Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 5 minuta lexim
Hysejni, mjeshtri jem, paqja koftë mbi te, m’ka mësue qi Gaza asht Qerbelaja e zamanit tonë. M’ka mësue qi çdo shehid qi bjen në Gazë asht nji tjetër Hysejn. E qi krimi nuk i takon veç vrasësve, po i përfshinë te tanë qi i ndihmojnë ata: ata qi urdhnojnë, qi e kryejnë vrasjen dhe ata qi e lavdojnë ate.
Sot, në përvjetorin e shehidllëkut të hazreti Hysejnit po përsijati mbi masakrën tonë të përditshme. Ashtu si vrasësi i hazreti Hysejnit nuk ka kenë veç Shimari evlati i Dhi Xhevshanit, qashtu edhe vrasësit tanë nuk janë veç zionistët.
Ai m'mësoi se fjalët janë nji lidhje e nji besëlidhje — veç nji njeri me fisnikëri hakikati i nderon ato. Sa për ata qi i kanë tradhtue lidhjet e tyne, fjala për ta asht akin me përbaltjen, ujin e amullt’ qi rrin në nji vend e shkilet prej kaluesve aty pari e prej bagëtive.
Ai m'mësoi se çkado qi asht e ndërtueme në të pavërtetën asht rrenë. Çdo sundim i themeluem me gjak e tradhti asht i mallkuem me mbaru keq. Sa i ngjashëm asht sundimi i Jezidit djalit të Muavijes me ate të zionistave sot. E di me siguri se me çdo shehid zionizmi e shkruen ramjen e vet.
Ai m'mësoi se historia nuk fal. Askush n'ket dynja — kushedi sa dinak me kenë — nuk mundet me e la gjakun prej duerve t'nji tirani. E qysh mundet pra dikush me pas uzdajë me e la gjakun prej shpatës qi e mbyti nipin e Resulullahit ﷺ? E kush mundet me pas uzdajë me e la gjakun prej nji regjimi qi ka masakrue ma shumë se 60.000 shehidë në ket gjenocid?
Ai m'mësoi qi ma të neveritshëm se vrasësit janë veç ata qi i mbrojnë vrasësit. Ai m'mësoi qi nëse nuk je me mazllumt', atëherë pa shybe je me zullumqart'.
Ai m'mësoi se asgja nuk rrnon përgjithmonë. T'mos gzohet asnjeni për fitoren e përkohshme të së pavërtetës, se fitorja e së pavërtetës asht veç nji prelud i zhdukjes së saj.
Ai m'mësoi se e pavërteta ngritet qi Zoti me e shpartallue masnej për toke. Imagjinoje nji njeri tuj ra prej katit t'parë e tjetrin prej të dhjetit. Ramja e cilit asht ma e randë? Pa shybe ajo e atij qi bjen prej katit t'dhjetë. Kështu asht goditja e Zotit. Ai e lejon zullumqarin me u ngritë e me shpërnda zullum në mnyrë qi ramjen masnej me e pas edhe ma shkatërruese.
Ai m'mësoi se me e fol të vërtetën nuk të vyn fuqi, armë apo numra të shumtë — të vyn veç nji zemër e sinqertë e përkushtueme ndaj Zotit e Lajmëtarit të Tij, mjeshtrit tonë, hazreti Muhammedit ﷺ. Vyn nji zemër qi ket dynja e sheh si shteg me u kalu e jo si vendbanim; e qi e sheh se ajo çka asht me Zotin asht ma e mirë e ma e qëndrueshme.
Ai m'mësoi mos me iu besue atyne qi thrrasin për ndihmë e presin prej teje — se ata munden me kenë tu ta ba gropën ty.
Ai m'mësoi se tradhtia asht nji gja e idhtë. E idhtësia ma e madhe vjen prej atyne qi ke besue se e meritojnë besimin tand.
Ai m'mësoi se nji zemër e ngërthyeme prej dynjasë tradhton lehtë — edhe nëse ai qi tradhtohet asht vet nipi i Resulullahit ﷺ. E pra, qysh mendon se njerëzit e tillë na shofin neve, njerëzve t'Gazës?
Ai m'mësoi qi me iu frigue gjendjes së myslimanit t'cilit zemra nuk i ka zanë rrajë me ashk për Mjeshtrin e tanë krijimit, Muhammedin ﷺ — burimit të rahmetit. E nëse ashku për pejgamberin ﷺ nuk shkrihet në zemër, atëherë ajo zemër bahet e ftohtë e gur i frikshëm.
Ai m'mësoi qi asgja nuk ndodh rastësisht e qi Zoti i Madhnishëm pa asnji shybe ka pas mundësi me e hap tokën e me e gëllditë ushtrinë qi e rrethoi e e vrau mjeshtrin tonë, hazreti Hysejnin, po Ai deshti me na mësue se ka derexhe të mdhaja të cilat munden me u mbrri veç me anë të asaj sprove. Për shkak se hazreti Hysejni asht mjeshtri i t'rive t'xhenetit, atëherë ky asht prej mekameve ma të nalta mbas atij të pejgamberit ﷺ.
Ai m'mësoi se Zoti përher i shef gjanat ma ndryshe se na. Kur dikush e shef shehidllëkun e hazreti Hysejnit edhe familjes së tij, atëherë natyrshëm i vjen me u mbush me dhimtë e vuejtje. Por prapë, grada e dhimtës së kësaj dynjaje pasqyron madhësinë e shpërblimit në ahiret. E në nji rrafsh tjetër na pysim: qysh munden vrasësit me planifikue vrasjen e lules së parfumosun t'Resulullahit ﷺ? Mbase asht e shkrueme në Levhi Mahfuz (Librin e ruejtun) se disa shpirtna e kanë mekamin e gropës ma t'thellë të xhehnemit — e për ket shkak edhe veprojnë simbas mekamit të vet. Edhe vrasësit kanë grada të dënimit. Vrasësi i profetit Jahja alejhi selam, përshembull, nuk asht në vendin e njajtë të xhehnemit si vrasësi i nji njeriu t'thjeshtë. Dridhna kur i mendoj vendet torturuese të përgatituna për vrasësit e hazreti Hysejnit — laneti i Zotit koftë mbi ta!
Ai m'mësoi se kushdo qi nuk vajton për shehidllëkun e mjeshtrit tonë, hazreti Hysejnit, babës së Abdullahut edhe shtatëdhjetë pjesëtarëve t'familjes së pejgamberit ﷺ — nuk ka asgja në ket dynja qi mundet me e shti me vajtu zemrën e atij insani.
Kam pas njoftuni rreth vetëmohimit (ithar-it), po përmes Hysejnit kam pa nji nivel tjetër t'saj, sidomos kur baba i Fadilit, Abasi evlati i Alisë e mbrrin lumin Eufrat, edhe pse i thamë prej etjes, nuk pranon me e pi asnji pikë uji përderisa hazreti Hysejni asht i etun mbas tre ditë rrethimi. Ai ra shehid pa mujtë me pru ujë. Në te u bashkuen të gjitha shenjat e nji përfundimi të hijshëm: shpirt shehidi, i tradhëtuem, i etun e tuj zgjedh tjetrin para vetes.
Nëse t'rastis me e pas nji vlla a mik si baba i Fadilit, Abasi evlati i Alisë — Zoti koftë në razi me ta — atëherë të bahet e lehtë me e lanë dynjanë, edhe nëse të duhet me vdek prej etjes në te.
E ma e randësishmja, si përfundim, ai m'mësoi se nuk duhet me e leju sundimin e padrejtë me i sundue fisnikt'. Jezidi djali i Muavijës mbase ka pas fuqi, po Hysejni djali i Alisë (paqja koftë mbi te) e mbajti nderin.
Për ket shkak vdekja qe lavdi për Hysejnin e sundimi qe mallkim e turp për Jezidin.
Selamet e bekimet e Zotit kofshin mbi mjeshtrin tonë, Muhammedin, familjen e tij e miqtë e tij.
Fjalë: shehid - martir; mazllum - atij qi iu bahet zullumi; uzdajë - shpresë; razi - kënaqësi.
Autore: Dr. Ala Katravi, poete dhe shkrimtare palestineze, njiashtu edhe nanë e katër fmijëve të ramun shehid në gjenocidin ndaj palestinezve në Gaza
Burimi: Ky shkrim asht paraqitë së parit në arabishte me 6 korrik 2025, në ditë Ashureje në sotour.net. Mbasandej asht shqipnue prej anglishtes me 9 korrik 2025 nga Trandofilishta. Shkrimin në anglishte mundeni me e gjetë si "Lessons of al-Hussayn" by Dr. Alaa Qatrawi