Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Mevlana Rumi e Shemsudini
Me ardhjen e Shemsi Tabrizit në Konja, në vjetin 1244, bota e Rumit u ndryshue. Literatura e biografisë së tij kallxon se qysh Rumi i la udhëzimet fetare, i gjuejti librat e tij e se qysh ju përkushtue të huejit Shemsudin, nji dervishi endacak, i cili pat udhëtue goxha shumë e i pat takue disa mjeshtra sufi si Shihabudin Suhraverdin, Ibn 'Arabin* dhe Ebu Bekr Salibafin. Po në asnjenin prej tyne s'pat gjetun nji shok udhe (hamdam). Ai kërkojke nji njeri të ndritun shpirtnisht e e gjeti Rumin. Në anën tjetër Rumi kërkojke nji mjeshtër e e gjeti Shemsudinin. Në literaturën sufiste, miqësia e dashtun në mes tyne ilustron se qysh mistiku ka mundësi me e hap zemrën e vet te nji shpirt i mirë, te mjeshtri. Se qysh e lejon mjeshtrin me u pasqyrue në zemrën e vet, qi mandej me ia dorëzue ate Zotit. Rumi e thekson se misticizmi përmbanë miqësi tokësore (hamdami, lat. sympathia), edhe se mistiku s'mundet me ba gja pa nji mik me t'cilin i ndanë përjetimet e gjendjet (halet) e dashunisë. Simbas Rumit, hamdami në fund të fundit pasqyron tërhjeqjen e përbashkët e cila ekziston në mes Zotit dhe Njeriut, në mes Qiellit e Tokës. Me fjalët e Sulltan Veledit (1937:41), aspektet hyjnore dhe njerëzore të kësaj tërheqjeje janë bashkue me takimin e tyne t'parë:
Mbas nji pritjeje të gjatë, Rumi e pa fytyrën e Shemsudinit. Misteret iu çveluen atij tam si shkëlqimi i dritës së kthjelltë. Ai e pa Ate qi s'mundet me u pa e e takoi ate qi kërkush s'e ka takue përpara. Rumi ra n'dashuni me Te e ai u zhduk!
Shemsudini jo veç qi e luejti rolin ndërmjetësues të dashunisë hyjnore për Rumin, por ai e mishëroi këtë dashuni. Shemsudini (qi emni i tij don me thanë "Dielli i Dinit") e mishëroi nurin e Zotit me bukurinë e madhështinë e tij (xhemalin e xhelalin). I shndërruem prej këtij nuri, Rumi botën përreth tij e vrojtoi tashma me nji sy tjetër, e dashuninë e tij e shprehu në poezi e vallëzim. Jeta e tij private njiashtu u pat shndërrue kur Shemsudini u zhvendos në shpinë e tij. Në bazë të disa dijetarëve, Shemsudini asht pa si nji bohem i paedukuem, po në shënimet biografike të tij, në Mekalat, zbulohet se ai qe goxha mirë i kënduem në sheriat e teologji, e njiashtu qe goxha i aftë në spekulime filozofike e mistike.
Mbase kjo asht arsyeja se pse nji njeri i kënduem si Rumi, me tanë atë famë, mundi me e pranue autoritetin e tij shpirtnorë e me iu dorëzue vullnetit të tij. Prej kujtimeve të Shemsudinit asht e qartë se ai qe ma shumë së nji sheh (pir) i zakonshëm për Rumin. Ai e kish zakon me gjetë të meta me gatimin e zojës Kira (Kira Hatun) e me u ankue se Rumi i jepte shumë vëmendje asaj. Fjaltë në vijim e ilustrojnë praninë e tij në shpinë e çiftit:
Ai [Rumi] m'lejoi me hy në shpinë e tij e me kalue kohë me te në prani të grues së vet. Ai mujke me kanë xheloz edhe me Xhibrilin vet nëse kish me ia pa gruen pa velë, po ajo u soll me mue si nji djalë para babës s'vet kur lypë bukë para kambëve t'tij. (Tabrizi 1994:120)
Miqësia e thellë e Rumit me Shemsudinin provokoi nji zili të thellë te familja, dervishtë e ish-nxanësit e tij. Ata e fajsuen Shemsudinin për shumë gjana, edhe nuk hezituen me e shpreh përbuzjen ndaj tij. Edhe djali ma i preferuem i Rumit, Sulltan Veledi (1937:43) në shënimet biografike përshkruen jopëlqimin e vet ndaj tij: "Na krejt pritshim qi ai me u zhdukë a me u largue në nji mënyrë të papritshme." Gjashtëmbëdhjetë muej mbas ardhjes së tij në Konja, Shemsudini e la qytetin e u nis për në Damask. Po Rumi s'mundke me u nda prej mikut të vet e e luti me nji letër të gjatë me u kthye (M 242). Kur Shemsudini me ngurrim e pranoi lutjen e tij, ai qe përcjellë prej Sulltan Veledit deri në Konja. Djali e përshkruen çastin e paharrueshëm kur Shemsudini mbi kal hyni në qytet e e ngëtheu në përqafim babën e tij.
"Ata ranë në dy gjujë. Kërkush qi i pa s'mundke me dallue se cili asht dashunuesi e cili asht i dashtuni." (Sulltan Veledi, 1937:44).
Rrjedhimisht, Sipahsallar edhe Aflaki këtë takim e emërtojnë si "bashkimi i dy oqeaneve" (mexhma' el bahrein). Shpirtnia sufiste e Rumit në thelb është një formë bashkuese e misticizmit ku dashunuesi edhe i dashtuni janë të bashkuem në dashuni.
———
* Ka mendime të ndryshme rreth faktit se a asht takue me Ibn 'Arabin apo jo. Disa thonë se referimet ndaj Sheh Muhammedit në Mekalat nuk janë vërtetue se kanë të bajnë me Ibn 'Arabin.
Burimi: Ashk P. Dahlén, Female Sufi Saints and Disciples: Women in the life of Jalāl al-dīn Rūmī [shqip: Evlijatë gra dhe dervishet: Gratë në jetën e Xhelaludin Rumit] fq. 52.
Përktheu: Trandofilishta
Referencat e përmendura:
- Tabrizi, Shemsudin Muhammed (1994), Mekalati Shems, ed. Xh Mudarris Sadiki, Tehran.
- Veled, Sulltan (1937) Veledname (Libri i Veledit), ed. Xh. Xhumai, Tehran.