër. Ashtu siç u ngjit Muhammedi [paqja dhe përkrymja qoftë mbi te] me e pa Zotin ballë për ballë, ashtu edhe ata kërkojnë me u ngjitë me e pa Zotin ballë për ballë. I gjithë njerëzimi ka me e taku Zotin në ahiret, por këta sufi dojnë me e pa Zotin këtu dhe tani.
Artikulimin ma i qartë mbi udhën e ashkut asht nji prozë e shkurtë meditative e quejtun Savanih, e cila duket si të jetë evlat dashnie i muhabeteve të Platonit dhe soneteve shekspiriane në kopshtnajen perse. Autori i kësaj proze asht Ahmed Gazali, vllau ma i ri dhe ma sypatrembun i të mirënjohunit Ebu Hamid Muhammed Gazalit. Ky i fundit njifet si ndër teologët ma të randësishëm myslimanë. Vllau ma i madh shpesh krahasohet me Agustinin dhe Akuinasin, ama Ahmedi, vllau ma i ri, asht nji mistik pasionant dhe i dalldisun i ashkut i cili ka vendin në majen e udhës islame të ashkut. Kur Gazali, vllau i madh, përjeton krizën e mirëdokumentueme shpirtnore dhe largohet për disa vjetë në Jeruzalem me u falë e me meditu, vllau i vogël, Ahmedi, merr rolin e profesorit në medresen prestigjoze Nizamijje, ky mbase atëkohë insitucioni ma i naltë i dijes në botë. Ahmedi ishte nji predikues i hatashëm, mistik dhe shkrimtar, i cili bani për vete mbretin dhe kalifin e kohës. Me gjithë polemikat e egra të kohës sonë kundrejt Islamit dhe mbrojtjeve shfajsuese mundet me tingllue e pabesueshme, por në zenitin e pushtetit politik të qytetnimit islam qëndronte nji mistik pasionant i poezisë sensuale i cili njikohësisht edhe mbante derse në minber dhe në universitet të Bagdadit. Ahmed Gazali e përpiloi nji libër të shkurtë të quejtun Savahih (pers. Savaneh), kryevepër në lidhje me udhën e ashkut. Ahmedi e fillon librin tue lavdu Zotin dhe pejgamberin [paqja dhe përkrymja qoftë mbi te], e mbasandej menjiherë fillon me i shtjellue msheftësitë e ashkut. Ai thotë se hakikati i ashkut nuk mundet me u shpreh a me u ngërthye në fjalë. I palëkundun, ai nis e gdhendë punën e nisun me anë të nji metafore të bukur dhe erotike. Simbas tij, me shkrue për ashkun asht si me e ndërtue nji dhome martese ku “insanët e fjalëve” munden me përjetue bashkimin – me të gjitha nënkuptimet sensuale dhe shpirtnore të fjalës – me “idetë virgjine” të ashkut. Simbas Gazalit, realiteti i brendshëm i këtij ashku suprem dhe gufues deri në atë çast mbetet i paprekun. Ama në atë dhomëz ndodh bashkimi. Në mënyrë që Gazalit t’i mundësohet krijimi i këtij bashkimi, lexuesi duhet me e plotësu nji shart. Gazali ka me fol mbi msheftësitë e brendshme të ashkut suprem vetëm nëse nuk e ndajmë në dysh ashkun në ashk njerëzor dhe ashk hyjnor. Për Gazalin dhe mistikët e udhës së ashkut ka vetëm Nji Ashk.
Ma vonë, në këtë volum të hollë, Gazali bahet edhe ma i detajshëm dhe i posaçëm kur flet rreth ndërlidhjes së ashkut njerëzor dhe atij hyjnor. Ai rikthehet te ajeti i tij i parapëlqyem kuranor (me të cilin edhe hap kreun e parë të Savanih-ut):
Zoti i dashunon ata;
Ata e dashunojnë Zotin.
KURAN 5:54
Në arabishte fjala e përdorun për dashninë, hubb, duket kështu:
حب
Nji pikë gjendet nën germën ba të gjuhës arabe dhe perse. Ahmed Gazali e ndërlidh këtë fakt në ajetin kuranor “Zoti i dashunon ata; ata e dashunojnë Zotin” dhe thotë se pika nën ba në “Zoti i dashunon ata” asht mbjell në “ata”, pra në njerëzim. Kjo asht fara e ashkut në pjellorinë e dheut të zemrës që çon në lulëzimin e lules së dashnisë në mesin e njerëzve. Ai përfundon: ky ashk ka ngjyrë të njajtë, hem-reng, ka thelb të njajtë sikur të dashnisë hyjnore. Fara ka natyrën e njajtë me të frytit dhe fryti ka natyrën e njajtë me të farës.
Në nji metaforë që na ban me ndryshue sesi e mendojmë dashninë dhe shpirtin, Gazali flet për Shpirtin që kalon prej sferës së joekzistencës në atë të ekzistencës. Kur shpirti mbërrin pragun e ekzistencës aty e pret dashnia. Me fjalë të tjera, dashnia asht paraekzistenciale, e kryemotshme. Kjo përputhet me mësimet e shumë mistikëve që nuk e shofin dashninë vetëm si nji sifat apo atribut tjetër hyjnor, por e shofin si nji sifat par excellence, mbase edhe të barazuem me vet qenien e Zotit.
Ky ashk që përzihet mes njerëzores dhe hyjnores nuk asht emocion, por asht veprim, qenie, qenësim. Asht nji zjarr që zien dhe shkrumon, ashtu siç Rumi kallxohet të ketë thanë:
E gjithë jeta jem
mundet me u përmbledh në tri fraza:
Isha i papjekun,
U pjeka,
Flakë u bana!
Mbase nji mënyrë tjetër që kishim mujt me e pa dashninë kish me kenë nëse e kishim pa ate si alkimi. Fjala moderne për kiminë rrjedh nga fjala arabe al-kimi e cila nuk asht pseudoshkencë apo shkencë primitive, por asht nji njohje dhe pranim që i gjithë kozmosi përfundimisht përbahet prej nji substance. Alkimistët e dinin që të gjithë kena diçka të pavlerë si plumbi brenda nesh; prapëseprapë, gjithçka çka asht e lirë dhe e pavlefshme në ne mundet me u ndriçu dhe me u ba “ar”. Alkimia përfundimisht ishte arti i ndriçimit dhe shndërrimit. Ashtu siç Rumi thotë, përmes këtij ashku e hidhuna bahet e ambël, gjembi bahet trandofil, dhimbta mban shërim dhe të vdekunit gjejnë rigjallërim.
Përfundimisht, ky ashk kanalizohet përmes njerëzimit. Ai duhet të jetohet dhe të përvetësohet, të ndahet dhe përsoset – jo në qiej – por këtu dhe tash, në rrëmujën e jetës tokësore. Udha e Zotit kalon mespërmes qenies ma të vështirë ndër qenie, pra mespërmes insanit. Zoti asht i kollajshëm. Na, qeniet njerëzore jena të zorshëm.
Biografia e Rumit e kallxon kte shumë bukur. Rumi e ka pasë nji të devotshëm të krishterë të qujtun Serjanus i cili e mori emrin Aladdin kur u ba mysliman. Serjanusi, i tërhjekun prej flakës magnetike të ashkut i cili flakëronte përmes Rumit, u konvertue në Islam dhe u mundue me e mësu gjuhën e Rumit, persishten. Por, si shumë prej neve kur mundohemi me e shpreh mallin ma të thellë dhe aspiratën ma të madhe në nji gjuhë të dytë a të tretë, edhe ai i përdorke fjalët e gabueme në persisht. Qashtu si në anglishten viktoriane që kishte fjalë dalluese për ‘zotin’ njeri dhe ‘Zotin’ Zot, persishtja kishte fjalë që mundeshin me iu referue zotit të nji fshati apo Zotit të kozmosit. Serjanusi i ngratë vazhdojke pa ndalë me e thirrë Rumin “Zot”. Disa fanatikë të qytezës e kapin edhe e çojnë zvarrë te kadiu. Aty fillojnë e e marrin në pyetje se pse e thrret Rumin – nji të vdekshëm – me titullin “Zot”. Serjanusi i dertum iu kundërpërgjigjet: “Unë gjithmonë e thrras kështu. Më falni, nuk kam deshtë me e qujtë Zot”. Kadiu i kënaqun u ndal e tha: “E qysh ke deshtë me e thirrë?”. Serjanusi i sigurtë në vetvete i thotë: “Kam dashtë me e thirrë hoda-saz, “krijues Zoti”!
Tashma me provë ndaj besimit të akuzuesve që Serjanusi me të vërtetë ishte nji heretik, kadiu bahet gati me e vulosë ekzekutimin e këtij të sapokonvertuemi. Serjanusi u thotë prapë:
“Gjithmonë baj kështu. Më falni!
Unë e quej atë krijues-Zoti për shkak se ai e ban Zotin...
Ai e ban Zotin të vërtetë në mu.
Përpara se me e takue ate, Zoti ka kenë veç nji emër që e kam thirrë qorrazi tuj ndjekë të tjert’.
Tash
e di Zotin Hak.”
Historia e Islamit, ashtu si historitë e të gjitha traditave fetare, asht e mbushun me njerëz si këta që e bajnë Zotin të vërtetë, e bajnë dashninë të vërtetë dhe lejojnë ate me ndriçu. Kjo përmbledhje mësimesh ashku përbahet prej katër pjesëve. Pjesa e parë, “Zoti i ashkut”, thellohet në mësimet të cilat ashkun e shofin jo vetëm në Zotin, por si vet Zotin. Pjesa e dytë, “Udha e ashkut”, thellohet në meditimet dhe gufimet e këtij ashku të zjarrmishëm. Pjesa e tretë, “Ashik dhe Mashuk”, thellohet në vallen e ashkut, në qenien dhe qenësinë. Së fundmi, “Bashkësia e dashtun” thellohet në udhën e ashkut, jo veç si nji udhë drejt Zotit, por si nji udhë që formëson nji bashkësi të bukur, dashuruese dhe të dashtun, këtu dhe tash.
Për mistikët e udhës së ashkut, gjetja e Zotit në mes njerëzisë pasqyrohet në mënyrën se si ata e lexojnë Kuranin. Nji shembull do të mjaftojë. Gjuha arabe e Kuranit nuk ka përdorë pika dhe presje. Ka shumë pjesë në Kuran në të cilat nëse ndalesh te nji fjalë në vend të nji fjale tjetër, mundesh me ia ndryshu rranjësisht kuptimin të gjithë ajetit. Njena prej shembujve të këtillë gjendet në ajetin i cili shpesh thuhet kur ndigjojmë se dikush ka vdekë. Ajeti iu drejtohet “nefsit në paqe” [nefsit mutmeineh], i cili asht në razi me Zotin dhe Zoti në razi me te. Mënyra ma e qartë e të knumit të atij ajeti asht:
Hyni brenda,
o hyzmetqarët e Mi,
hyni në kopshtin Tim.
Por shumë mistikë, përfshi këtu edhe Rumin, e lexojnë ndryshe këtë ajet. Tue lexu kte pa presje, ata mbërrijnë te nji lexim ma të fuqishëm dhe tanësisht ndryshe:
Hyni brenda hyzmetqarëve të Mi,
hyni në kopshtin Tim.
Simbas këtij leximi, shpërblimi ma madhor i Zotit, kopshti i xhenetit gjendet kur na hyjmë në zemrën e nji të dashtuni të Zotit. Në zemrën e atyne që janë në razi me Zotin dhe Zoti asht në razi me ta. Me anë të këtij leximi mistik, kopshti nuk asht nji vend fizik, por asht nji gjendje shpirtnore që zbulohet tash dhe këtu:
O nefs në paqe
kthehu te Zoti yt
në razi me Zotin
Zoti në razi me ty.
Hyn në brendi të hyzmetqarëve të Mi,
hyn në xhenetin Tim.
KURAN 89:27-30
Edhe kjo asht pjesë e udhës së ashkut, ku razia ma madhore e Zotit, xheneti ma i naltë asht i arritshëm këtu dhe tani, brenda zemrave të ashikëve të devotshëm të Zotit.
Ashku nuk asht veç nji emocion, por asht gufimi i vet Zotit në Tokë. Asht asht ai që i jep kahje fluturimit tonë individual për te Zoti, dhe njiashtu asht ai që i jep kuptim jetesës në harmoni me njeni-tjetrin në nji bashkësi të dashtun. Me jetue me nji bashkësi të dashtun lypet harmoni dhe zotim që me i nda burimet e harxhueshme në atë mënyrë që siguron dinjitet dhe plotësim nevojash për të gjithë. Ate harmoni na e quejmë drejtësi. Shumë tradita i lidhin bashkë sferat e dashnisë dhe drejtësisë shoqnore. Në Islam, sfera e shpirtnisë, ihsan-i, në vargjet e maposhtme e paraqitun si “dashni”, fjalëpërfjalshëm don me thanë me sjellë në jetë të mirën dhe të bukurën. Ihsan-i, sfera e dashnisë, harmonisë dhe bukurisë, asht nji zotim me e kuptu dhe përvetësu dashninë tash dhe këtu. Me kenë shpirtnisht i zgjuem, na duhet me e sjellë në realitet mirësinë dhe bukurinë.
Në nji traditë të njohun profetike [hadith], ihsan-i rrin edhe ma nalt islamit (dorëzimit ndaj Zotit me tanë zemër) dhe imanit (besimit) në udhën drejt Zotit. Në ajetin e maposhtëm kuranor, urdhnesa hyjnore e ndërlidh sferën e dashnisë, rahmetit dhe bukurisë (ihsan-it) me drejtësinë shoqnore në njat mënyrë që ta kujton traditën e të drejtave qytetare amerikane: “Kur dashnia hyn në sheshin publik, atëherë na ate e quejmë drejtësi”.
Kjo asht urdhnesa e Zotit:
dashni dhe drejtësi.
KURAN 16:90
Në këtë ajet kuranor, Zoti e urdhnon njerëzinë edhe për ihsan (e paraqitun këtu si “dashni”) edhe për drejtësi. Dashnia dhe drejtësia shifen si dy aspekte thelbësisht të ndërlidhuna në mes vete. Ky ashk hyn në brendësi dhe shpërfaqet si butësi dhe së jashtmi derdhet e shkëlqen si drejtësi. Me kenë mistik i udhës së ashkut i bjen me kenë i butë në marrëdhaniet tona të afërta dhe me kenë fort i zotueshëm karshi drejtësisë shoqnore në bashkësitë që jetojmë, qofshin ato lokale apo globale.
Burimi: Radical Love: Safi, Omid. Teachings from the Islamic Mystical Tradition. New Haven and London, Yale University Press, 2018.
Titulli origjinal: Introduction: Islam's Path of Radical Love (fq. xix-xxxvi)
Kaligrafia: Mehdi Rezoug
Përktheu: Trandofilishta (Korrik 2026)
Redaktoi: Besara Hallunej
Ky shkrim u përkthye dhe botue me lejen e autorit.
© Omid Safi