Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
22 mars 2024 | 12 ramazan 1445
Hazreti Mevlana Rumi tuj jehue fjalët e pejgamberit alejhi selam shprehet kështu: "Besimtarët janë si nji shpirt. Dervishët janë si nji trup; kur nji pjesë e saj ndien dhimtë atëherë tana pjesët e tjera e ndijnë atë dhimtë. Syni heq dorë prej të shikumit e gjuha prej të folunit - të gjitha takohen në atë trup" [1].
Në nji zaman kur njerëzimi asht kaplue prej nji amullie pandjeshmërie, fjalët e pejgamberit dhe trashëgimtarëve të tij shpirtnor (lexo: evlijave) duken të hueja, a në fakt ato veçse shprehin gjendjen e natyrshme të njeriut, atë të fitras. Gjendjen para mbulimit të zemrave tona, ndërgjegjes sonë, me pikat e zeza të gjynaheve (ato të ndasisë e pandjeshmërisë).
Në nji vakt kur njerëzit e tjerë ndijnë dhimtë e neve na kaplon mpimja e nuk ndijmë asgja, pra, nuk jemi tue jetue fitran tamam, atëherë pejgamberi vjen me nji dritë tjetër e na porositë kështu:
Idhâ dehaltum alâ hevlâ-l muadhibín fâbukû fe-in lem tebku fe-tebâkû
"Kur të hasni në ata që janë në dhimtë, vajtoni!
E nëse nuk ju vjen me vajtu, mundohuni" [2].
Nëse mbas kësaj vjen rahmeti i Zotit e na hapet zemra me dashni, dritë e ndjeshmëri, asht mirë me e lanë me vajtu aq sa ka nevojë me vajtu. E kur zemra asht e stabilizume në këtë stad, edhe e din mirë se ndjeshmëria në ty ka ba shpi, atëherë, për me vazhdu me jetu, për me vazhdu me mbjellë faren edhe nëse kijametin e kemi përballë syve, na duhet pakëz indiferencë sakrale. Qashtu qysh e shpjegon hazreti Inajat Hani në nji muhabet të tijin kur thotë:
"Indiferenca [sakrale] asht e nevojshme në kohën kur shpirti ka mbërri njiaso ndjeshmërie ku gjithcka dhembë! Atëherë, vetëm indiferenca [sakrale] e mbanë gjallë" [3].
Ai vazhdon e thotë: "Ju mundeni me thanë se të kenunit i ndjeshëm nuk asht gja e mirë, ama pa kenë i ndjeshëm nuk ka evolim. Nëse nuk jeni i ndjeshëm atëherë nuk mundeni me ndi empati ndaj tjetrit. Nëse nuk i ndinë ndjenjat e tjetrit, atëherë i bjen se nuk jeni i zgjumë ndaj jetës. Prandej, për me u ba nji insan tamam, njeriu duhet me e zhvillu ndjeshmërinë, ose të paktën me mbërri deri tek ajo. Mbasandej, kur të mbërrini te ndjeshmëria, jeta bahet e vështirë me u jetu... [prandej krejt çka mbetet me u zhvillu] asht shpirti i indiferencës [sakrale], po pa e humbë dashuninë e empatinë ndaj tjetrit: dhe vetëm kjo asht indiferencë [sakrale] me tamam".***
Krejt këto gjendje që u përmendën ma naltë janë gjendje që shumica prej neve janë tuj kalu këto kohë me rastin e gjenocidit në Gaza. Edhe vet palestinezët janë shembulli ma i mirë i tana këtyne gjendjeve. Së fundi e pamë nji fotografi ku nji palestinez me emrin Jahja Bashir-i e kish pastrue nji copë toke (teksa anash qëndrojshin rrënojat e banesave të bombardueme), e kish lëvrue edhe e kish mbjellë. Ky shembull besoj e përmbledh krejt ata çka deshtëm me përmbledhë me tanë këtë shkrim. E umeti i Muhammed Mustafasë duhet me kenë umet i harmonisë.
Zot na ruej prej pandjeshmërisë e prej apatisë. Zot na ban të ndjeshëm ndaj njerëzve, e na jep forcë me përballu dhimtën që vjen me atë ndjeshmëri. E na shto dashninë, na shto dashninë, na shto dashninë!
_____
[1] Fihi ma Fihi (sohbeti 46 sipas radhitjes së Arberry-s)
[2] E përmendun prej Ebu Nasr el Sirraxhit (shek. 10) në Kitab el-:uma fi-l Tesavvuf (ed. Shejh Abdul Halim Mahmudit, fq. 377-78), përkthyem në anglishte prej Dr. Alan Godlas (2018).]
[3]The Mysticism of Sound and Music [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës], kapitulli Cosmic Language: Mind and Heart [shq. Gjuha kozmike: Mendja dhe zemra]; shq. Trandofilishta.
Fotografia: Richard Appleby