Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Pam Platt: Sot do të dëgjojmë një fjalim nga Omid Safiu. Omidi është dijetar dhe fitues i çmimit Rumi dhe udha sufiste e dashurisë radikale. Ai është profesor i shkencave islame në Universitetin Duke ku edhe është emëruar dhjetë herë si profesor i vitit. Vepra e tij Kujtimet e Muhammedit është një biografi e pejgamberit Muhammed. Libri i tij më i fundit është Dashuria radikale: Mësimet e traditës mistike islame. Dy librat e tij të ardhshëm të cilat flasin rreth Rumit dhe urtakut sufi Harakanit do të botohen nga Princeton dhe Yale. Ai mbanë një podcast me emrin "The Sufi Heart" [shq. Zemra e Sufiut]. Udhëtimet e tija "Illuminated tours" i ka bashkuar 12.200 miq nga 20 vende të ndryshme, të cilët kanë udhëtuar në Turqi, Maroko dhe Umre. Safiu jep mësime online mbi sufizmin dhe Rumin nëpërmes "Illuminated courses" [shq. Kurseve ndriçuese].
Omid Safiu: Mirëmengjesi miq, selam alejkum. Paqi paqen e Zotit. Sot do të doja të paraqitesha para jush duke folur për gëzimin, qetësinë, dashurinë, dhembshurinë dhe mëshirën. Këto i di unë. Në këto i kam shpenzuar dhe përkushtuar 40 vitet e fundit të jetës sime. Biles kam shkruar një libër që quhet Dashuria radikale e që përfshinë 1400 vite të mësimeve rreth dashurisë. Në traditën time, ne jemi udhëzuar ta kemi zemrën aty ku na shkelin këmbët dhe jemi të thirrur të familjarizohemi me të pakohën e në të njëjtën kohë të jemi të kohorë. E po e pyes veten, çka thotë dashuria sot? Të gjithë ju jeni duke i parë lajmet e njëjta ashtu si unë. Çfarë udhëzimi na dhuron kjo dashuri? Çka na mëson dashuria në kohë lufte, konflikti dhe kohë bombardimesh? Ju premtoj se ky fjalim nuk do të jetë kaq i dëshpëruar.
Do të nisim me një rrëfim nga urtaku sufi Harakani, një bari analfabet. Ai rrëfen një histori të mrekullueshme që bën fjalë për dy vëllezër, njërin të cilin e quan lutësi. Lutësi i kalon ditët e netët duke u lutur. Tjetri i kalon ditët dhe netët duke i bërë hyzmet nënës së tyre e cila ishte e vjetër, e sëmurë dhe e dobët. Ai i kryen lutjet themelore, e kryen minimumin e duhur, ama kohën e përkushton te: "nënë a të sjell ujë", "nënë a të ndihmoj të shkosh në banjo", "nënë, a ke nevojë për ushqim". Pra, këta dy vëllezër udhëtojnë nëpër dy udhë të ndryshme. Në një natë prej netëve, Lutësit i dhurohet ajo për të cilën ne të gjithë shpresojmë, ai sheh në ëndërr Zotin. E dëgjon zërin e Zotit duke i folur dhe duke i thënë: "Për hatrin e vëllaut tënd të përgëzoj me faljen e të gjitha gjynaheve tua dhe të tij dhe me praninë Time". Lutësi thotë: "O Zot, tërë jetën e kam kaluar duke pritur për këtë gjë. Ama Zoti im i dashur, mendoj se jeni gabim. Mendoj se çka deshët të thoni, o Zot, është se për hatrin tim, për hatrin e të gjitha lutjeve dhe përkushtimeve të mia ju keni vendosur të na falni, sepse tek e fundit unë jam lutësi. Harakani e përfundon rrëfimin në një çast kthese, ku Zoti përgjigjet e thotë: "Jo jo, e kam goxha të qartë për kë po flas. Unë s'ua kam nevojën lutjeve që ke bërë për Mua, por nëna jote ka nevojë për ty."
Dhe kështu përfundon rrëfimi. "Nëna jote ka nevojë për ty". Kush ka nevojë për neve sot? Unë jam një baba i pesë fëmijëve. Paraprakisht po tregoj se nuk do të paraqes trupa të përgjakur dhe gjëra të tilla. Njerëzit e meritojnë dinjitetin edhe nëse kanë vdekur. Por kjo është një ndër fatlumet e cila ka shpëtuar [përkth. Këtu Safiu paraqet në fotografi një vajzë që u ka shpëtuar rrënojave në sulmet e fundit të Izraelit ndaj Gazës]. Tani kemi një shkurtesë për ta që nuk e kemi pasur më parë. WCNSF: Wounded Child No Surviving Family [shq. FLPFM: Fëmijë i Lënduar Pa Familje të Mbijetuar]. Çdo njeri që e ka dashur këtë fëmijë është vrarë. Çfarë ka për tu thënë dashuria atyre?! E dimë historinë dhe politikën e ngjarjeve dhe këto tema kanë një kohë të veten. Por ne si qenie të dashurisë, çfarë kemi për tu thënë fëmijëve të tillë? Për të mos ju copëtuar më shumë zemra mund të fillojmë nga muzika e viteve të 80-ta. Nëse them "What is love?" [shq. "Çfarë është dashuria?"], ju thoni "Baby don't hurt me!" [shq. "I dashur mos më lëndo!"]. Aty duhet të fillojmë: "Çfarë është dashuria? / I dashur mos më lëndo!". Më pas nisim e flasim për dashurinë e Zotit, për dehjen e dashurisë mistike, por së pari a mund të fillojmë me "i dashur mos më lëndo!"?! Mos më bombardo; mos më privo nga ushqimi; mos ma merr tokën. Më pas mund zhvillohemi. Ne jemi të bekuar që kemi pejgamberë dhe pejgambere, urtakë, buda dhe mësues të ndriçuar. Kur pejgamberi jonë i dashur ngritet te Allahu dhe ka takim ballë për ballë me Të, që në realitet është shembull për ne për të gjitha gjërat që i bëjmë, Zoti i jep mundësinë të zgjedh. Kjo zgjedhje është po e njëjta që iu është dhënë edhe budisatva-ve. Ti mund të qëndrosh në këtë gjendje lumturie për aq kohë që dëshiron. Ai ﷺ prej edepit ndaj Zotit nuk i thotë as po as jo, vetëm thotë: "Njerëzit". Njerëzimi, krijimi. Unë nuk mund të qëndroj në këtë lumturi derisa shpirti i fundit ka një mundësi për tu ngritur. Për këtë gjë jemi të thirrur.
Dua të flas pak për Rumin, këtë fener të bukur dashurie. Ai jetoi në një kohë edhe më të vështirë se kjo e jona, kur 10% e gjithë popullatës botërore u fshi nga faqja e dheut. Në të njëjtën kohë ai ngritet dhe thotë:
"E di se je i lodhur,
e di se je i lënduar,
megjithatë hajde,
kjo është rruga!"
Ai thotë:
"Nëse ke humbur kurajon
në rrugën e dashurisë,
eja te unë pa vonesë".
Ai na sjell në mend se dashuria nuk është një ndjesi apo ndjenjë, apo siç i them unë adoleshentit tim, dashuria nuk është një emoji. Nuk mund ta shkruani dashurinë, por mund të çoni dashuri. Dashuria jetohet, mishërohet. Në fund të fundit, dashuria nuk është e jona. Dashuria është e Zotit. Sepse Zoti është dashuria. Dashuria na ka sjell këtu, dashuria na mbanë. Dashuria është një lum kozmik që gufon nga Zoti. Nëse vetëm për një frymë të vetme do të mund ta tejkalonim veten/nefsin tonë të "mirë" në mënyrë që të zhytemin në lumin e dashurisë, ai do të na kthente drejt shtëpisë. Por ky lum duhet të jetë si ndriçimi i diellit, duhet të bjerë në gjithçka dhe gjithkë. Ai duhet të jetë si ajri. Ajri që e frymojmë në këtë sallë është ajri që të gjitha pemët, bimët dhe kafshët e frymojnë. Ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin, prandaj kjo dashuri nuk lejohet të jetë e ndarë në fise e kombe. Në një pikë Rumi thotë:
"Unë e ti duhet të jetojmë sikur asnjëherë të mos kishim dëgjuar për një unë dhe një ti"
Dua të përfundoj me diçka për tu kujtuar. Çdo vit e kam mundësinë që t'i marrë njerëzit dhe t'i çoj nëpër vende sakrale ku myslimanët, hebrenjtë, të krishterët, njerëzit e të gjitha besimeve dhe atyre që fare nuk besojnë, kanë pasur një histori të mirë bashkejetese. Jo gjithmonë të përkryer por gjithsesi. Ne shkojmë te tyrbja e Rumit. Para disa viteve kur kemi qenë atje, takuam një amerikane të mrekullueshme që jeton në Maroko, njëherish edhe një mike e mirë e mikut tim të dashur Grey Henry-së. Emri i saj është Nora dhe është myslimane amerikane. Ajo punon në një organizatë joqeveritare marokene të cilët u bëjnë hyzmet grave të pambrojtura. Grave të rrezikuara, të cilat kanë qenë të abuzuara, braktisura dhe të ndara. Tek qëndronim përskaj tyrbes së Rumit ajo tha: "Omid, çdo gjë që thua rreth dashurisë dhe dashurisë radikale është shumë e bukur dhe e vërtetë. Nevoja për tu ngritur mbi nefsin tonë dhe prej dashurisë ta shtyejmë veten tonë të kujdesemi për dikë tjetër, është reale. Është e vërtetë se duhet t'ia kujtojmë vetes se ne nuk jemi faraoni por as Zoti dhe se duhet ta zbusim nefsin dhe përulim atë. Por unë tërë kohën e kaloj me gra të cilave gjatë gjithë jetes së tyre u është thënë të jenë një hiçgjë dhe një askush. Pra, çfarë mund tu thotë rruga e dashurisë njerëzve të cilët gjithmonë u është thënë të jenë askush dhe hiçgjë. Si mund t'u them atyre, ejani dhe afrojuni Zotit duke u bërë edhe më hiç, edhe më askush? Mbase, gjëja që mund t'i ofrojmë atyre është t'i shikojmë përmes dashurisë dhe tu themi se ata janë dikushi dhe se për dikë, janë gjithçkaja. Se janë të çmuar në sytë e Zotit dhe se jeta e tyre ka vlerë, kuptim e bukuri.
E kam mbushur kohën që e pata. Edhe për një minutë do ta abuzoj privilegjin që kam, pastaj mbase nuk do të ftohem më.
Kjo është një ndër evlijatë ('shenjtoret') më madhështore të traditës sime [përkth. Këtu Safiu paraqet një portret të Rabia El Basrit]. Ajo ka lindur si një e krishtere, pastaj është skllavëruar për një kohë dhe në fund bëhet një mistike madhështore myslimane. Emrin e ka Rabia. Në kujtesën tonë ajo paraqitet duke vrapuar nëpër qytet me një fenerë të ndezur në njerën dorë e me një kovë me ujë në tjetrën. Është një pamje e çuditshme. Njerëzit i thonë: "Rabia, çfarë po bën kështu?" Ajo u thotë: "Do ta gjej xhenetin dhe do ta shkrumoj atë. Do ta gjej xhehnemin dhe do ta shuaj zjarrin e xhehnemit në mënyrë që njerëzit nuk do të kenë më arsye tjera për t'i bërë ibadet Zotit pos për hatrin e Vet Zotit". Ajo thotë: "O Zot, nëse të bëj ibadet prej frikës së xhehnemit, më digj në të. Nëse të bëj ibadet për të bërë pazar xhenetin, atëherë bëje të jetë haram për mua. Por, nëse të bëj ibadet vetëm për hatrin Tënd, mos më privo nga Bukuria Jote e Përjetshme."
Rrëfimi i fundit me të cilin edhe po e përmbyllë është: Një ditë prej ditësh ajo ecte kur një predikues po predikonte në xhami, në kishë apo në tempull, e po përsëriste ungjijtë: "Trokit dhe do të të hapet dera; pyet dhe do të të jepet përgjigjja". Rabia e ngritë kokën e thotë: "Çfarë thatë?" Predikuesi, i bezdisur që kjo grua e ndali fjalimin e tij të bukur, i thotë: "Moj grua, unë thashë trokit dhe do të të hapet dera." Rabia i thotë: "Ahmak! Dera nuk ka qenë asnjëherë e mbyllur." Rumi rreth kësaj thotë:
I dashtun,
ti ke trokitë e ke trokitë në derën e Zotit
po s'je tue ditë
qi je tuj trokitë prej s'brendshmi!
Ti veçse je brenda. Ti veçse je në shtëpi. Le ta kuptojmë çfarë ka për të na thënë dashuria kur jemi brenda Zotit.
Pam Platt: Faleminderit Omid. Fjalimi qe i dashur. Në fillim ju folët rreth të qenurit i jokohor dhe kohor në të njëjtën kohë. Dashuria sigurisht që është e jokohore dhe kohore, por ngjashëm janë edhe forcat e errëta, urrejtja, konflikti. Kjo luftë paraqitet në të gjitha librat e shenjtë. Duke i shikuar ato, çfarë shprese keni se kjo luftë nuk do të vazhdojë përgjithmonë? A ka ndonjë rrugëzgjidhje për një ndryshim të përhershëm në shndërrimin e njerëzve?
Omid Safiu: Përjetshmëria i takon punës së Zotit. Ne jemi evladët e së tashmës. Për çdo frymëmarrje, unë jam përgjegjës t'ia lehtuar vuajtjen dikujtë, sado i paktë që të jetë ai lehtim. Jam përgjegjës të sjell një copëz rrezeje dashurie e mirësie në këtë botë. E di se nuk do të jetë kështu gjithmonë sepse Zoti është një Zot i Bukur dhe i Mirë. Sikurse errësira e natës edhe padrejtësia nuk mund të zgjatë përgjithmonë. Të gjitha shkrimet tona të shenjta kanë rrëfime të njerëzve duke u sjellur në mënyrë tmerruese. Ne duhet të dimë edhe se si t'i përgjigjemi diçkaje të tillë duke e mbajtur në mend se bota nuk është e ndarë në njerëz të mirë dhe të kqinjë, porse këto janë luftëra brenda gjithsecilit prej nesh. Rrëfimet që i lexojmë në shkrimet e shenjta janë pasqyrat tona në mënyrë që të kuptojmë se ne jemi ndjekësit e pejgamberëve dhe ne të njëjtën kohë jemi vet pabesimtarët. Disa prej nesh po e bëjnë një punë më të mirë në mishërimin e disa pikave të gjërave që po i shohim. Unë i kthehem idesë se ne të gjithë kemi bashkë në këtë luftë. Ne ose ngritemi bashkë dhe mësohemi sesi të jetojmë në hijeshi me njëri-tjetrin, ose të gjithë dështojmë. Nuk kemi mësuar ende se si të jetojmë në ndonjë planet tjetër. Universi ka më shumë planete dhe galaktika sesa që ka grimca rëre në Tokë. Kjo është shtëpia që e kemi dhe nëse e shkatërrojmë këtë, ne nuk kemi plan të dytë. Ne mundemi t'i bombardojmë trupat dhe t'i bëjmë ato copa-copa, por nuk mund ta bombardojmë udhën drejt paqes. Paqja nuk është një vend i caktuar por është vet udha. Duhet ta kuptojmë se si duket dashuria në veprim në mënyrë që pastaj ata të cilët vijnë më vonë dhe Vet Zoti të përkujdeset për të përjetshmen.
Përktheu: Trandofilishta (13 janar 2023 / 2 Rexheb 1445 H.)
Tags: Omid Safi, Lufta në Palestinë, sufizëm, tesavvuf, përkthime shqip, Rumi, Rabia el Basri, Rabia Adevija, lufta dhe sufizmi, Islami, ligjerata, muhabete, ligjerata islame, ligjerata shpirtërore,