Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Çdo metropol ka piken e tij të referimit. Parisi ka Kullen Eiffel, Londra ka Big Ben-in, Porta e Brandenburgut asht monumenti historik mâ në zâ i Berlinit e ndërkohë New York-u asht i njoftun për Statujen e Lirisë. Sarajeva, kryeqyteti i Bosnje Hercegovinës, ka po ashtu diçka me të cilen krenohet - Xhaminë e Gazi Husrev Beut, nji kryevepër osmane e shekullit XVI. Vizita në Sarajevë do ishte e mangët pa u ndal’ me pâ kët’ xhami e gjithë çka e rrethon ate.
Fotografia 1. Shatërvani i xhamisë së Gazi Husrev Beut (1531), Sarajevë
Dizenju’ prej arkitektit të sulltanit
Xhamia e Gazi Husrev Beut, e përfundume në vitin 1531, asht monumenti mâ mbresëlânës në Bosnje Hercegovinë. Për nji kohë të gjatë u besu’ se asht dizenju’ prej të madhit arkitekt osman, Mimar Sinanit. Kjo mëdyshje u tret kur dijetarët analizunen burimet historike dhe e paten të pamujtun me gjetë nji ndërlidhje mes Sarajevës a Xhamisë së Gazi Husrevit me Mimar Sinanin. Për mâ tepër, projekti i parë i arkitekt Sinanit ishte Xhamia e Husrev Pashës në Alepo, e cila qe përfundu’ në vitin 1537, gjashtë vite mbas përfundimit të ndërtimit të xhamisë së Sarajevës. Xhamia në Alepo asht nji vepër nismëtare e jetës profesionale të arkitekt Sinanit, me papërsosmënî të dukshme në aspektin ornamental e ate të zhvillimit arkitekturor. Ka nji dallim të qartë mes Xhamisë së Husrev Pashës në Alepo e Xhamisë së Gazi Husrev Beut në Sarajevë; kjo e fundit asht punu’ prej nji arkitektit me përvojë në zanatin e tij.
Fotografia 2. Falja e namazit të xhumasë në xhaminë e Gazi Husrev Beut (2025)
Themelusi i xhamisë asht sanxhakbeu i Bosnjes së shekullit XVI, Gazi Husrev Beu. Ai ishte pjesëtar i familjes mbretnore osmane, tuj kenë se, nâna e tij, Sulltanesha Selçuk, ishte bija e Sulltan Bajezidit II. Kjo gjâ ia mundësoi atij me punësu’ arkitektin e sulltanit, të denjë për nji sfidë të tillë, i cili asht, me shumë gjasa, arkitekti kryesor i Perandorisë Osmane, Axhem Esir Alinë, paraardhësin e Mimar Sinanit. Axhem Esir Aliu u mor rob përgjatë fushatës së Sulltan Selim Javuzit kundër Persisë Safavide në vitin 1514. Emni i tij i plotë qe Aladin Ali Bej Bin Abd El Kerim. Në dokumentet osmane ai qe regjistru’ si Mimar Axhem Esir Aliu e ndonjiherë veç si Mimar Aliu. Shtimet në emnin e tij ishin “Axhem”, që nenkupton prejardhjen e tij perse, si dhe “Esir”, që nenkupton faktin se ai qe marrë rob. Veprat mâ të njoftuna të Axhem Esir Alisë janë: Xhamia e Sulltan Selim Javuzit në Stamboll, e ndërtume në vitin 1522, si dhe Xhamia e Mimar Axhem Alisë, e përfundume nji vit mâ vonë. Mes monumentesh që i atribuohen atij asht po ashtu edhe Xhamia e Gazi Husrev Beut në Sarajevë. Raportet, përmasat e vlerat e nalta estetike të saj kallxojnë që qe dizenju’ prej nji arkitektit të oborrit të sulltanit. I vetmi i denjë për nji punim të tillë në atë kohë qe Mimar Axhem Aliu.
Fotografia 3. Xhamia e Sulltan Javuzit (1522), Stamboll
Hijeshia e xhamisë së Gazi Husrev Beut
Kjo xhami qe projektu’ si pjesë e nji kompleksit arkitekturor mâ të gjânë që përfshin dy tyrbe, oborrin me hapsinen e varrezave, abdest’hanen, shatërvanin, muvakit’hanen [1], mektebin [2], medrezen, dhomen e mbledhjeve të vllaznisë sufiste (hanikah), kuzhinen e përbashkët / publike e kullen e sahatit. Përveç kompleksit fetar, Husrev Beu ndërtoi gjithashtu bexhistenin, hanin, si dhe dyqane e hamame të panumërta. Për nder të dhurimeve të tij të shumta, ai konsiderohet si mâ fisniku i Sarajevës në periudhen osmane.
Xhamia e Gazi Husrev Beut asht dhurimi i tij mâ i randsishëm dhe mâ i vlerë në aspektin arkitekturor. Oborri ka katër dalje dhe nji shatërvan në mesin e tij. Edhe pse u ndërtu’ në vitin 1531, muret e nalta, ornamentet arkitekturore dhe e gjithë pamja e jashtme i përafrohen mâ së tepërmit arkitekturës osmane të fundshekullit XV. Hymja e xhamisë ka nji portik të kandshëm të mbulum me pesë kupola të vogla. Pjesë e përbâmjes së portikut asht porta e dekorume mjeshtërisht me mukarna [3], si dhe me nji kronogramë me tekstin vijus’ në arabisht:
Fotografia 4. Kronograma
Husrev Beu për t’hajrit njerëz ndërtoi xhami,
me emën t’Zotit, namazlijtë me i thân shpi
Coptus’ i anmikut a’,
krah i atyne që për iman kanë luftu’,
jehonë e hajreteve u bâ, t’devotshmëve doren iu dha.
Me kët tarih [4] vet’ Allahu na ka frymëzu’:
“Ky asht vendtakimi i atyne që t’hajrit vepra mrapa lajnë,
shpi e atyne që t’Madhit rixhâ i bâjnë.”
Hymja qe dekoru’ në shekullin XIX përgjatë pushtimit austro-hungarez. Përkrah ornamenteve florale pseudo-orientale, ka dy mbishkrime kaligrafike nga Husein Rakim Islamoviç [5]. Duhet përmend’ që Islamoviç-i e mësoi kaligrafinë në Stamboll, nen mbikqyrjen e tetë mjeshtërve kaligrafë, ku mori katër diploma në kët’ fushë.
Teksa hyn në xhami, e gjen vedin në sallen kryesore të faljes, nen kupolen 24.40 m të naltë me nji diametër prej 13.40 m. Poshtë kupolës kryesore gjindet galeria [6] e përdorun në të shkumen për me ndez’ llampat, të cilat janë të arritshme nga nji “shteg” i ndërtum në murin e xhamisë. Hapsina e faljes së namazit zgjanohet në drejtim të kibles me gjysmëkupolen sipër mihrabit [7]. Ajo gjithashtu zgjanohet në jug-lindje e veri-perendim me dy hapsina të tjera të kurorëzume me dy kupola mâ të vogla. Asnji xhami tjetër në Bosnje nuk asht e njejtë për nga ndërtimi.
Fotografia 5. Në hyrje të xhamisë së Gazi Husrev Beut
Ky monument hijeshohet nga ornamente florale të shekullit XXI në stil pseudo-osman, me përjashtim të hymjes kryesore, të përfundume në shekullin XIX, e cila u përmend mâ sipër. Përveç kaligrafive të Rakim Islamoviç-it, pjesa tjetër e veprave kaligrafike u punu’ prej kaligrafit bashkëkohor me origjinë nga Bosnja, Hazim Numanagiç-it.
Ngjitun me xhaminë ndodhet minarja 45 m e naltë. Ka nji serefe [8] pa dekorime, të cilat besohet të kenë humb’ me kohen. Prej minares arrihet me u pâ nji ndër peizazhet mâ të bukura të Sarajevës. Fakt interesant asht që thirrja e ezanit në kët’ xhami kryhet drejtpërdrejt prej minares, pa ndihmen e altoparlantave.
Fotografia 6. Minarja e xhamisë së Gazi Husrev Beut
Krejt pranë xhamisë ndodhen dy tyrbe. Ajo mâ e madhja i përket Gazi Husrev Beut, ndërkaq e vogla i përket Murat Bej Tardiç-it, komandantit të ushtrisë së Husrev Beut dhe administratorit të parë të vakëfeve të tij. Në mënyrë analogjike konsiderohet se dy tyrbet gjithashtu u projektunen prej Mimar Axhem Alisë.
Fotografia 7. Tyrbja e Gazi Husrev Beut dhe ajo e Murat Bej Tardiç-it
_________
[1] Muvakit’hane - dhomë a strukturë shoqnuse e nji xhamijet, e cila shërben si shtëpiza e orëmbajtësit a si dhomë sahatit; përdorej me qellimin e rujtjes së kohëve të faljes
[2] Mekteb - në boten islame ky term i referohet shkollës fillore tradicionale ku fëmijëve iu mësohej shkrim, këndim e mësime fetare
[3] Mukarna - element zbukurus’ i arkitekturës islame, kompozim gjeometrik trepërmasor i projektum në të tillë mënyrë që krijon idenë e hojeve të bletës
[4] Tarih - term osman që i referohet nji kompozimit fjalësh në alfabetin arab a perso-arab ku në shumen e vlerave numerike të mbartun prej seciles germë formësohet nji datë e caktume në bazë të traditës së hurufizmit
[5] Husein Rakim Islamoviç - emni i plotë: Hadži hafiz Husein Rakim-efendija Islamović; kaligraf boshnjak i shekullit XIX
[6] Galeria - ballkon i projektum në mrendësinë e nji murit anësor a të mbrapëm të nji xhamijet, kishet a sallet e cila siguron hapsinë shtesë për, përkatësisht, besimtarët në xhami e kisha a për spektatorët a muzikantat në nji sallë koncertesh. Në kët’ rast, galeria në fjalë shërben për ndezjen e llampave të vendosuna nelt në pjesën e sipërme të xhamisë.
[7] Mihrab - strukturë e vendosun në murin ballor të nji xhamijet që tregon kahun e kibles, drejt të cilit besimtarët duhet të falen.
[8] Serefe - ballkoni rrethus’ i minares, i gjânë mjaftushëm për nji njiri me ec n’te; shërben me thirr ezanin dhe përreth ka parmak.
Shënim: Në kllapa e fusnota gjinden shënimet e përkthyesit
Burimi: Dervisevic, Haris. “The Ottoman Masterpiece in Sarajevo”, Islamic Arts Magazine, Dec 12, 2020.
(shqipërue dhe paraqitun me leje të autorit)
Shqipëroi: Besara Hallunej (Shtator, 2025)
Fotografia 1-2 & 4-7: Besara Hallunej & Trandofilishta
Fotografia 3: R. Prazerez