Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në San Françisko, Kaliforni
2 maj 1923
Përmes këtij kreu nuk du me nxitë bestytni, e asnji ide qi mundet me i tërhjek njerëzit në fusha kurioziteti. Përmes kësaj teme du me e drejtu vëmendjen tek ata, qi e lypin hakun përmes ligjit të muzikës i cili punon në tanë universin e qi, me fjalë tjera, mundet me u emërtue si ligji i jetës, sensi i proporcionit, ligji i harmonisë edhe ligji qi bjen balancin. Ligji i cili asht i mshefun në krejt fushat e jetës, qi e mbanë ket univers të paprekun, e qi e përpunon fatin nëpër krejt universin, tue përmbushë qëllimin e vet.
Muzika qi e njofim na në jetën e përditshme asht veç nji miniaturë qi intelegjencat tona e kanë kapë prej asaj muzike ose harmonie të krejt universit qi punon mbrapa neve. Muzika e universit asht sfondi i nji pikture të vogël qi na e quejmë muzikë. Sensi jonë për muzikën, tërheqja jonë ndaj saj, kallxon qi ajo gjindet në thellësinë e qenies sonë. Muzika asht mbrapa punës së krejt universit. Ajo nuk asht veç objekti ma i madhnishëm i jetës, po ajo asht vet jeta.
Poeti i madh e i madhnishëm, Hafizi jonë prej Persisë, thotë: "Shumë thonë qi jeta në trupin e njeriut ka hy me ndihmën e muzikës, po e vërteta asht se vet jeta asht muzikë." Kisha deshtë me ju kallxue se çka e ka ba ate me u shpreh kështu. Në lindje ekziston nji legjendë e cila kallxon se qysh Zoti pat ba nji statuj prej balte në imazhin e Vet, edhe i pat thanë shpirtit me hy në te. Po shpirti pat refuzue me hy në ate burg, sepse natyra e tij asht me fluturue i lirshëm e mos me u kufizue prej asnji lloj robnimi. Si përfundim, shpirti nuk deshti me hy në ate burg. Për kte Zoti u tha meleqve me e luejt muzikën e tyne, edhe, kur meleqtë nisën me luejt, shpirti ra në dalldi. Ai hyni në trup përmes kësaj dalldie, për me e ba të qarte ket muzikë në vetvete.
Asht nji legjendë e bukur, e edhe ma e bukur asht e fshehta e saj. Interpretimi i kësaj legjende na kallxon neve për dy ligje të mëdha. Nji asht qi liria asht natyra e shpirtit, edhe për shpirtin e tanë tragjedia e jetës asht mungesa e asaj lirie qi i takon në natyrën e tij burimore. Fshehtësia tjetër asht qi arsyeja e vetme se pse shpirti ka hy në ket trup prej balte a materjeje asht me e shijue muzikën e jetës, e me e ba të qartë ket muzikë në vetvete. Kur i bajmë bashkë këto dy fshehtësi, fshehtësia e tretë, qi asht fshetësia e fshehtësive na bjen nëpër mend qi pjesët tona të pakufizueme bahen të kufizueme edhe të varuna prej tokës me qëllim qi me e ba ket jetë, qi asht jeta e jashtme, ma të kapshme. Për ket shkak ekziston nji humbje edhe nji fitim. Humbja asht humbja e lirisë, e fitimi asht përvoja e jetës qi fitohet tansisht tue ardhë në ket jetë të kufizueme qi na e quejmë jetë të nji individi.
Çka na ban me u tërhjek kah muzika asht se krejt qenia jonë asht muzikë: mendja jonë, trupi jonë, natyra se ku jetojmë, natyra qi na ka ba neve, krejt çka asht nën neve e rreth neve - krejt asht muzikë. Na zgjon interes epse jemi krejt afër kësaj muzike, edhe jetojmë, lëvizim e e kemi veten tonë në te. Na joshë vëmendjen tonë e edhe na jep kënaqësi, se i përgjigjet ritmit edhe tingullit që po e mbajnë tanë organizmin tonë në gjendjen e tij burimore. Ajo se çka na pëlqen në krejt artet, qoftë në vizatim, pikturë, gdhendje, arkitekturë, a skulpturë, edhe çka na intereson në poezi, asht harmonia mbrapa tyne, e cila asht muzikë. Ate qi poezia sugjeron, ritmin e poezisë, ose harmoninë e ideve dhe shprehjeve asht muzikë.
Para së gjithash, në pikturë edhe në vizatim asht ndjeshmëria jonë ndaj proporcionit, ndjeshmëria jonë ndaj harmonisë ajo qi na jep tanë atë kënaqësi për me e çmue ate. Çka na tërheq me kenë afër natyrës asht muzika e natyrës, sepse muzika e natyrës asht ma e përkryeme sesa ajo e artit. Ajo na jep neve nji sens ekzaltimi që me u end rreth drujve, me e shiku gjelbrimin, me qëndrue afër rrjedhës së ujit me ritmin, tingullin edhe harmoninë e saj. Lëkundjet e degëve nëpër mal, ngjitja edhe zbritja e valëve - krejt e kanë muzikën e vet. Në çastin qi na kundrojmë edhe bahemi nji me natyrën, zemrat tona çilen ndaj muzikës së saj. Na themi: "Unë e shijoj natyrën," po çka asht ajo qi shijojmë në natyrë? Muzikën e saj. Diçka në neve preket prej lëvizjeve ritmike, prej harmonisë së përkryeme e cila gjindet shumë rrallë në jetnat tona artificiale. Ajo e naltëson njeriun edhe e ban me u ndi qi ky asht kuptimi i tempullit të vërtetë, religjionit të vërtetë. Nji çast qëndrimi me zemër të hapun në mes natyre asht nji jetë e tanë, nëse njeriu asht i akordum me natyrën.
Kur njeriu e shikon kozmosin, lëvizjet e yjeve e planeteve, ligjet e vibrimit e ritmit, krejt të përkryeme e të pandryshueme, gjenë qi sistemi kozmik asht tue funksionu në bazë të ligjit muzikor, ligjit harmonik. Kurdoherë dhe për çfarëdo arsye qi ajo harmoni mungon në sistemin kozmik, në proporcion me te shpërfaqen forca shkatërruese në botë. Nëse ekziston nji parim mbi të cilin i gjithë ligji astrologjik mbahet, tue përfshi këtu shkencën e magjisë dhe misticizmin mbrapa saj, ai asht muzika.
Për ate, shpirtnat ma të ndritun qi ndojherë kanë jetue, edhe profetët ma të mdhenjë Indianë krejt jetën e kanë çue me muzikë. Prej muzikës në miniaturë qi na e kuptojmë, ata e zgjanuen vetveten te i gjithë universi i muzikës, e në qat mënyrë ken të gatshëm me inspirue. Ai qi e gjenë çelsin e muzikës për krejt punët e jetës asht ai qi bahet intuitiv; asht ai qi ka inspirime; asht ne te ku zbulesat shpërfaqen, sepse gjuha e tij bahet muzikë. Çdo objekt qi e shofim asht tu u zbulue. Në çfarë forme? Me anë të shprehjes së karakterit, natyrës dhe sekretit të tij. Çdo njeri qi na vjen kallxon për të kaluemen, të tashmën e të ardhmen e tij. Po në çfarë mënyre? Përmes pranisë qi rrëfen se çka përmbanë. Si? Në formë të muzikës, veç nëse kishim mujtë me e ndi. S'ka gjuhë tjetër pos ritmit dhe tingullit. Na i ndigjojmë ato, ama s'i ndigjojmë me veshët tanë. Nji person i shoqnueshëm shpërfaqë harmoni në za, fjalë, lëvizje e sjellje të veta. Nji person jo i shoqnueshëm, në krejt lëvizjet, shikimet e çehren e vet, në ecjen e në gjithçka të vet, ka me kallxue joharmoni, veç të kishim pas aftësi me pa. Jam çuditë shumë në Indi kur nji mik u zemrojke lehtas. Nganjiherë kur vinte për vizitë i thojsha: "A je i zemruem sot?" Ai m'pyetke: "E tash qysh po e din qi jam i zemruem?" Une iu përgjigjsha: "Turbani yt po me kallxon. Mënyra se qysh ke vnu turbanin s'po kallxon harmoni."
Veprimet kallxojnë se a janë ba me nji qëndrim harmonik apo joharmonik. Ka shumë gjana qi mundemi me i pa në nji dorëshkrim, ama gjaja themelore në leximin e dorëshkrimit asht harmonia apo joharmonia e lakoreve. Ato gati se ju flasin juve, edhe ju kallxojnë për disponimin e personit qi ka shkrue. Dorëshkrimi kallxon shumë gjana: nivelin e evolimit të shkruesit, qëndrimin e tij ndaj jetës dhe karakterin e tij. Ju hs'keni nevojë me e lexu letrën, po mundeni me ia pa veç shkrimin. Vija edhe lakorja kanë me ju kallxue qi shkruesi ja asht harmonik ja joharmonik, veç nese kishit pas aftësi me e pa.
Në çdo krijesë të gjallë qi mundeni me pa, nëse natyrën ua kqyrni me nji mprehtësi, keni me lexu edhe në pemë, në pemën qi mbanë fryta e lule, se çfarë muzike e shpreh ajo. Ju mundeni me e pa qëndrimin e nji njeriu se nëse ai njeri ka me kenë nji shok për ty, apo ka me përfundu si nji armik për ty. S'keni nevojë me pritë deri në fund, mundeni me e pa në shikimin e parë se a asht i shoqnueshëm a jo, sepse çdo njeri asht muzikë, muzikë e pandërpreme, e cila vazhdon natë e ditë. Aftësitë e juja intuitive munden me e ndigju atë muzikë, edhe kjo asht arsyeja se pse nji person asht i pakandshëm për ju, e nji tjetër ju tërheq shumë: asht muzika qi ai e shpreh. Krejt atmosfera e tij asht e mbushun me te.
Ekziston nji rrëfim për Omerin, halifin e mirënjohun të Arabisë. Dikush qi dëshironte ta lëndoj e kërkonte Omerin, edhe dikur ndigjoj qi Omeri nuk jeton në saraje, edhe pse ish mbret, po qi ai e shpenzonte kohën ma të madhe të tij në natyrë. Ky njeriu u gëzue shumë se mendoi se tash e ka çdo mundësi me ia mbrri qëllimit. Sa ma shumë iu afrojke vendit ku Omeri qe ulë, aq ma shumë qëndrimi i tij ndryshojke, deri në fund e lshoi thikën prej dore, edhe tha: "Une s'mundem me të lëndu ty. Kallxom, cila asht ajo fuqi qi po më stepë prej qëllimit që kam ardh me e kry?" Omeri iu përgjigj: "Shlyerja e fajit me Zotin". Pa dyshim qi kjo asht nji shprehje religjioze, ama çka don me thanë shlyrja (e fajit) me Zotin? Asht me kenë i akodrum me të Pafundshmen, në harmoni me tanë universin. Shkurt e shqip, Omeri ka kenë vendi i muzikës së tanë universit.
Hiri i madhnishëm qi personaliteti i të shenjtve ka shpërfaqë nëpër tanë epokat asht përgjigja e tyne ndaj muzikës së Krejt Qenies. Ky ka kenë sekreti se qysh janë ba shokë me armiqtë e tyne ma të mdhenjë. Po kjo s'asht fuqi veç e të shenjtve, kjo shpërfaqet te secili njeri në nji nivel a tjetrin. Gjithkush shpërfaqë harmoni a joharmoni në bazë të hapjes së tij ndaj muzikës së universit. Sa ma shumë qi ai asht i hapun ndaj gjithçkaje të bukur e harmonike, aq ma shumë jeta e tij asht e akordueme me harmoninë universale, aq ma shumë ka me shpërfaqë nji qëndrim të shoqnueshëm ndaj krejt atyne qi i takon. Vet atmosfera e vet ka me krijue muzikë rreth tij.
Dallimi në mes kandvështrimit material dhe kandvështrimit shpirtnor asht se kandvështrimi material e shef materien si gjanë e parë, prej së cilës intelegjenca, bukuria edhe krejt gjanat e tjera masnej evoluen. Prej kandvështrimit shpirtnor na e shofim qi intelegjenca edhe bukuria vijnë të parat, e masnej prej tyne vjen çdo gja qi ekziston. Prej kandvështrimit shpirtnor na shofim se vjen e para ajo qi dikush e konsideron si të fundit. Për ate në thelbin e Krejt Qenies, asht muzika. Qashtu qysh nji mundet me e pa qi në thelbin e nji fare trandofileje asht trandofileja, parfumi, forma edhe bukuria saj. Edhe pse në farë trandofileja nuk asht e shpërfaqun, prap në thelb ajo asht aty. Ai qi e akordon vetveten jo vetëm me të jashtmen po edhe me qenien e brendshme e edhe me thelbin e krejt gjanave, fiton nji mprehtësi në thelbin e Krejt Qenies. Prandej ai mundet me e shiju erën edhe lulen që ai e shef në trandofile, edhe në nji farë.
Nji ndër gabimet e mdha të kësaj kohe asht qi aktivitetet janë rritë tejmase sa qi asht lanë pak hapsinë për çlodhje gjatë përditshmërisë. Çlodhja asht sekreti i soditjes edhe meditimit, sekreti i akordimit me ate anë të jetës qi asht thelbi i tana gjanave. Kur njeriu nuk asht i mësuem me u çlodhë, ai nuk e din se çka asht mbrapa qenies. Kjo gjendje arrihet të jetohet mas së pari tue përgatitë me anë të pastrimit trupin, e edhe mendjen. E tu i stërhollu senset atij i mundësohet qi me iu akordu shpirti me Krejt Qenien.
Duket që asht e komplikueme, ama në anën tjetër asht shumë e thjeshtë. Kur njeriu asht i hapun ndaj shokut qi asht sprovue prej jetës, ai ka me ditë shumë për te. Veç hapja e zemrës, veç shlyerja (e fajit) më shokun janë ato qi na bajnë me ja njof fajet edhe meritat e tija. Na bajnë me dijtë se qysh me përjetu dhe shiju shoqninë. Aty ku ka urrejtje, gjykime edhe idhnime, aty ka humbje të mirëkuptimit. Sa ma i thellë qi nji njeri asht, asht ma shumë shokë ka ai. Asht vogëlsia, ngushtësia, mungesa e zhvillimit shpirtnor qi e ban nji njeri përjashtues, të largët edhe ndryshe prej të tjerëve. Ai e ndinë veten ma të naltë, ma të madh e ma të mirë se tjerët. Qëndrimi i tij shoqnor duket qi asht humb. Në ket mënyrë ai e shkëputë veten prej tjerëve, e tani këtu qëndron tragjedia e tij. Ky njeri kurrë nuk bahet i lumtun.
Njeri i lumtun asht ai qi asht i gatshëm me kenë shok me të gjithë. Botëkuptimi i jetës së tij asht me kenë i shoqnueshëm. Ai nuk asht i shoqnueshëm veç me njerëzit, po edhe me objektet edhe gjendjet. Asht prej këtij qëndrimi shoqnues qi njeriu i zgjanon edhe i rrënon muret qi e mbajnë në burg. E tue i rrënue këto mure ai e jeton shlyrjen (e fajit) me Absoluten. Kjo shlyrje me Absoluten shpërfaqet si muzikë e sferave, edhe kte ai e jeton në çdo kand; në bukuritë e natyrës, në ngjyrat e luleve, në çdo gja qi shef, në çdo kand qi takon. Në orët e soditjes edhe vetmisë, edhe në orët kur ai asht në mes dynjasë, muzika për te asht gjithmonë aty, e ai asht gjithmonë tue shiju harmoninë.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)