Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në Angli
mes vjetit 1914 dhe 1919
Tingulli asht nji veprimtari e ndijshme qi përshkon tanë jetën. Tingujt e ndryshëm ndryshojnë prej shprehjes së jashtme, po në brendi të saj asht nji dhe e njajta veprimtari e cila i drejton tanë tingujt. Sa ma thellë qi hyjmë për te msheftësia e tingullit, aq ma shumë mundemi me gjurmue lidhjen qi i lidhë tanë ato. Muzikantët ket lidhje e quejnë harmoni, dhe në harmoni mshifet sirri i gëzimit e paqes.
Qashtu qysh nji tingull drejtohet prej nji tingulli tjetër, qashtu çdo lëvizje shkaktohet prej nji lëvizjeje tjetër. Prandej, asnji veprimtari nuk mundet me zanë vend pa nji veprimtari drejtuese, e qajo veprimtari qi i drejton krejt quhet Zot. Kjo mbështet argumentin e fatalistit qi thotë se gjithçkaja bahet prej Zotit, e edhe e provon pikëpamjen e metafizikut kur thotë se nuk ka diçka si rastësia. Në të njajtën kohë shpjegon qi vullneti i lirë mbetet, pasi qi çdo tingull, në shpërfaqjen e tij të jashtme, mshefë në brendi veprimtarinë drejtuese në te. Pra, mbrapa asaj qi njeriu e quen "vullnet i lirë" qindron i mshefun vullneti i Zotit.
Teksa tingulli shpërfaqet në mënyra të llojllojshme nëpërmes instrumenteve të ndryshme, nji tingull e ndihmon nji tjetër, harmonizohohet me nji tjetër, e nji tjetër tingull ndryshon prej nji tjetri apo e mbulon ate. Krejt kjo shkaktohet thjesht prej instrumenteve, prej përgjigjes ndaj fuqisë drejtuese në brendi, e edhe lidhjes në mes tyne.
Kjo simbolikë i shpjegon të gjitha anët e jetës, edhe kallxon se e mira dhe e liga, kënaqësia e dhimbta, e drejta dhe e shtrembta, tana rrjedhin prej nji burimi. Kështu, ngushëllimi ma i randësishëm për nji mendimtar asht të kuptuemit e msheftësisë së jetës, kuptim i cili përballon rizanë në çdo gjendje.
Mistiku s'ka nevojë me e ndjekë parimin e rizasë pos kur bahet fjalë për lehtësi. Mistiku lypset me kenë i gatshëm me u çue e me u merr me shkakun në vend se me ndejtë i pafuqishëm para kambëve të pasojës. Kjo mjeshtëri në termat sufiste e ka emrin velajet.
Asht kallxue se qysh çdo veprimtari e jashtme asht e drejtueme prej nji lëvizjeje të brendshme, edhe se qysh, në burim të saj, asht nji shkak parësor. Duhet me u kuptue se çdo valë e jetës qi asht vu në lëvizje prej shkakut parësor, punon drejt nji qëllimi. Qëllimi bahet ma i kjartë me çdo lëvizje të saj, dhe në çdo etapë të evolimit e përshtatë vetveten, kështu tuj ba nji harmoni të përkryeme. Edhe pse në nji hapsinë të kufizueme e njajta veprimtari mundet me u dukë joharmonike. Prandej, e mira dhe e liga, e drejta dhe e shtrembta, kur këqyren prej nji shikimi të mprehtë, lidhen me nji qëllim të caktuem, kështu tuj provue se janë të harmonishme prej nji kandvështrimi të Tanësisë së përkryeme.
Çdo valë e jetës e cila buron prej pjesës ma të brendshme të jetës, me çdo lëvizje të njipasnjishme bahet ma e fortë. Asht nji shtysë e lehtë qi i jepet rrotës e cila e ban me lëvizë, edhe me çdo rrotullim fuqia e saj rritet. Sufiu i njeh tri etapa të lëvizjes. Këto tri etapa s'asht e thanun me kenë të njajta me çdo aspekt të jetës, për shkak se çdo veprimtari merr formën e nji rrethi, rrote, e e mbulon tokën në saje të perimetrit të saj. Prandej, këto tri etapa munden me u quejt, etapa e ngadalshme, etapa me shpejtësi mesatare dhe etapa e shpejtë.
Në të njajtën kohë çdo veprimtari formon nji zakon, i cili e kufizon çdo lëvizje në intervale të caktueme kohore, dhe asht kjo karakteristikë e jetës e cila e formon ritmin. Qashtu qysh asht e nevojshme qi çdo lëvizje me kenë burimi dhe mbajtësi i fuqisë së jetës, qashtu asht e nevojshme me ekzistue ritmi në çdo veprimtari. Asnji lëvizje s'mundet me ekzistue pa ritëm. Ritmi kur ka nji natyrë të dyfishtë, ndihet prej tanëve, a kur s'e ka, nuk përceptohet.
Ritmi ka dy elemente, lëvizshmërinë dhe rregullsinë. E para ka nji lëvizje përpara a e dyta nji lëvizje anësore. Forma e cila formohet prej lëvizjes së ritmit mundet me u kundrue me anë të dritës së dukshme, e cila, në pamjen e nji mendjeje të koncentrueme paraqitet me formën e kryqit.
Llojllojshmëria e cila gjindet në tana anët e jetës vjen kryesisht si pasojë e tri etapava të ritmit dhe dy elementeve kryesore të saj. Por, prej këtyne dy elementeve kryesore del në pah nji element i tretë, ajo e lëvizjes kaotike në të cilën lëvizshmëria dhe rregullsia përplasen me njena-tjetrën. Me anë të njohjes së ritmit, mistiku prej sifatit të çdo veprimtarie kupton shkakun dhe pasojën e veprimtarisë së veçantë.
Elementi i parë i ritmit, lëvizshmëria, asht i butë, frytdhanës, krijues edhe rritës. Elementi i dytë, rregullsia, asht veprues, mbështetës dhe kontrollues. Asht njiashtu frydhanës, krijues dhe mbajtës në nji etapë ma të zhvillueme të gjanave. Elementi i tretë, lëvizja kaotike, shpjen në joveprimtari, në kalbje, prishje dhe vdekje. Idea e Trimurtit - tri anët e Zotit, tek hindutë ka simbolikën e këtyne tri fuqive qi punojnë si parime kryesore të jetës. Ato janë të emërtueme kështu, Brahma - Krijuesi, Vishnu - Mbajtësi dhe Shiva - Shkatërruesi.
Dy etapa janë në çdo veprimtari, veprimi dhe përfundimi. Veprimi shpërfaqet si i zashëm dhe përfundon si diçka e dukshme. Ka nji pohim rreth kësaj në Bibël kur thuhet se mas pari ka kenë fjala e masnej ka ardh drita. Në lidhje me kte Kur'ani thotë se mas pari fjala asht thanë e masnej gjithçkaja asht shpërfaqë. Në nji formë a tjetrën, në çdo veprimtari e cila zbret prej padukshmërisë ne të dukshmen. Etapa parapërgatitëse e çdo gjaje asht e zashme, dhe kur kryhet ajo bahet e dukshme. Me fjalë tjera, prej botës së tingujve vjen bota e formave. Për ate hindutë Nada Brahmën e quejn Tingulli-Zot, Krijuesi.
Çdo gja mundet me u studjue e me u kuptue tue kuptu natyrën e jetës së përkryeme. Zoti mundet me u studjue e me u kuptue tuj studju natyrën njerëzore, e njeriu mundet me u studjue e kuptue tuj studju e kuptu Zotin.
Mbasi qi çdo gja asht ba prej fuqisë së tingullit, prej vibrimit, atëherë çdo gja asht ba prej nji pjese të saj dhe njeriu mundet me e krijue botën e tij po prej kësaj fuqie. Në mes tana aspekteve të dijes, ajo e tingullit asht ma e nalta, se të gjitha aspektet e dijes mbështeten në njohjen e formës, përveç njohjes së tingullit, qi asht përtej çdo forme. Me anë të dijes së tingullit njeriu mundet me mbërri dijen e krijimit, dhe mjeshtrimi i asaj dijeje e ndihmon ate me u naltësue në të paformën. Kjo dije për njeriun luen rolin e krahëve, e cila i ndihmon atij me u naltësue prej tokës në qiell, kështu ai mundet me hy mespërmes jetës së dukshme dhe të padukshme.
Dija e tingullit asht çelsi i msheftësisë mbasi e tanë shpërfaqja asht nji fenomen i tingullit. Dija e tingullit vepron si nji udhërrëfyese në labirintin e emrave dhe formave. Për ket shkak jogistët i kanë dhanë randësi të madhe mantrajogës e cila për sufitë asht ziqri. Nuk ka asgja qi njeriu s'mundet me arritë me anë të fuqisë së ziqrit, veç i duhet me ditë cilin ziqër, qysh edhe për çfarë synimi me e përdorë.
Qashtu qysh tingulli ka fuqinë krijuese në te, ai ka edhe fuqinë shkatërruese. Siç thuhet në shkrimet e shenjta "tingulli i borisë së fundit", e cila jep me kuptue fuqinë shkatërruese të tingullit.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (Shtator, 2022)