Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
"Ata qi shohin në Virtytin si me qenë nji mposhtje e vetvehtes dhe vështrojnë qi Zoti t'i shpërblejë mjaft për të janë sigurisht shumë larg nga të kuptuemit e Virtytit me saktësí; a s'janë Virtyti si edhe shërbimi qi i bâhet Zotit vetë lumtënija si edhe vetë lirija mâ e naltë?" "Mirësija nuk qëndron në shpërblimin nga Virtyti, por se në Virtytin vetë".
Dorëshkrim i veprës "Etika" nga Spinoza
Kështu i përgëzon Spinoza njerëzit në Filosofin e tij dhe kështu i cyt për me dashun botën, sado qi ai vetë ishte përbuzun dhe përzanun prej saj. Të qenunit e tij pjesë e Tanësís, të nënshtruemit e tij pa dyshim ligjit të ngulët e përmbledhës simbas të cilit ecën Ekzistenca ishin gjâna qi zbutnin dhe lehtësonin mjerimin e vetmís së tij. Tue e përfillë njerinë si nji pjesë të Tanësís, ai e konsideronte vehten të pavdekëshme, sepse "âsht e pamundun qi të shlyhet plotësisht intelekti njerëzor me shlyemjen e trupit, përkundrazi ndodhet nji pjesë prej tij qi do të mbetet e pavdekëshme", dhe këjo pjesë e pavdekëshme âsht ajo qi i kupton sendet si pjesë të Tanësís së pavdekëshme. Pra, sa herë qi njeriu të vështrojë thellësisht në të kuptuemit e sendeve me atë mënyrë aqë mâ tepër i shtohet pavdekësija dhe përjetësija e mendimit të tij.
Asht këjo çashtja qi i bân komentuesit të bienë në kundërshtim njani me tjetrin në interpretimin e qëllimit qi synon Spinoza me kuptimin e pavdekësís: Nji palë janë të mendimit se ai qëllonte me të Famën, Përmendjen ase Veprën qi len njeriu mbrapa d.m.th. ana e mendimit dhe e intelektit në jetën t'onë ka me mbetun edhe mbas vdekjes s'onë ashtu edhe shenja e tyne ka me vazhdue nëpër breznít e ardhëshme; ndërsa nji palë tjetër kujton se Spinoza nuk synonte veçse nji pavdekësí individuale dhe vehtjake. Mbasëndej, Spinoza e mohon Mundimin dhe Shpërblimin, tue thanë: "Ata qi shohin në Virtytin si me qenë nji mposhtje e vetvehtes dhe vështrojnë që Zoti t'i shpërblejë mjaft për të, janë sigurisht shumë larg nga të kuptuemit e Virtytit me saktësi; Virtyti dhe shërbimi qi i bâhet Zotit a s'janë vetë Lumtënija dhe vetë lirija mâ e naltë?". "Mirësija nuk qëndron në shpërblimin nga Virtyti, por se në Virtytin vetë".
Asht këjo shprehja me të cilën mbaron libri i "Ethikës", qi përmbledh aqë mendime të nalta sa qi e bâjnë njerëzinë me ulë kryet me nderim përpara kësaj pjese të rrallë qi prodhoi intelekti njerëzor.
KONSHIENCA
Burimi: Marrë nga revista NJERIU: revistë e përmuejshme shpirtnore kulturore, Viti II, nr. 02. Tiranë, 1943. Fq. 8.
Fotografia: Sinagogë në Kordobë.