rreth 12 minuta lexim
Dëlirja apo lamja e vetes (tezkijet el-nefs) asht nji qasje tepër e randësishme për me e përkrye gjendjen e njeriut dhe me e përvetsue gjendjen e të kenunit mëkambës [halife] i Zotit në tokë.
Fjala tezkije në gjuhën arabe nënkupton lamjen e diçkaje prej ndytsive, rritjen, zhvillimin dhe përkryemjen e saj. Imam Gazali zhvilloi nji praktikë ose art të tezkijes së nefsit tue u bazue në nji ajet Kuranor (91:7-10) qi thotë:
"[Pasha] nefsin/veten, përsosjen dhe urdhnin qi iu asht dhanë;
edhe [pasha] frymëzimin e saj me pa të keqen e të mirën e vet;
me t'vërtetë ka përfitue ai qi e dëlirë ate (zekkehâ),
dhe ka dështue ai qi e zvetnon* ate".
Në kët kuptim, tezkija e nefsit mundet me u përkufizue me dëlirjen e vetes prej çdo prirje të ligë dhe zbukurimin e saj me vlera dhe virtyte të mira.
Në kët zaman modern qi asht mbulue prej hutisë e tundimit, asht tepër e randësishme me u pajosë me nji mënyrë apo proces qi mundena me e përdorë e me anë të saj me e rimarrë mjeshtërinë ndaj vetes sonë, me e la ate prej çdo ndikimi negativ. Kjo mbasandej na lejon me e ushqy rritjen dhe zhvillimin tonë individual e me u ba myslimanë ma të mirë. Gazali asht nji udhërrëfyes qi na ndihmon në kët synim, sepse ai përdorë terme të qarta dhe koncepte të përshtatuna për rritjen dhe zhvillimin individual. Për Gazalin, njeriu asht edhe trup edhe shpirt, edhe landor edhe palandor. Drejtpeshimi i veçantë i ktyne e mundëson njeriun me u ba ai qi asht, ma i naltsuemi krijim. Gjendja burimore e qenies njerzore asht ajo e fitra-së. Simbas Gazalit, nji qenie njerzore lind në nji gjendje të pastër natyrshëm (fitrat el-islam). Potencialet me ba mirë apo keq gjinden njiashtu aty. Kurse, fazat e zhvillimeve të hershme dhe ndikimet janë ato qi e përcaktojnë sesi rriten ato potenciale. Nëse mjedisi i hershëm i nji fmije asht i mirë, potencialet e mira vihen në pah ma lehtë; nëse mjedisi asht i keq, atëherë ato të kqijat.
Zbulimi i ligjit hyjnor [sheriati] asht i qenësishëm me dallue e ditë se çka asht e drejtë dhe gabim. Ama, edhe nëse e dimë se çka asht e drejtë apo e gabueme, na mundena me kenë nën ndikimin e kompulseve [shtysave të pakontrollueshme] a tundimeve të cilat ngasin apo çorodisin gjykimin tonë. Prandej, në tezkijen e nefsit i randësishëm asht vendimi i vetëdijshëm ndaj ndryshimeve të vetes [nefsit] në drejtim ma të mirë. Tezkija e nefsit, si nji term shpirtnoro-moral, paraqet përpjekjen e vendosun nga vetja ndaj zhdukjes së ktyne animeve në brendi të nefsit njerzor, të cilat formojnë pengesa në udhën tonë drejt zhvillimit moral dhe shpirtnor.
Prandej, asht e randësishme me e kuptue strukturën e vetes. Tue pasue Kuranin, Gazali shpjegon se janë tre derexhe të vetes dhe ato janë:
1. Vetja nxitëse (nefsi emmareh): kjo asht pjesa e vetes sonë të ultë e cila na shtyn drejt veprimeve të gabueme. Kjo përkon me pasionet, dëshirat, egon dhe instinktet.
2. Vetja vetqortuese (nefsi levameh): kjo asht pjesa e vetes sonë e cila na qorton ne dhe na merr në pyetje për veprimet e gabueme. Kjo përkon me funksionin e arsyes dhe gjykimit.
3. Vetja e qetë (nefsi mutmeineh): kjo asht pjesa e vetes sonë ku vetja, me anë të dëlirjes dhe përkryemjes, ka arritë nji gjendje paqeje dhe qetësie. Kjo përkon me shpirtin [ruh-in] në brendinë tonë.
Diagrami 1. Nji model psiko-shpirtnor i yti
Dëlirja e vetes asht nji përpjekje kundër vetes nxitëse drejt përvetësimit të vetes së qetë. Kjo lyp nji kthim kah brendia e cila nis me kuptimin e jetës sonë të brendshme.
Hadithi i parë në Sahihun e Imam Buhariut asht hadithi i nijeteve:
"Ymer ibn Hatabi kallxon se e pat ndi Lajmëtarin e Zotit (selami qoftë mbi te) tuj thanë: "Përnjimend, veprat bazohen në nijete dhe çdo personi i takon ajo çka ka ba nijet. Ai qi ka ba hixhret për Allahun dhe Lajmëtarin e tij, atëherë hixhreti asht tek Allahu edhe Lajmëtari i Tij. E ai qi ka ba hixhret për hatër të përfitimeve të dynjallëkut, apo për me u martue me ndoj grue, atëherë hixhreti i tij asht për ate të cilin ka ba hixhret."
Ky hadith i msohet çdo myslimani dhe secili e di ate përmendsh. Përderisa randësia e tij asht e mirënjohun, manaja ma e thellë dhe roli i tij në lëvrimin e mendimit etik dhe dëlirësisë shpirtnore asht ma pak i kuptuem. Simbas Imam Gazalit, tek e citon nji njeri me virtyt të naltë me emnin Myslim Sufjan Thevr, thotë se të parët e hershëm myslimanë "msojshin se qysh me ba nijete për veprime në të njajtën mënyrë qysh msojshin me i veprue ato vepra". Na sot duket se jena përqëndrue te të bamunit ate çka asht e drejtë. Ama, Islami na mson edhe me e ba nijet të drejtën! Kur nxansit e dijes i pytshin të parët e hershëm rreth ndonji vepre qi ata kishin mundësi me e ba vazhdimisht për hatër të Allahut, përher përgjigjja ishte "bane me nijet për Allahun".
Të parët e hershëm kanë pasë shkencë se qysh me e msue zanatin e nijetit.
Hajde t'ia hedhim nji sy diagramit nr. 2, qi na ndihmon me e pa ndërlidhjen në mes jetës sonë të brendshme, përfshi ktu edhe nijetet, dhe jetës sonë të jashtme apo veprave tona të bame prej trupit tonë.
Diagrami 2. Ndërlidhjet në mes botës sonë të brendshme dhe asaj të jashtme
Shif diagramin naltë. Nijeti asht diçka qi e bajmë kur jena tu dashtë me e krye nji veprim. Kjo don me thanë se nji nijet ndodh në çastin kur nji vepër asht tu deshtë me u vepru. Ama, nijeti asht pasojë e nji procesi të gjatë në brendi i cili nis me atë çka dijetart' e quejnë, hatir, apo nxitje. Po çka asht nxitja?
Nxitja asht nji ide zbehun, nji mendim kalues a nji sugjerim i cili shfaqet nxitimthi në kryet tanë, e ashtu nxitimthi zhduket. Kjo ndodh tepër shpejt. Kso "ide të zbehuna" kena gjatë tanë kohës. Nxitja asht nji shtytje me ba diçka të drejtë apo të gabueme dhe si veçori ka shpejtësinë me të cilën vjen e shkon.
Ka dy lloje nxitjesh:
1. Nxitje të mira
2. Nxitje të kqija
Edhe janë pesë burime prej kah nji nxitje mundet me buru:
1. Allahu
2. Melaqet
3. Vetja jonë e naltë
4. Vetja jonë e ultë
5. Shejtani
Diagrami 3. Pesë burimet e nxitjeve (hatir)
• Nxitjet e mira na vijnë ose prej Allahut, melaqeve apo vetes tonë të naltë. Cilado qi të jet zanafilla e saj, na e përjetojmë ate si nji anim dhe mendim me ba mirë. Ajo mundet me kenë nji këshillë e mektë me u çu heret e me e fal sabahun, apo nji anim me e ndihmue a falë dikand. Dijetart' na kallxojnë se Allahu i çon haberdart' a ambasadort' e Vet me na sugjerue mendime të mira për me ba punë të mira. Kta ambasadorë janë vet nxitjet.
Nganjiherë na vijnë edhe nxitje të kqija. Kto ose vijnë prej vetes sonë të ultë ose prej shejtanit. Kjo mundet me kenë nji sugjerim i mektë me përmend diçka të keqe për dikand te dikush tjetër (me përgoju), apo me e tradhtu dikand. Nëse na zhytemi në kët nxitje edhe merremi mjaftushëm me kët ide, atëherë ajo shndërrohet në nijet. Nuk duhet me i jep zemër kësaj gjaje. Na duhet me pas mundësinë me e largu sa ma shpejt qi asht e mundun edhe mos me u zhytë në te. Përndryshe shndërrohet në nijet me ba keq.
Hedhja nji sy prapë diagramit nr. 3. Dijetarët na msojnë se nëse mendojmë mbi kët nxitje ose merremi me te sadopak në mendjen tonë, atëherë ajo shndërrohet në vullnet (irade) apo dëshirë me e qit ate në pah. Nëse hala mendojmë rreth saj, ajo fuqizohet edhe ma shumë dhe shndërrohet në vendim ('azm) e masnej në synim (kast) apo qëllim. Në kët pikë i bjen se e kena mendue mjaftushëm saqi ia del me u ba qëllim veprimi. Ky proces asht shumë i shpejtë, nganjiherë ma i shpejtë sa hapja e mbyllja e synit. Prandej iu asht dhanë kaq shumë randësi lëvrimit të rritjes dhe kristalizimit të nijetit të mirë.
Në çastin kur nijeti kristalizohet, atëherë pasojat e saj janë të mahnitshme. Nijeti i mirë ka shtatë veçori unike. Ato janë:
• Nijeti i mirë asht nji fenomen i ndërlikuem dhe shumëanësor. Shumica e njerzve kujtojnë se asht veç diçka që e thojmë para veprimit. Por, siç e pamë, ai vjen prej nji procesi të gjatë në brendi i cili fillon me nxitje [hatir]. Si pasojë, nijeti asht diçka qi:
1. Fillon në zemër
Kjo don me thanë se nijeti e ka zanafillën në brendinë tonë. Asht rrjedhojë e nji procesi qi e përqendron zemrën tonë me ba diçka për nji arsye të mirë. Përfundimisht, ma e mira arsye për me ba diçka asht për hatër të Zotit (li vexhhi-llah [lit. për Ftyrën e Zotit]). Megjithatë, ka edhe arsye tjera, si për shembull, me ba mirë për hatër të të tjerëve, bashkësisë dhe të dashtunve tanë.
2. Shqiptohet me gjuhë
Anipse shumë dijetarë të ligjit islam thojnë se nuk asht i domosdoshëm shqiptimi i nijetit me gjuhë, nji numër i madh pajtohen se shqiptimi i tij me za e fuqizon edhe e përqendron ate. Shqiptimi i diçkaje me gjuhë asht përherë ma i fuqishëm, sepse fuqizohet edhe ma shumë në zemër. Merr shembull kur ban nijet me e ndihmue dikand. Na mundena me e ba nijet në mendjet tona ama nëse e verbalizojmë a e shkruejmë, ajo e fuqizon ma tepër vendimin tonë me e krye ate.
3. Miratohet prej mendjes
Kur nijeti shqiptohet prej zemrës edhe ndigjohet në za, ajo miratohet edhe prej mendjes së vetëdijshme e cila tash e ndigjon e e përpunon ate. Kjo don me thanë qi mendja jonë ose vendimmarrja racionale përfshihet në krijimin e nijetit me anë të verbalizimit të tij me za, kështu tue ndihmu mendjen e vetëdijshme me e miratue vet veprën.
4. Shpërfaqet nga trupi
Nijeti asht i papërfunduem pa kalue në vepër. Pra, pjesa e fundit e nijetit asht kur veprohet apo bahet me anë të kambëve, durve, syve, veshve etj.
• Nijeti i mirë rrjedh përgjatë tanë veprimit tonë. Shpesh mendohet se nijeti asht diçka që e bajmë para veprës, dhe se në çastin kur e nisim veprimin, atëherë i vihet fundi nijetit tonë. Por kjo nuk asht e saktë. Dijetarët na kallxojnë se nijeti asht diçka që rrjedh prej zemre në trup e gjymtyrë përgjatë krejt veprimit e kohëzgjatjes së tij. Kte mundena me e përfytyrue si gjakun qi rrjedh ndër vena ose si lumin përgjatë shtratit të tij; pra, nijeti rrjedh fund e maje përgjatë tanë veprimit. Për kët shkak, dijetarët e krahasojnë nijetin me shpirtin. Nijeti për veprimin asht sikurse shpirti për trupin. Pa shpirt, trupi asht veç nji lëvozhgë e zbazun e e thatë; pa nijet, veprimi asht i vdekun. Kte mundena me e mendue si në vijim. Na mundena me e ba nji veprim i cili i ndihmon dikuj', ama pa pasë nijet me i ndihmue atij. Edhe pse ai veprim mundet me kenë i dobishëm për tjetrin, ai nuk na sjell dobi neve, sepse nuk e kena ba me nijet mirësie. Prandej, nuk mundena me e mendue si nji mirësi të bamun prej neve, po si mirësi qi u ba përmes neve.
• Nijeti na ruen gjendjen e dëlirësisë. Arsyeja se pse dijetarët na thojnë se asht e randësishme dëlirja e nijetit asht për shkak se në çastin kur e bajmë nji nijet të pastër, ai na ruen në po atë dëlirësi përgjatë tanë kohës së veprimit. Ai kryen rolin e nji mburoje qi na mbron prej nxitjeve të kqija a negative, apo mendimeve qi munden me e ndy vet veprimin. Imam Gazali shpesh na rikujton se nëse përgjatë nji veprimi, shembull namazit, shpërqëndrohemi e e hupim vëmendjen, atëherë krejt çka duhet me ba asht me e ripërtri nijetin.
• Nijeti i mirë e dëlirë mendjen e pavetëdijshme. Me bamjen e nijetit të mirë ndodhin mrekullina. Çdo nijet i mirë zhytet thellë në mendjen tonë të pavetëdijshme edhe e lanë ate prej ndytsinave. Sa ma shumë të bajmë nijete të mira, aq ma e dëlirë bahet mendja jonë e pavetëdijshme. Shif diagramin vijues.
Diagrami 4. Kodrina prej akulli (ajsberg)
Edhe pse me kreni thojmë qi jena individë të vetëdijshëm të cilët veprojnë me vetëdije, realiteti asht se shumica e vendimeve qi i marrim burojnë prej arsyeve të mshefta, shkaqeve, impulseve dhe shtysave të pakontrollueshme [kompulseve]. Kto formësohen në brendi të mendjes sonë të pavetëdijshme edhe përgjatë tanë kohës vendimet tona ndikohen prej tyne. Në fakt, shumica e vendimeve tona bahen pavetëdijshëm.
Shumë prej ktyne arsyeve të mshefta apo kompulseve na vijnë prej brendie edhe formohen prej vetes së ulët, pritshmërive shoqnore, mediave, trysnisë shoqnore dhe tana ndikimeve të tjera prej jasht’ të cilat na brumosin në aso mnyrash qi s'jemi as të vetëdijshëm ndaj tyne; përfundimisht, kështu përcaktohen shumë prej vendimeve qi i marrim. Po qysh mundena me i ik ndikimeve të tyne negative? Qysh mundena me i parandalue nxitjet e kqija dhe sugjerimet për vepra të gabueme? Njena prej mnyrave asht me ba nijete të mira vazhdimisht, e kto nijete të mira masnej zhyten thellë në brendinë e mendjes së pavetëdijshme dhe e lajnë ate prej shumë ndytësive qi vijnë prej ktyne ideve të kqija. Nji mënyrë me e përfytyrue kte asht me e mendue nijetin si klorin e derdhun në bazen. Klori i shtohet bazenit me e pastrue ujin edhe me i mbytë s'di sa lloje të mikrobeve e bakterieve qi mujnë me na infektu.
• Nijeti i mirë e ritrajtëson jetën tonë dhe na njofton me mundësi të reja. Sa ma shumë të lëvrojmë nijete të mira në jetët tona, aq ma e pastër bahet jeta jonë e brendshme. Megjithate, diçka goxha e mahnitshme ndodh njiashtu. Diçka nis me ndodh edhe në jetën tonë të jashtme. Fillojmë me i pa do gjana qi ma heret kurrë nuk i kena vrejtë. Për shembull, na hyjnë në jetë njiaso njerëz të mirë qi as nuk na kish shkue në mend ma heret me u shoqnue me ta. Në rrethet e maparshme të të njoftunve, as nuk e kishim mendue dy herë qi kena me fol me disa njerëz. Po teksa ndryshojmë, edhe përceptimi jonë për të tjerët ndryshon. Sa ma të mirë të bahemi, aq ma shumë i lypim njerzt' e mirë. Njiashtu, nisim me mendue ma shpesh për gjana të mira. Papritë e pa kujtue e sheh veten qi je vu në nji trajektore a udhë të re në jetë, edhe e zbulon nji varg të ri t’mundësive (njerzve, ideve, mënyrash të t'jetuemit) për të cilat s'je kanë i vetëdijshëm ma heret.
• Nijeti i mirë asht çlirues. Kur bajmë nijete, në njifar derexheje e ushtrojmë vetsoditjen (murakaba-në) dhe vetkqyrjen (muhasaba-në). Kjo don me thanë qi bamja e nijetit asht nji hapsinë në brendi të jetëve tona të parregullta ku e marrim prapë në dorë jetën prej kompulseve të pavetëdijes dhe e rifitojmë lirinë me vendos çka me ba. Mendo rreth kësaj. Kur e ushtrojmë mjeshtërinë e vetes sonë me anë të murakaba-së edhe muhasaba-së, kur vazhdimisht i pastrojmë nijetet për hatër të Zotit, edhe kur e pastrojmë mendjen e pavetëdijshme prej ndikimeve negative, ajo çka bajmë asht rimarrja e lirisë qi Allahu na ka dhanë për me zgjedh ate për të cilën jena ardh: me kenë qenie përulësisht të vetëdijshme për burimin tonë tokësor dhe të përndrituna me nurin hyjnor të udhëzimit të Tij. Si pasojë e kësaj, nijetet na ndihmojnë me u lirue në dy mënyra: me u lirue prej edhe me u lirue për. Nijetet na ndihmojnë me u lirue prej impulseve negative edhe kompulseve në mënyrë qi me u lirue për udhën tonë shpirtnore drejt Allahut. Nëse trysnitë e jetës moderne na detyrojnë me i ba do gjana në mënyra qi janë të damshme për mirëqenien tonë shpirtnore, e njiashtu e uzurpojnë çdo çast e çdo hapsinë të jetëve tona me kërkesat e tyne, atëherë nijetet janë sebepet me anë të së cilave na mundemi me e lirue veten prej kthetrave të tyne.
• Nijeti i mirë na afron (kurb) me Allahun. Çdo nijet i mirë asht nji hap drejt Allahut. Në nji traditë të mirënjohun e të shenjtë profetike [hadith kudsi], Allahu i lartum thotë: "Unë ulem me ate qi m'kujton Mu". Kjo don me thanë qi nijeti nuk na ndikon veç botën e dukshme [zahir] po edhe kumbon në botën e padukshme [batin]. Kjo asht nji fuqi e mahnitshme të cilën gjithsecili prej nesh e ka në potencialin e vet. Veç tue ba nji nijet të mirë, kena lëvizë drejt Allahut në të padukshmen [batin], ose jena ngjitë n'përpjetëze, edhe pse nuk kena ndërru vend fizikisht.
Tash mundena me e kuptue ma mirë se pse të parët e hershëm e kanë mësue shkencën e zanatit të nijetit po aq sa mënyrën se qysh me veprue. Çelsi tash asht me e ndërthur artin e zanatit të nijetit me artin e veprimit të veprës.
*fjalëpërfjalë: ai qi e varrosë, mbulon ate (dessehâ). (shën. përkth.)
Burimi: Mahmoud, Samir. "The Purification of the Self (Tazkiyat al-Nafs)". (29 maj 2019)
Përktheu: Trandofilishta (Janar 2026)
Falenderojmë Besara Hallunej për shqyrtimin e gjuhës së tekstit dhe sugjerimet e saj.
Përkthye dhe publikue me lejen e vet autorit © Dr. Samir Mahmoud
Tags: Dr. Samir Mahmoud, delirja e vetes, pastrimi i vetes, pastrimi i nefsit, mekamet e nefsit, nivelet e nefsit, shqip, psikologji islame, pershpirtshmeri islame , Dr. Samir Mahmoud shqip