HIDËR-I em. i përveç. personi kudó; Hizër-i emën i nji shenjti; hidërelez-i Veri; hidrelez, në rreth të Përmetit etj. vise të Jugut dhe në një qendër shqipfolëse në Manastir për një ditë motmoti. Tue pasë para sysh se këto tri fjalë kanë të bajnë ngushtësisht sa me botëkuptimin, pothue në madhim, të popullit tonë (para 25 vjetësh) në lidhje me besime e besëkotní të rranjosuna ç’me shekuj; me subjekte përrallash e tregimesh, aq dhe me mot stinë dhe caqe e norma në lamen e bujqësisë dhe marrëdhanje tjera shoqnore, e sidomos me at të kremte të shënueme, të lutun e të venerueme në përgjithësi në truellin tonë që identifikohet me Shën-Gjergjin Hidërelez, m’u desht të shfletoj me sa mujta literaturen e argumentit në të tanë kamuset që kam përdoresh. Në at temen, u mundova të shprehemi sa ma përmbledhtas:
1. Në shqiptimin turqisht Hizír dhe Hizírilyas, vul. Hidírelez (1) çfaqen dy personazhe krejt të ndryshëm me kuptime të konfondueshëm: a) Ke Hizír kemi të bajmë me nji profet biblik* të kaluem në jetën e amshueme! Simbas Kamus-i osmaní III 325, ky profet vazhdon të jetojë, tue pasë fakultet me qenë i gjindëshëm për njerëzit që binë ngusht, dhe për kët mission ka famen e vet. Kelekjan KF 542 dhe Sermet Alus 299 e identifikojnë me profetin biblik Shën Ilinë, ku thuhet se mbas të besuemit musliman, vazhdon të ekzistojë gjithnji dhe paraqitet në trajta e shndërrime të ndryshme. Për kët Hizír Sami Frashëri në Kamus’ul A’lam III 1778, na thotë se asht nji nga profetnit, në za për bashkëbisedimet me Moisiun, për pimjen e ujit në burimin përralluer të përjetësimit (la Fontaine de la Jouvence), dhe prandej asht gjallë edhe sot e kësaj dite... Por, shton Samiu, sadoqë në disa libra tefsiresh emërtohet Belis bin Melkan, në librat biblike tue mos u ba fjalë për nji të tillë profet, duket si i njajtë me profetin Ilias, për ngritjen e të cilit në qiell, flasin shkoqitshëm ata libra (biblike). b) për sa i përket Hizírilyaz, vul. Hidírelez, si Kelekjan, ashtu S. Alus (përkatësisht f. 542, 296), e identifikojnë me Shën Gjergjin. Në Kamus-i osmaní III 325, thuhet se si shkak i emërtimit me të përngjitunen Hizír-u-Ilyas, sadoqë në gojëdhanen popullore kujtohet se vjen prej nji bashkëtakimi që profeti Hizír ka pasë në jeten e përtejme me profetin Ilyas, por simbas Lugatit të Naxhiut, ka ma gjasë koincidimi i blerimit në plotësi kah mesi i prillit, që në turko-persisht quhet rus-i hízir ose -hazar “dita e gjelbërimit”. Kështu dhe në Mukkemel lugat-i osmaní 351. (Këtu na del ar. khiddhir em. i përveç. dhe khaddhar “blerim”, që në grafinë arabe shkruhen njisoj خضر). Ke Samiu në Kamus-i turqí 583, Hízírilyas ( :Hidërelezi) thuhet se asht ditë e posaçme e atij profeti, që, në botën e krishtenë quhet Shën Gjergji, që bjen me 23 prill (të kalendarit juljan), dhe që së bashku me ditën e Kasmit (26 shtatuer), ndajnë vitin në dy pjesë të barabarta. Asht ma afër së vërtetës - thotë Samiu - që themelisht të ketë të bajë me ruz-i hízír, ─hazár ( :dita e blerimit) sepse bjen bash në at shultinë të gjithësimit të pemëve dhe të gjelbërimit të gjithësisë.
2. Tashti të vimë në kuptimet dhe në mënyren e të shprehunit që kanë në shqipen tonë këto fjalë: a) Ia mërrinë, ia befë si hazreti Hizri (khs. tur. Hízír gibi yetişmek), kur vjen kush në çasin psikologjik, bash në at kohë rreziku a fatkeqsije, ose papritmas në çdo kohë tjetër. Në mendësi të popullit (para 30 vjetësh), ka qenë besim i ngultë se po t’u takonte Hizri i bamë tebdil (i shndërruem në gjithfarë fytyrash e veshjesh), dhe po t’u pikaste, mund t’iu kërkonte çdo gja, edhe nuk vononte për t’u njëmendëse dëshiri. Të shumta janë përrallat popullore që përmendin arritjen, dukjen e zhdukjen e Hizrit sa çil e mbyll syt. Ia befti si Hizri (si i Shënkolli për gjith vana). Në lidhje me kët Hizër të gjithkundgjindshëm, shih tekstin prej Dumreje të kumtuem prej M. Çelikut SF III 250 (1963). Në fjalorin e Weigand ADW 29, përmbahet hizër ─zri m. “Gerucht, Kunde, Botschaft” ( :famë, lajm, kumt, mesazh). b) Asht interesante se në shqipet e njajta fjalë, kur ka të bajë me ditën e shënueme dhe me emna personi e familjesh, shprehet me -d- (në gjasim të shqiptimit arab), e me sibilantin -z-, salldé me Hizrin shenjt, simbas uhazimit turk Hízír. Kështë në onomastikë: Hidër-i (Hidër Miloti) në Shkodër e në Shqipni të Mesme deri përtej Lushnjes; Hidri em. familje në Tiranë, në rreth të Lushnjes e ngjeti. Në toponamistikë: Hidrajt, lagje në Golemas, Kavajë; Vath’i Hidr’e në Kurbin; Ograja e Hidrit në Zadrimë. Me ramje të -r-, khs. dhe Hidajt në Mollas të Elbasanit; Hidaj lagje në Mënerë, Krue (HD XVIII f. 270). Brahidej (një reduktim patronimik i Brahim Hidraj?), lagje në Zejmen. c) Hidëreléz-i m. ditë motmoti, e njajtë si me thanë, me ditën e Shën Gjergjit, që në çdo skaj të vendit tonë, pa dallim besimesh, kremtohej në përgjithësi me blerime, me therje kingjash e shpendësh e me gjithnduer kangëzash e defrimesh. Konsiderohej si dita e fillimit të verës së plotë, të stinës jetëdhanëse, të lulëzimit dhe gjelbërimit të gjithmbarëshëm. Ka vise që kanë pasë ditë qokash për shumë marrëdhanje shoqnore, e vadesh për detyrime e shlyemje borxhesh. Para 35 vjetësh në Shkodër në ditën e Shëngjergjit translokoheshin familjet qiramarrëse prej nji shtëpije në nji tjetër. // Nuk ka si të bajë me hidra Alesios si ç’kujton Kolë Jakova. // “Nji vlla t’vogël e kam pas lanë, / Hizri Asali i kan pas thanë”, nga nji rapsodi prej Zadrime në HD 11. f. 481 (1924). Emni i personazhit, të jep përshtypjen e nji çoroditjes në gojë të popullit fshatar a malësorë të Hizër Iljazit.
________
1. Në ar. nga ku zanafillas asht uhazuem fjala, shqiptohet khiddhr, kur ka të bajë me emnin e përveç., dhe khaddhár me kuptimin e blerimit, por, që të dyja grafikisht në kamuset figurojnë njisoj: خضر, me ddhat-in e arabishtes, nji tingull ky, midis okluzivit dental d dhe spirantit interdental dh, që tue mos qenë e mundun të shpërblehet në turqishtet (njashtu si dhe interdentalet dh e th këthehen në sibilante për natyrë të kësaj gjuhe, si ç’kam pasë rasë t’a tham), asht shndërrue në sibilantin e zeshëm -z-. Ndaj këtij asimilimi tingulli, që për turqishten përban nji rregull të pashmangshëm, të tërhjek vëmendjen trajta turke hidìrelez, ku del e ruejtun hem d-ja në rrokjen paroksitone, hem nji reduktim në em. e përveç. tur. Ilyas, njashtu si ç’asht zbutë në shqipen Eléz. Të vete mendja se mos ky formacion emni të ketë pasë ndikesë nga sfera balkanike? Khs. Gjergjelez.
Tahir N. Dizdari, Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, AIITC.