Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
TRANDOFILI
Trandofili thelbi' njerit
Gjyli fara' Pejgamberit
Pejgamberi alejhi selam njifet ta ket lanë veç nji amanet, edhe ai asht amaneti i realitetit apo hakikatit Muhammedije, qi asht (me fjalët e Nesimit) thelbi' njerit, realiteti ma i thellë dhe vet qëllimi i krijimit të njeriut. Prandej Zoti në nji fjalë të shenjtë apo hadith kudsij thotë: "Tanë alemet i kam krijue për ty, o Muhammed". Me fjalë tjera, tanë botnat i kam krijue qi njeriu me e mbërri e me e jetue këtë thelb. Kur Zoti i drejtohet Muhammedit, Ai në fakt asht tu ju drejtue thelbit tonë, nurit me të cilit jemi krijue. Sepse çdo gja asht krijue prej nurit të Muhammed Mustafasë alejhi selam. Edhe unë... edhe ti...
E kur ky thelb mbërrinë me u jetue e me dal në pah, atëherë ai njeri njifet si i dashtun, mik apo evlija i Zotit. Atëherë merr jetë, shpërfaqet apo ban texheli ajeti:
Ve mâ arselnâke il-lâ rahmete lil alemin
Na s'të kena zbritë pos si rahmet për alemet [1]
Pra, s'të kena zbritë ty - njeriun e ndritun, evlijanë - pos me jetue sifatin e Rrahmanit.
Hyna n’bahçe t’atij mbreti
Gjithkah gjyla trandofila
Bahçja e mbretit asht bahçja e shpisë apo zemrës së Pejgamberit ku rrin farefisi i tij shpirtnor, ehli bejti [2] i tij, i cili nuk ka (vetëm) kuptimin e farefisit dhe lidhjes së gjakut, po ka kuptimin e njerëzve të cilët e shpërfaqin, e jetojnë gjenin shpirtnor të pejgamberit, nurin e tij. Këta janë ehli bejti apo evlijatë e Tij të cilët janë të gjithë (në fjalët e Nesimit) gjyla trandofila.
Vneshtat plot degë trandofili
N’hoje mjaltë prej trandofili
Annemarie Schimmel në nji muhabet të sajin na kallxon nji traditë qi thotë se bletat mjaltin e tyne e bajnë tuj çu salavate apo lutje dhe bekime ndaj pejgamberit alejhi selam. Bletat njifen të jenë simbol i udhëtarit të dashnisë apo dervishëve në udhën drejt takimit me Zotin. Kurse mjalta njifet si shërim e hojet janë shpia e mjaltit të cilat janë të ndërtueme me nji arkitekturë, gjeometri e harmoni marramendëse. Vneshtat në anën tjetër janë vendi ku piqen kokrrat e rrushit prej langut të së cilave bahet vena dehëse. E në traditën shpirtnore islame apo qysh njifet ndryshe ajo e tesavufit (sufizmit), vena asht simbolikë e dashnisë. E disa munden me thanë e dashnisë hyjnore, ama pyetja jeme kish me qenë, cila dashni qi asht dashni tamam nuk asht hyjnore?! Qysh thotë hazreti Mevlana: ndaq dueje hyjnoren ndaq tokësoren, në fund krejt jena të destinuem për matanë (Mesnevia I, 111).
Drujt' e rritun n’kajde gjyli
Selvi lisa - trandofila.
Drujt, selvitë, lisat rriten në përngjasim të gjylit. Selvia asht nji pemë e cila rritet drejtë e gjatë, goxha i përngjanë elifit (ا), shkronjës së parë arabe qi asht simbol i njishmërisë së Zotit. Këtu... po mundem me paramendue veç vizatimin e elifit (prej Kaligrafit) për hatër të pejgamberit. Qashtu qysh Zoti nuk ka deshtë as në shahadet me mbetë veç Vet po e ka përmend edhe Muhammedin si Resul të Tij, qashtu edhe selvia rritet në kajde të gjylit. E kjo bahet veç për hatër të dashnisë.
Hajde çel ti gonxhja ime
N’vaj bylbylin e gremise
Vajton si mexhnun n’rënkime
Ah rënkimet trandofila
Këto vargje nisin tuj e lut gonxhën me çel. E kush asht lutësi... e kujt po i lutet mundet me u shtjellue edhe në mënyra tjera, ama këtu po e shof edhe udhëtarin, dervishin drejt dashnisë tue lut thelbin apo farën në zemrën e vet me çel me nur e aromë dashnie. Bylbyli asht vet thirrësi, udhëtari i cili asht në pikëllim e në vaj prej udhës e mallit për takimin me thelbin e tij, apo takimin me Muhammedin në shpirtin e tij.
Dy vargjet e fundit e thojnë të njajtën gja, pos qi marrin për analogji Mexhnunin [lit. i çmendun, abdall], i cili asht nji ndër figurat e njoftuna në traditën arabe e islame. Mexhnuni ka qenë nji njeri marrëzisht i dashunuem me nji vajzë të qujtun Lejla [lit. natë]. Emri i vërtetë i tij ka qenë Kajs, po e morri namin si abdall për shkak të ashkut të tij ndaj saj. Shumë prej evlijave apo sufive kanë shkruejtë mbi dashuninë e tyne edhe e kanë marrë si analogji ndaj dashnisë së njeriut me hyjnoren. Lejla në këtë rast tue simbolizue vet Zotin qi nuk shifet me sytë e ballit. Kështu lidhet nata (lejla) me thelbin e Tij. Lejletul kadr...
Prej gjylit e bojnë kandarin
Gjylin me gjyl kur e matin
Gjyla shesin gjyla marrin
Trandofil kanë gjith' pazarin
Ajo me të cilën po më ndërlidhet kjo strofë asht marrëdhanja e evlijave me të gjitha gjanat qi i bajnë. Çdo gja e tyne matet me fjalët dhe edepin (kulturën e ahlakun) e pejgamberit alejhi selam. Prandej, prej gjylit e bajnë kandarin.
Gjyla shesin: Ata zaten nuk japin asgja tjetër përpos asaj qi asht në natyrën e tyne, pra dashninë, nurin dhe hakun. Qysh thotë ashik Junusi: Këtu kam ardh veç me dashunu!
Gjyla marrin: Sepse dashnia e drita nuk pranon asgja ma pak sakrale pos dashnisë dhe dritës. Nuk janë as të interesuem për gja tjetër pos dritës e venës së Diellit. Prandej, trandofil kanë gjith' pazarin. Demek, çashtja e tyne krejt sillet e pshtillet rreth hakikatit Muhammedije apo Muhammedit alejhi selam.
Hajde qesh pak, ej Nesimi
Stina gjylit prap ia mrrini
Za bylbyli ky pikllimi
Trandofil asht dhe vajtimi
Përmendja e emrave të poetëve në fund të gazeleve apo poezive të tyne asht traditë në kulturën islame. Po gjithsesi, Nesimi në këtë rast mundet me qenë udhëtari apo dervishi në rrugën drejt takimit me Zotin qi u përmend ma heret. Këtu duket se i ka ardh nji fllad prej Jemenit, fllad i rahmetit në zemër, ku ja ka ndi pak erën thelbit të tij.
E kur thotë trandofil asht dhe vajtimi... po e bashkon vijën e rrethit me pikën prej kah asht nis. Qashtu qysh udhëtari vajton për takimin me Zotin e vet, qashtu edhe Zoti digjet me e takue krijesën e vet:
Nëse m'vjen tuj ec, Unë vi tuj vrapu...
E dashnia e din mas miri!
______
Fjalë: gjyl - trandofil; sifat - atribut
[1] Kuran, surja Enbija (21), ajeti 107
[2] Fjalëpërfjalë: njerëzit e shpisë
Poezia: Imadedin Nesimi (shek. 14-15)
Përkthimi i poezisë: Artan Sadiku
Interpretimi i kangës: Petrit Çarkaxhiu
Komentimi: E. Bajrami (Ramazan '24)
Fotografitë: Xhamia e Hadumit, Gjakovë (marrë nga klipi i kangës)
Tags: Petrit Çarkaxhiu, Jericho, Trandofili, komentim, interpretim, Artan Sadiku, Nesimi, Nesimiu, Xhamia e Hadumit, Gjakovë, Gjakova,poezi sufiste, poezi islame, kangë islame, këngë islame, traditë islame