Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Balkanlarda Tasavvuf (2012) është një seri dokumentaresh mbi tesavufin apo sufizmin në Ballkan të dizajnuar, shkruar dhe prezantuar nga Petrit Çarkaxhiu, prodhuar nga Berkant Curi dhe përkthyer në turqishte nga Zekiye Cafçe. Këta dokumentarë janë pjesë e televizionit turk, TRT Avaz. Këtu po i vegëzojmë 13 episode të kësaj serie (për t'i parë, klikoni në titujt përkatës):
Hyrje
Si hyrje në këtë seri dokumentaresh mbi tesavufin në Ballkan, Petrit Çarkaxhiu interviston historianin dhe osmanologun Profesor Nehat Krasniqin në Prishtinë. Krasniqi na tregon mbi domethënien dhe kuptimet e tesavufit, kur është shfaqur për herë të parë në Ballkan, kur është institucionalizuar dhe shumë detaje të tjera historike. Ndër personalitetet që përmenden në këtë episod janë: Mehmet Begu, Mehmet Kukli Beu, Sulltan Murati, Sulltan Bajazit Rrufeja, Sheh Osman Baba, Sheh Ali Pazari etj. Në këtë muhabet jepet një prapavijë e përgjithshme e tarikateve në këto treva, si ajo e tarikatit halveti, bektashi, saadi, kaderi e nakshibendi.
Në këtë episod gjenden dy intervista, njëra me Dr. Ali Iljazin dhe tjetra me sheh Ruzhdi Shehun e tarikatit Saadi në Gjakovë. Dr. Ali Iljazi, ndër tjerash, flet mbi Medresen e Gjakovës dhe sesi në këtë medrese është mësuar Ihjaja e Imam Gazalit. Kurse, biseda me Sheh Ruzhdi Shehun përmban historinë e Teqesë Saadije në Gjakovë dhe disa informata të përgjithshme të këtij tarikati dhe praktikës së ziqrit në të.
Për të vazhduar dokumentimin e përgjithshëm të traditës së tesavufin në Ballkan, Çarkaxhiu na dërgon në Prizren ku interviston Taner Kotle, Taxhidin Bytyçin dhe sheh Abidin Shehun e tarikatit halveti. Kotle dhe Bytyçi na rrëfejnë në përgjithsi rreth historisë së islamit dhe ardhjes së tarikateve në Prizren, kurse sheh Abidin Shehu na tregon rreth tarikatit halveti të degës ramazani, shehlerëve, riteve fetare dhe historisë së asitanes halvetie në përgjithsi. Vlen të përmendet se tarikatet e përhapura në Prizren qysh në kohën e osmanlive, ndër tjerash, janë: tarikati halveti, kaderi, rifai dhe melami.
Në këtë episod paraqitet muzika dhe ilahitë prizrenase të kënduara në tarikate të ndryshme të këtij vendi. Këtu keni mundësinë t'i dëgjoni disa prej këtyre këngëve nga shoqata prizrenase "Doğru Yol" e themeluar në vitin 1951 në Prizren.
Në episodin e pestë të "Tesavufit në Ballkan", imam dhe sheh Selim Buzolli i tarikatit melami na tregon rreth tarikateve në Mitrovicë dhe disa bejtexhinjëve të këtij vendi. Këtu tregohet sesi shumë prej teqeve të Mitrovicës u djegën nga forcat serbe përgjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-9). Buzolli njëashtu rrëfen mbi historinë, pirin (plakun shpirtëror) dhe rrugëtimin shpirtëror të melamive.
Përgjatë udhëtimit në Rahovec, Çarkaxhiu na prezanton me tarikatin halvetije të atij vendi të udhëhequr nga sheh Besim Shehu. Në bisedë me sheh Besimin, tregohet mbi historikun e teqesë, arkitekturën e saj dhe ritet brenda tarikatit. Në fund paraqitet një ziqr dhe këndohen disa ilahi nga grupi i mirënjohur "Arshikët e Xërxës".
Në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut, në kufi me Shqipërinë, gjendet qyteti i Strugës. Popullsia në Strugë, vend ky afër Ohrit dhe me qasje në liqenin e Ohrit, përbëhet 35% prej shqiptarëve, 35% prej maqedonasëve dhe diku rreth 4-5% prej turqelive. Në të gjendet një xhami e vjetër osmane e quajtur Xhamia e Sylejman Çelebisë. Në këtë episod, Çarkaxhiu na fton të informohemi më shumë rreth rolit të tarikateve në këtë rajon, e sidomos tarikatit halveti të degës hajati i cili ende gjallon në ato anë. Bisedat me imam Ejup Jakubin dhe me sheh Ilhanin thellohen në jetën e vendasëve dhe traditën e ritet e teqes halvetije-hajatije në këto anë.
U deha në mejhanen e dashurisë tënde
ç'u bë me ty o zemër, ç'u bë?
Më dogje mua ti
ç'u bë me ty o zemër, ç'u bë?
Eja tani o i dashur shok i ngushtë
Eja më trego fshehtësinë, o syhapur
Një fshehtësi u bë ndodhi
ç'u bë me ty o zemër, ç'u bë?
— Hazreti Pir Mehmet Hajatiu
Ohri, xhevahiri i Maqedonisë, ka rënë nën sundimin osman në vitin 1395. Për këtë qytet të bukur ka shkruar edhe udhëtari i famshëm, Sinan Çelebiu në vitin 1670 i cili e përshkroi atë si vend me 365 kisha, 32 xhami, 2 medrese dhe 2 hamame. Nga këto 32 xhami, vetëm 9 kanë mbetur deri në ditët e sotme. Në këtë episod Çarkaxhiu na sjell një muhabet të bërë me zotëri Xhemal Rrahmanin i cili na flet për traditën e tarikatit në këto anë, përkatësisht atë halveti. Përveç halvetive, në Ohër ka (pasur) bektashi, nakshibendi dhe kaderi. Hazreti Mehmet Hajatiu, Shën Naumi dhe Sheh Osmani janë disa nga emrat që përmenden në këtë episod.
Sulejman Pashë Bargjini, në vitin 1614, themeloi qytetin e Tiranës si një ndër qytetet osmane të kohës. Pas Perandorisë Osmane dhe me ardhjen e komunizmit, arkitektura e jashtme dhe shpirtërore e këtij qyteti fillon të ndërrojë rrënjësisht. Tradita shpirtërore islame me institucionet e saja fillojnë të kenë një rënie të qartë. Në këtë episod mund të dëgjoni një intervistë të sheh Ali Pazarit, sheh i tarikatit halveti, një intervistë tejet të shkurtër me prijësin e tanishëm bektashian dhe me një qytetar e dashamir të nejit dhe udit, Elinor Butkën.
Mustafa Canka, autor i librit "Ulqini në Perandorinë Osmane" (2012), në këtë episod na tregon rreth historisë së Ulqinit, sidomos qysh prej Perandorisë Osmane dhe ndikimeve kulturore dhe fetare që kishte pasur ajo në këto anë. Përveç misionarëve dhe dervishëve e shehlerëve sufi që erdhën dhe shpërndanë islamin në Ulqin, Canka na tregon se në këtë vend ka jetuar edhe "Mesihu (falso)" i hebrejve, Sabetaj Sevi. Për këtë shkak, "Ulqini hyn në rrafshin mesianik botëror" - shprehet ai. Sheh Sylejman Axhiza Baba, Hafiz Ali Ulqinaku dhe përkthimi i Mevludit nga ai janë disa nga emrat e mirënjohur që përmenden dhe shtjellohen në këtë episod.
Gjirokastra, vend i vjetër shqiptaro-osman i futur nën mbrotje të UNESCO-së, pësoi shumë shkatërrime të objekteve fetare nën ndikimin e Enver Hoxhës në vitin 1968. Të 13-të xhamitë që ishin qysh prej periudhës osmane, u shkatërruan dhe mbeti vetëm një. Në këtë episod, sheh Reisi i tarikatit halveti na tregon rreth ndikimit të komunizmit në islamin dhe tarikatet e Gjirokastrës, mbi shehlerët e ndryshëm të cilët sollën islamin dhe tesavufin në ato troje dhe në fund na këndon disa vargje nga Mesnevia e Mevlanës të përkthyera nga vet ai.
Shkodra si djep kulture ka mbajtun në gjirinë e saj edhe tarikate të ndryshme islame. Ndër më të njohurat është tarikati rifai i themeluar nga Sheh Ahmet Shkodra. Në këtë episod mund të ndiqni dy intervista mbi tarikatin rifai në Shkodër. Njëra është me Shpëtim Balën dhe tjetra me Andi Hysën. Në këto muhabete preket historiku i islamit në Shkodër dhe tesavufit në veçanti. Njëashtu flitet mbi rolin e ilahive dhe poezive lirike të tesavufit, usta i të cilave ka qenë Sheh Ahmet Shkodra për të cilin mundeni me lexu më shumë këtu.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është një ndër qytetet që ka pësuar më së shumti shkatërrime arkitekturore të ndërtuara përgjatë periudhës osmane. Këto shkatërrime vërehen edhe në kulturën shpirtërore dhe atë folklorike të cilat ende mbahen gjallë nga disa individë të paktë të këtyre anëve.
Në rrugën ku gjenden tre xhamitë më të bukura dhe më të vjetra të Prishtinës, si Xhamia e Madhe, Xhamia e Jashar Pashës dhe Xhamia e Çarshisë, gjendet edhe teqja e tarikatit kaderie. Në këtë episod mund ta dëgjoni një intervistë me Enver Halilin i cili na flet për tesavufin në përgjithsi dhe atë të tarikatit kaderi në veçanti. Me fokus të veçantë ndaj dashurisë së Allahut dhe Pejgamberit të Tij (selami qoftë mbi te), Halili na tregon mbi thelbin e kësaj udhe shpirtërore islame.
Shënim: Të gjitha këto dokumentare gjenden jashta Trandofilishtes.
Fotografia në sfond: Brendësia e xhamisë së Hadumit në Gjakovë (Janar, 2026)